Kërko

Presidenti i Maltës George Vella, në audiencë te Papa

Kreu i Maltës në audiencë te Françesku në Vatikan. Gjatë bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, u fol për çështje ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë për rajonin e Mesdheut, konfliktet në Izrael e Palestinë dhe në Ukrainë, si dhe për migracionin.

R.SH. / Vatikan

Biseda mes Papës dhe Presidentit të Republikës së Maltës, George Vella, i cili u prit sot paradite në audiencë në Vatikan, gati dy vjet pas udhëtimit apostolik të Papës në arkipelag në vitin 2022, zgjati njëzet e pesë minuta. Pas bisedës me Papën në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, i shoqëruar nga delegacioni dhe bashkëshortja, kreu i shtetit të Maltës shkoi në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit për takimin me kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Miroslaw Stanislaw Wachowski, nënsekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Vatikanit, "u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Vatikanit e Maltës. Më pas u fol për çështje të ndryshme ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë për rajonin e Mesdheut, për konfliktet në Izrael e Palestinë dhe Ukrainë, si dhe për migrimin”.

Shkëmbimi i dhuratave

Në momentin e shkëmbimit të dhuratave, Papa Françesku i dhuroi Presidentit Vella një skulpturë bronzi të titulluar "Dialogu ndërmjet brezave", së bashku me vëllimet e dokumenteve papnore: Mesazhin për Ditën e Paqes 2024; librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (LEV); vëllimin mbi Apartamentin e Audiencave Papnore, redaktuar nga Prefektura e Familjes Papnore. Presidenti iu përgjigj me një kompjuter pc all-in-one për klinikën ‘Madre di Misericordia’.

21 mars 2024, 14:25