Kërko

 Papa Francesco, Via Crucis, Colosseo, Fori imperiali, Settimana Santa 2018 Papa Francesco, Via Crucis, Colosseo, Fori imperiali, Settimana Santa 2018

Papa: Udha Kryqit, rrugë mëshire ndërmjet urrejtjes dhe gjykimeve të botës

Në meditimet e 14 stacioneve shkruar nga Françesku për ritin e kësaj mbrëmjeje në Koloseum, frymëzuar nga Viti i Lutjes, vështrimi përqendrohet tek Jezusi, i cili pyet veten dhe rrëmon ndërgjegjen, duke menduar për mjerimet e realitetit bashkëkohor: "Vuajtja me Zotin nuk e ka fjalën e fundit"

R.SH. / Vatikan

Është dialog me Jezusin ai, që Papa Françesku shkëmben në meditimet e Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe të Pashkëve 2024, në Koloseum, në Romë: bisedë ballë për ballë me Krishtin, me reflektime, pyetje, introspeksione, rrëfime, thirrje. Lutje e gjatë intime, e cila, në këtë vit lutjeje, prelud i Jubileut, e lë zemrën e njeriut të flasë.

Në katërmbëdhjetë stacionet, ndjekim vuajtjet e Jezusit gjatë udhës për në Golgota, takimet përgjatë Udhës së Dhimbjes, vështrimin e dashur të Marisë që nën kryq bëhet Nëna e të gjithë njerëzve, gratë e afta për gjeste të buta dhe të guximshme në mënyrën më dramatike. Takojmë Kireneu gati për t'i ofruar ndihmën e tij Nazareasit të dënuar me vdekje, Jozefin nga Arimatea, i cili ofron atë varr ku Zoti do ta mposhtë vdekjen. Të gjithë të çojnë në rrëmimin e ndërgjegjes, që më pas bëhet lutje, me një thirrje të fundit, që e përsërit  katërmbëdhjetë herë emrin e Jezusit.

Papa Françesku e paraqet Udhën e Kryqit, duke nënvizuar se Krishti lutej çdo ditë: ishte bisedë me Zotin, "luftë e kërkesë: "Largoje prej meje këtë kelk", "besim e dhuratë", "jo çka dua Unë, por çka do ti'”. Përballë frikës së vdekjes dhe "ankthit nën peshën e mëkatit tonë", lutja bëhet më e fortë dhe "fuqia e dhimbjes", "ofertë dashurie" për njerëzimin.

Heshtja e Jezusit

Stacionin e parë, ajo që na bën të meditojmë është heshtja e Jezusit përballë “gjyqit të rremë” që e dënon, një heshtje frytdhënëse që “është lutje, është butësi, është falje, është rruga për të shpenguar të keqen”, “për ta shndërruar pësimin në dhuratë të ofruar, shpjegon Françesku. Një heshtje, që njeriu i sotëm nuk e njeh, sepse nuk gjen kohë të ndalet, të rrijë me Zotin dhe “ta lërë Fjalën e tij të veprojë”, por “dridhet”, ngaqë mëson se lutja lind “nga një zemër që di të dëgjojë". Kryqi me të cilin është ngarkuar Krishti (Stacioni II) përkundrazi, na kujton përvojat që i përjetojnë të gjithë: dhimbje, zhgënjime, plagë, dështime, kryqe, që i bartim edhe ne çdo ditë.

“Jezus, si mund të lutesh atje?” - pyet Papa, duke i dhënë përgjigje një pyetjeje të përgjithshme: si t’ia bësh kur jeta të shtyp nën barrën e saj? Krishti na fton t'i afrohemi, nëse jemi të lodhur dhe të shtypur, që të na freskojë, por ne nuk i përgjigjemi ftesës, më pas "vjen të na takojë", duke mbajtur kryqet tona mbi supe, "për të shkarkuar barrën tonë”. E rrëzohet (Stacioni III), por gjen forcë të ngrihet përsëri në këmbë. Forca, që e shtyn të ecë përpara, është dashuria, nënvizon Françesku, “sepse ai që dashuron nuk rri përdhe, riniset përsëri; ai që dashuron, nuk lodhet, vrapon; kush do, fluturon!”.

Maria, nëna e Jezusit, dhuratë për njerëzimin

Pas Eukaristisë, Krishti na jep “Marinë, dhurata e fundit para vdekjes”, shkruan Papa duke medituar në Stacionin IV. Jezusi në rrugën drejt Kalvarit dhe Nëna: takim që ngjall kujdes dhe butësi e që na shtyn t’i drejtohemi asaj, Marisë – Nënës që Zoti ua jep të gjithë njerëzve - për të "ruajtur hirin", " e për të kujtuar faljen dhe mrekullitë e Zotit". Cireneasi, që e ndihmon Jezusin të mbajë kryqin (Stacioni V), na shtyn të reflektojmë:  “Sa e vështirë është të kërkosh një dorë, nga frika se mund të lësh përshtypje të keqe! Ata që luten, megjithatë, "e dinë se janë nevojtarë"- vëren Françesku - e Jezusi, i cili gjithmonë i besohet Atit në lutje, nuk e përbuz ndihmën e Kireneasit, gjesti i të cilit na mëson "se t’i duash të tjerët do të thotë t’i ndihmosh pikërisht aty ku u dhemb, në dobësitë e tyre, nga të cilat turpërohen".

Guximi i dhembshurisë

Mes turmës që ndjek "shfaqjen barbare" të ekzekutimit të Nazarenasit, ka edhe nga ata që japin "gjykime dhe dënime", flakin "fyrje e përbuzje" mbi tjetrin, pa e njohur "dhe pa e ditur të vërtetën". "Ndodh edhe sot, o Zot" - kujton Françesku, "mjafton një tastierë, për të fyer dhe për të botuar sentenca", por në Jeruzalem, ndërsa "shumë bërtasin dhe gjykojnë" Jezusin, një grua çan turmën: "nuk flet, vepron. Nuk shan: i vjen keq. Ajo shkon kundër rrymës: e vetme, me guximin e dhembshurisë, rrezikon për dashurinë, gjen rrugën të kalojë ndërmjet ushtarëve vetëm për t'i dhënë fytyrës sate kënqësinë e një përkëdheljeje". Një gjest ngushëllimi, ai i Veronikës, (Stacioni VI) që hyn në histori dhe na vë ballë për ballë me Krishtin, "dashurinë e padashur", që edhe sot kërkon "mes turmës zemra të ndjeshme" ndaj vuajtjeve të tij. Por "kryqi peshon, e ai mbart barrën e disfatës, të dështimit, të poshtërimit". Pastaj Jezusi bie për herë të dytë (Stacioni VII) dhe ne shohim vetveten tek ai kur, të dërrmuar nga lodhja, në shënjestër nga jeta, të keqkuptuar nga të tjerët, të ngërthyer "në kthetrat e ankthit" dhe të sulmuar nga trishtimi, mendojmë se nuk mund të ngrihemi përsëri. Ose kur rikthehemi në gabimet dhe mëkatet tona, kur shkandullohemi nga të tjerët dhe më pas kuptojmë se nuk jemi ndryshe. Por me Jezusin, "shpresa nuk mbaron kurrë dhe pas çdo rënie, ne ngrihemi përsëri", sepse Zoti gjithmonë pret dhe fal, edhe nëse rrëzohemi shumë herë. “Kujtomë, se rëniet mund të bëhen çaste vendimtare të udhës, sepse më ndihmojnë të kuptoj të vetmen gjë që ka rëndësi: se kam nevojë për ty, Jezus”, është lutja e Papës, sepse jeta fillon përsëri nga falja e Zotit.

Dashuria nuk mbetet pa përgjigje

Në çastin më të errët dhe më ekstrem, Jezusi bërtet, duke kujtuar braktisjen e tij (Stacioni XI). Po ne, cilin mësim duhet ta çmojmë? “Në stuhitë e jetës, në vend që të heshtësh dhe ta mbash hidhërimin përbrenda, bërtit”. Çoje zërin drejt Zotit, kujton Françesku, i cili në Stacionin XII e përqendron vëmendjen te hajduti, që ia beson veten Krishtit që i premton Parajsën, duke e bërë kështu “kryqin, emblemë të torturës, ikonë të dashurisë”, e duke e shndërruar "errësirën në dritë, ndarjen në bashkim, dhimbjen në valle, madje edhe varrin, në stacionin e fundit të jetës, në pikënisje të shpresës". Maria që e merr Jezusin e vdekur ndër krah (Stacioni XIII) na ndihmon t'i themi po Zotit. Ajo, që është "e fortë në fe", beson "se dhimbja, e kryqëzuar nga dashuria, jep fryte shpëtimi; se vuajtja me Zotin nuk e ka fjalën e fundit". E më në fund Jozefi i Arimatesë, duke u kujdesur për ta varrosur denjësisht trupin e Jezusit (Stacioni XIV) na tregon se "çdo dhuratë që i bëhet Zotit, merr shpërblim edhe më të madh", "se dashuria nuk mbetet pa përgjigje, por “dhuron fillime të reja”, merr duke dhënë, “sepse jeta gjendet, kur humbet - e zotërohet, kur dhurohet”.

29 mars 2024, 13:22