Kërko

Papa Françesku në DBR-në e Portugalisë Papa Françesku në DBR-në e Portugalisë

Papa, të rinjve: “rizgjojeni shpresën, bëni zhurmë!”

Mesazhi i Françeskut drejtuar djemve dhe vajzave të gjithë botës, në 5-vjetorin e Nxitjes apostolike pas-sinodale “Christus Vivit”: Krishti jeton dhe ju do pafundësisht, rëniet dhe gabimet nuk llogariten. Dëshmojeni këtë para bashkëmoshatarëve tuaj. Nga Papa, edhe ftesa për të dhënë një kontribut "krijimtarie" në Sinodin mbi sinodalitetin, në mënyrë që të "kërkohen shtigje të reja"

R.SH. – Vatikan

“Së pari, do të dëshiroja që fjalët e mia të ringjallin shpresën në ju. Në kuadrin aktual ndërkombëtar, karakterizuar nga shumë konflikte, nga kaq shumë vuajtje, mund ta imagjinoj se shumë prej jush ndihen të shkurajuar”: kështu pohon Papa Françesku në Mesazhin e sotëm për të rinjtë, në 5-vjetorin e Nxitjes apostolike pas-sinodale “Christus vivit”.

"Hagan Lio!" (bëni zhurmë)

Ati i Shenjtë shkruan: “Në fillim të papnisë sime, gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Rio de Zhaneiro, ju thashë me forcë: ngrijeni zërin! "Hagan Lio!" (bëni zhurmë). Ende sot, po jua kërkoj sërish: bëni zhurmë, bërtisni, jo aq me zërin, por me jetën dhe me zemrën tuaj, për këtë të vërtetë: Krishti jeton! Që e gjithë Kisha të nxitet për t'u ringritur, për t'u rinisur për udhë dhe për të çuar kumtin e Tij në mbarë botën”.

Më 14 prill, 40-vjetori i takimit të parë të të rinjve

Papa njofton se “më 14 prill do të kujtojmë 40-vjetorin e takimit të parë të madh të të rinjve, i cili, në kuadrin e Vitit Shenjt të Shëlbimit, u bë fara e Ditëve të ardhshme Botërore të Rinisë. Në fund të atij viti jubilar, më 1984, Shën Gjon Pali II ua dorëzoi Kryqin të rinjve me misionin për ta çuar në mbarë botën si shenjë e kujtesë se vetëm në Jezu Krishtin, që vdiq dhe u ringjall, ka shpëtim e shëlbim". Siç e dini mirë, nënvizon Françesku, është fjala për një kryq prej druri pa të Kryqëzuarin, lënë kështu për të na kujtuar se ai kremton mbi të gjitha triumfin e Ringjalljes, të fitores së jetës mbi vdekjen, për t'u thënë të gjithëve: 'Pse e kërkoni ndër të vdekurit atë që është i gjallë? Nuk është këtu, u ringjall' (Lk 24,5-6)". "Vetëm në këtë mënyrë, në dritën e pranisë së tij, kujtimi i së kaluarës do të jetë i frytshëm dhe do të keni guximin ta jetoni të tashmen dhe ta përballoni të ardhmen me shpresë – shpjegon Papa. - Mund ta përvetësoni me liri të plotë historinë e familjeve tuaja, të gjyshërve, të prindërve tuaj, traditat fetare të vendeve tuaja, për të qenë edhe ju ndërtues të së nesërmes, ‘artizanë’ të së ardhmes”.

Kontributi i të rinjve për sinodalitetin

 Bergoglio kujton më pas "eksperimentin sinodal" të thirrjes së të rinjve në Romë, në përgatitje për Sinodin kushtuar atyre. Në dokumentin përfundimtar të vitit 2018, u vu në dukje se pjesëmarrja e të rinjve kontribuoi në 'rizgjimin' e sinodalitetit, i cili është ‘përmasë themeltare e Kishës’".

"Tani, në këtë fazë të re të udhëtimit tonë kishtar, kemi nevojë më shumë se kurrë për krijimtarinë tuaj që të kërkojmë shtigje të reja, gjithmonë, duke u qëndruar besnikë rrënjëve”, shkruan Françesku. E së fundi, nënvizon: “Të dashur të rinj, ju jeni shpresa e gjallë e një Kishe për udhë! Prandaj, ju falënderoj për praninë dhe për kontributin tuaj në jetën e Korpit të Krishtit. E ju lutem: mos na lini kurrë pa zhurmën tuaj të mirë, shtytjen tuaj si atë të një motori të pastër dhe të shpejtë, mënyrën tuaj origjinale për të jetuar dhe për të shpallur gëzimin e Krishtit të Ringjallur!”

25 mars 2024, 13:23