Kërko

 Audienca me punonjësit e Rai-Radiotelevisione Italiana, në Sallën Pali VI (VATICAN MEDIA Photo Division) Audienca me punonjësit e Rai-Radiotelevisione Italiana, në Sallën Pali VI (VATICAN MEDIA Photo Division)  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa-Rai-t: informacioni dhe argëtimi përhapin të vërtetën, vlerat dhe bukurinë

Françesku priti në audiencë drejtuesit dhe personelin e Rai-t për 70-vjetorin e TV dhe 100 vjetorin e radios. Gjatë takimit shprehu besimin se shërbimi i ofruar do të jetë "përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve, me frymën e hapjes universale", duke garantuar "pluralizëm që respekton opinionet dhe burimet e ndryshme", kundër çdo lajmi të rremë. Gjuhët e ndryshme të kinemasë, letërsisë artistike, kulturës, argëtimit dhe sportit i shërbejnë "perspektivës të së mirës".

R. SH. - Vatikan

Dy përvjetorë, që na ftojnë të shikojmë historinë e kaluar dhe të projektojmë atë të së ardhmes, duke pasur parasysh se "çdo jetë lidhet gjithnjë e më shumë me një tjetër, në nivel global": këto janë shtatëdhjetë vitet e televizionit dhe njëqind vitet e radios që Rai, Radiotelevizioni Italian, i feston këtë vit. Prandaj Françesku priti në audiencë, në Sallën Pali VI, drejtuesit dhe personelin. Gjatë takimit, Papa nënvizoi, para së gjithash, se mediat “ndikojnë në identitetet tona, për mirë a për keq” dhe u ndalua posaçërisht tek shërbimi publik që ofron ndërmarrja e komunikimit. Shpjegoi, më pas, se, si shërbim, puna e Rait "synon t’u japë përgjigje nevojave të qytetarëve, në frymën e hapjes universale",  të lidhur "me territorin, pa u bërë lokalistë,  duke respektuar dinjitetin e çdo njeriu" edhe sepse ky është "kontribut për të vërtetën dhe për të mirën e përbashkët që lidhet ngusht me informacionin, kulturën, teknologjinë":

“Në fushën e informacionit, të shërbesh do të thotë të përpiqesh të shprehësh të vërtetën, gjithë të vërtetën, për shembull duke kundërshtuar përhapjen e lajmeve të rreme dhe planin dredharak të atyre, që përpiqen të ndikojnë mbi opinionin publik me rrugë ideologjike, duke e gënjyer dhe duke e përçarë shoqërinë. E vërteta është një, është e harmonishme, nuk mund të ndahet me interesat personale. E kjo do të thotë të shmangësh çdo reduktim mashtrues, të kujtosh se e vërteta është ‘simfonike’ dhe se ajo kuptohet më mirë duke mësuar të dëgjosh shumëllojshmërinë e zërave - si në kor - sesa duke bërtitur gjithmonë dhe vetëm idenë  vetjake”.

Informacion i saktë, që respekton opinionet e ndryshme

Të shërbesh, për Rain, duhet të nënkuptojë edhe t’u japë qytetarëve "informacion të saktë, të transmetuar pa paragjykime" dhe pa "përfundime të nxituara", shtoi Papa, "duke shfrytëzuar kohën e nevojshme për të kuptuar, për të reflektuar dhe për të luftuar ndotjen e informacionit", sepse informacioni është "ekologjik”. Gjithashtu duhet "të garantojë një pluralizëm që respekton mendimet dhe burimet e ndryshme", pasi "e vërteta propozohet, nuk imponohet kurrë".

Prej këndej, ftesa e Françeskut “për të kultivuar dialogun”:

“Për të kultivuar dialogun duhet të dëgjoni. Shumë herë shohim se të dëgjuarit do të thotë të përgatitesh për të dhënë përgjigjen: nuk është dëgjim i vërtetë të mendoj për qëndrimin tim, pa e ditur atë të të tjerëve”.

Gjuhët e ndryshme të komunikimit

Më pas Papa kujtoi se shërbimi publik ka të bëjë edhe me gjuhët e ndryshme të komunikimit, me kinemanë, letërsinë artistike, serialet televizive, programet argëtuese kulturore, sportin dhe programet për fëmijë dhe kërkon që në këto fusha të propozohen vlera pozitive:

“Në epokën tonë të pasur në teknikë, por ndonjëherë të varfër në humanizëm, është e rëndësishme të nxitet kërkimi i së bukurës, të niset dinamika e solidaritetit, të ruhet liria, puna, sepse çdo shprehje artistike e ndihmon secilin të lartohet, të reflektojë, të emocionohet, të buzëqeshë e madje edhe të qajë me emocion, të gjejë kuptimin e jetës, perspektivën e  së mirës,  kuptimin, që nuk është ai i dorëzimit ndaj më të keqes”.

Më pas Papa  kujtoi edhe nevojën e pakësimit të rreziqeve të dëmshme të inteligjencës artificiale e, sidomos, shërbimin e lidhur ngushtë me të mirën e përbashkët.

 Shërbim i lidhur me të mirën e përbashkët

Duke pasur parasysh shërbimin publik të RAI-t, Papa nënvizoi se është punë "e lidhur me të mirën e përbashkët të të gjithëve" e,  për këtë arsye, kërkon "t'u jepet zë veçanërisht të paktëve, të varfërve, atyre që nuk kanë zë, që janë të flakur". "Nënkupton edhe thirrjen për të qenë mjet i thellimit të dijes, për t'i bërë njerëzit të reflektojnë dhe jo të tjetërsojnë" e më pas "të hapin këndvështrime të reja ndaj realitetit dhe jo për të ushqyer flluska të indiferencës së vetë-mjaftueshme, për t’i edukuar të rinjtë të ëndërrojnë ëndrra të mëdha, me mendjen dhe sytë hapur”, sepse - përfundoi Françesku - ne nuk duhet “ta humbasim kurrë aftësinë për të ëndërruar”.

23 mars 2024, 13:34