Kërko

Papa pret ministrin për Evropën dhe për Punët e Jashtme të Shqipërisë

Në 10-vjetorin e vizitës apostolike të Papës Françesku në Shqipëri dhe në 5-vjetorin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe Bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, nënshkruar në Abu Dabi, Ati i Shenjtë priti në audiencë ministrin shqiptar Igli Hasani. Në Universitetin Papnor Gregoriana, veprimtari mbi kontributin shqiptar në dialogun ndërfetar, organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë dhe nga Qendra e Studimeve Ndërfetare të ateneut të jezuitëve

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite ministrin për Evropën dhe për Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili më pas u takua edhe me homologun e tij në Vatikan, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare. Kështu njofton zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë.

Sot pasdite, vetë imzot Gallagher dhe ministri Hasani marrin pjesë në konferencën e organizuar nga ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë dhe në Urdhrin Sovran të Maltës, Majlinda Frangaj mbi dialogun ndërfetar, në Universitetin Gregorian të Romës. Tema “Dialogu dhe vëllazërimi ndërfetar si garanci e paqes: rasti i Shqipërisë” mbledh në ateneun e jezuitëve ekspertë të ndryshëm të fushës, që do të kremtojnë kështu 10-vjetorin e vizitës apostolike të Papës Françesku në Shqipëri dhe 5-vjetorin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe Bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, nënshkruar në Abu Dabi nga vetë Ati i Shenjtë dhe nga Imami i Madh i Al Azharit, Ahmad Al-Tayyeb. Veprimtaria organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Ndërfetare të Gregorianës.

Në praninë e rektorit të Universitetit, atë Mark Lewis, përveç vetë ambasadores Frangaj, do të mbajnë relacione prof. Ambrogio Bongiovani, drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërfetare të ateneut, që do të flasë pikërisht për dialogun ndërfetar; prof. Roberto Regoli i Gregorianës, që do të vërë në dukje aspekte të diplomacisë papnore për paqen; prof.sha Maria Gabriella Belgiorno e Universitetit të Peruxhës, që do të reflektojë mbi vlerën e dialogut ndërfetar për paqen në konfliktet aktuale; si edhe dr. Sokol Lulgjuraj, drejtor i Qendrës për Bashkëpunimin Ndërfetar, i cili do të paraqesë sfidat e kësaj qendre me seli në Elbasan.

25 mars 2024, 11:36