Kërko

Papa në Meshën e Bagmit: Zoti kërkon meshtarë, që vajtojnë për mëkatet e botës

Në këtë të Enjte të Madhe të Pashkëve, 28 mars, Papa Françesku kryesoi Meshën e Bagmit në Bazilikën e Shën Pjetrit. Gjatë homelisë, duke u ndalur në shprehjen e “brengosjes” për mëkatet, Ipeshkvi i Romës u kujtoi meshtarëve se “Zoti nuk na kërkon të gjykojmë me përçmim ata, që nuk besojnë, por dëshiron dashuri dhe lot për ata, që qëndrojnë larg” Kishës

R.SH. – Vatikan

Kisha përkujton sot themelimin e Eukaristisë dhe të meshtarisë në Darkën e Mbrame të Jezu Krishtit me apostuj. Paraditen e së Enjtjes së Madhe të Pashkëve, Papa dhe ipeshkvijtë në mbarë botën kremtojmë Meshën e Bagmit, me bekimin e Vajrave te Shenjte. Gjatë këtij kremtimi bekohet bagmi, që s’është tjetër veçse një përzierje vajrash të parfumuara, të cilat do të shërbejnë gjatë gjithë vitit kishtar për të ngushëlluar të sëmurët, për të bekuar katekumenët, për kremtimin e Sakramenteve të ndryshme dhe për shugurimin meshtarak.

Pikërisht sot, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku kremtoi Meshën e Bagmit, së bashku me meshtarët e dioqezës së Romës, të thirrur për të rinovuar premtimet e tyre meshtarake. Të pranishëm, 1500 priftërinj dhe rreth 4000 besimtarë. Në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë “brengosja”, ajo ndjenjë që të kap kur e di se ke bërë diçka të gabuar e mbyllesh në vetvete, i pikëlluar, për të reflektuar mbi gabimet e tua. Sipas Papës, është një aspekt i lënë disi pas dore, por thelbësor për jetën shpirtërore.

Papa Françesku hukat ne amforën e bagmit
Papa Françesku hukat ne amforën e bagmit

Për çfarë bëhet fjalë?

Është si një thumbim në zemër, shpjegoi Papa Françesku, një lloj shporimi, që e plagos shpirtin dhe bën të rrjedhin lotët e pendesës, ashtu siç i ndodhi Shën Pjetrit, kur pasi dëgjoi gjelin të këndonte tri herë, ju kujtuan fjalët e Krishtit, që i pati treguar si do ta mohonte. Më pas, në Rrëshajë, gjithnjë Pjetri, i tronditur nga pamja dhe fjalët e Jezusit të ringjallur, i pastruar dhe i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, u shpalli banorëve të Jerusalemit: "Hyji e bëri Zot dhe Krisht, këtë Jezus që ju e kryqëzuat" (shih Vap 2,36). Ata që e dëgjuan Pjetrin e ndienë të keqen që kishin bërë, por edhe shpëtimin që u jepte Hyji dhe, “duke dëgjuar këto gjëra – thotë teksti – u prekën në zemër” (Vap 2,37).

“Ja pra, brengosja – vërejti Papa. - Nuk është ndjenjë faji që të hedh përtokë, as skrupull që paralizon, por thumbim shpëtimtar, që të djeg përbrenda dhe të shëron, sepse zemra - vazhdon ai - kur e sheh të keqen e vet dhe e kupton se është mëkatare, hapet, e mirëpret veprimin e Shpirtit Shenjt, të ujit të gjallë që e prek, duke bërë të rrjedhin lot për faqe. Ai, që hedh maskën dhe e lë Zotin ta shikojë në zemër, merr dhuratën e këtyre lotëve, ujërat më të shenjta pas atyre të Pagëzimit”. E Papa i uroi meshtarët që të kenë prej Zotit pikërisht këtë dhuratë.

Nga mesha e Bagmit në Vatikan
Nga mesha e Bagmit në Vatikan

Pendimi

Ati i Shenjtë Bergoglio shpjegoi edhe ç’do të thotë të derdhësh lot. Nuk është fjala për të qarë, sepse na vjen thjesht keq për vetveten kur nuk arrijmë atë që duam. Brengosemi, sepse e kemi pikëlluar Hyjin me mëkatet tona, e kemi “humbur rrugën drejt shenjtërisë, duke mos ditur ta ruajmë besimin në dashurinë e Atij, që dha jetën për ne". Është kjo, që çon drejt pendimit serioz.

Prandaj, brengosja na kërkon “një përpjekje” jo të vogël, por na rikthen “paqen”; nuk na shkakton “ankth”, por na e “lehtëson shpirtin nga barrët, që i ka ngarkuar vetes”, sepse ajo “vepron mbi plagën e mëkatit, duke na përgatitur të pranojmë përkëdheljen e Zotit, që e shndërron zemrën kur ajo “pendohet e trishtohet” ( Ps 51, 19), zbutur nga lotët", vërejti Françesku.

Të vajtojmë për mëkatet e Kishës dhe të botës

Brengosja e zemrës na bën të ndihemi gjithnjë e më shumë vëllezër me gjithë mëkatarët e botës, iu drejtua Ati i Shenjtë meshtarëve, duke u kërkuar të mos ndihen superiorë në krahasim me të tjerët e të mos i gjykojnë ata me ashpërsi, por me dëshirën për t’i dashur dhe për t’i përmirësuar.

“Zoti kërkon, veçanërisht në mesin e atyre që i janë kushtuar Atij, ata që vajtojnë për mëkatet e Kishës dhe të botës, duke u bërë mjet ndërmjetësimi për të gjithë. Sa dëshmitarë heroikë në Kishë na tregojnë këtë rrugë”, vijoi Papa, duke i ftuar të gjithë të mendojnë për “murgjit e shkretëtirës, ​​në Lindje dhe në Perëndim; për ndërmjetësimin e vazhdueshëm, bërë nga rënkime dhe lot, të Shën Gregorit të Narekut; për ofertën françeskane për Dashurinë e padashur; për meshtarë si Famullitari i shenjtë i Arsit, që jetonin me pendesë për shëlbimin e të tjerëve. Nuk është poezi, kjo është meshtaria”, nënvizoi Pasardhësi i Pjetrit. E, në këtë të Enjte të Madhe në Vitin e Lutjes, i ftoi të gjithë të kërkojnë në lutje hirin e brengosjes.

“Të dashur vëllezër, nga ne, Barinjtë e tij, Zoti nuk kërkon gjykime përçmuese për ata që nuk besojnë, por dashuri dhe lot për ata që janë larg. Situatat e vështira që shohim dhe përjetojmë, mungesa e fesë, vuajtjet që prekim, në kontakt me një zemër të brengosur nuk ngjallin polemika, por mëshirë. Sa nevojë kemi të jemi të lirë nga ashpërsia dhe akuzat, nga egoizmi dhe ambiciet, nga ngurtësia dhe pakënaqësia, të besojmë dhe t'ia besojmë veten Zotit, duke gjetur tek Ai paqen, që shpëton nga çdo stuhi! Të adhurojmë, të ndërmjetësojmë dhe të derdhim lot për të tjerët: do t’i lejojmë Zotit të bëjë mrekulli. E të mos kemi frikë: Ai do të na befasojë!”

Nga mesha e Bagmit në Vatikan
Nga mesha e Bagmit në Vatikan

“Kthimi në adhurimin dhe në lutjen e zemrës”

Papa u dha meshtarëve disa këshilla. Fillimisht, të mos e shikojnë jetën dhe thirrjen e tyre meshtarake nga këndvështrimi i fryteve dhe i rezultateve të menjëhershme, që lidhen vetëm me të sotmen, me urgjencat dhe pritshmëritë e saj, por të kenë parasysh edhe të kaluarën e të ardhmen. Pastaj, i ftoi të rizbulojnë nevojën për t’iu kushtuar lutjes, jo pse ashtu duhet, ose pse ashtu është funksionale, por lutjes së lirë, të qetë dhe të zgjatur. Vërtet, beson Papa, duhet t'i "kthehemi adhurimit dhe lutjes së zemrës".

Ungjilli, vijoi më tej Françesku, na ngushëllon sot, duke na thënë se Zoti ka ardhur ta shërojë zemrën e brengosur e të penduar për mëkatet e veta. Këtë të Enjte të Madhe “ditë e lindjes së meshtarisë”, në të cilën të gjithë priftërinjtë ftohen të ripërtërijnë thirrjen e tyre, Françesku i falënderoi në përfundim të Meshës së Bagmit.

“Të dashur meshtarë, faleminderit për zemrat tuaja të hapura dhe të dhembshura; faleminderit për lodhjen dhe lotët; faleminderit sepse ju bartni mrekullinë e mëshirës - falni gjithmonë, jini të mëshirshëm – e çojeni këtë mëshirë, çojeni Zotin tek vëllezërit dhe motrat e kohës sonë. Zoti ju ngushëlloftë, ju përforcoftë dhe ju shpërbleftë”.

28 mars 2024, 12:38