Kërko

Pamje e Jeruzalemit: muri i lotëve Pamje e Jeruzalemit: muri i lotëve  

Papa, katolikëve të Tokës Shenjte: "Faleminderit që shpresoni kundër çdo shprese"

“Afërsia, dashuria, mirënjohja, inkurajimi e shpresa se së shpejti do të ringrihemi dhe do të rilindemi përsëri me Zotin”, janë fjalët e Papës Françesku në letrën drejtuar besimtarëve të të gjitha riteve dhe konfesioneve, që po përgatiten t’i kremtojnë Pashkët "në vendet ku Zoti jetoi, vdiq e u ringjall" e ku edhe sot "njerëzit vuajnë më shumë nga drama absurde e luftës".

R. SH. - Vatikan 

“Faleminderit për dëshminë tuaj të fesë, faleminderit për dashurinë bamirëse ndërmjet jush, faleminderit sepse dini të shpresoni kundër çdo shprese!”. Papa Françesku i shkruan këto fjalë prekëse në një letër drejtuar katolikëve në mbarë Tokën e Shenjtë, në prag të Pashkëve, që disa bashkësi i  kremtojnë më 31 mars, duke ndjekur kalendarin gregorian, e të tjerat,  më 5 maj, sipas kalendarit julian.

Mendoj për ty, lutem për ty, të kam në zemër

Papa dëshiron ta bëjë të ndjeshme afërsinë e tij dhe "dashurinë e tij atërore" për besimtarët, në veçanti për ata që, muajt e fundit "po e vuajnë më dhembshurisht dramën absurde të luftës, për fëmijët që u mohohet e ardhmja, për ata që janë në vaj dhe në dhimbje, që jetojnë ndjenja ankthi dhe hutimi".

Shkruan Françesku:

“Prej kohe mendoj për ju dhe lutem për ju çdo ditë. Por tani, në prag të këtyre Pashkëve, kur dihet shumë për Mundimet, por ende pak për Ringjalljen, ndjej nevojën t'ju shkruaj, për t'ju kujtuar se ju kam në zemër”.

Toka e Shenjtë, dëshmi e Mundimeve dhe e Ringjalljes

Papa kujton shtegtimin që bëri në maj të vitit 2014 dhe bën të tijat fjalët e Shën Palit VI, Papës së parë shtegtar në Tokën Shenjte, 50 vjet më parë, kur pati nënvizuar rrezikun për paqen në mbarë botën nga vazhdimi i tensioneve në Lindjen e Mesme. Françesku kujton se Toka Shenjte nuk është vetëm "ruajtëse e viseve të shëlbimit", por edhe dëshmi e vazhdueshme, "përmes vuajtjeve të veta", e Mundimeve të Zotit, e njëherësh "me aftësinë e saj për t'u ngritur dhe për të ecur përpara, kumtoi e vijon të kumtojë se i Kryqëzuari është i Ngjalluri”.

Papa shkruan:

“Në këto kohë të errëta, në të cilat duket se errësira e të Premtes së Madhe mbulon Tokën tuaj dhe shumë pjesë të botës të shpërfytyruara nga çmenduria e kotë e luftës, e cila është gjithmonë dhe për të gjithë disfatë e përgjakshme, ju jeni pishtarë të ndezur natën, jeni fara e së mirës në një tokë të copëtuar nga konfliktet”.

Askush të mos na e rrëmbejë shpresën

Françesku përsërit lutjen e tij drejtuar Zotit "paqja jonë", që ta çlirojë "zemrën e njeriut nga urrejtja, dhuna dhe hakmarrja". E , në vijim, thirrja:

“Premto që askush të mos na e rrëmbejë nga zemra shpresën për t'u ngritur dhe për t'u ringjallur me ty, të mos lodhemi duke pohuar dinjitetin e çdo burri, pa dallim feje, etnie apo kombësie, duke nisur nga më të brishtët: nga gratë, të moshuarit, të vegjlit dhe të varfërit”.

U forcoftë uniteti ndërmjet gjithë të krishterëve

 Ndërsa i siguron katolikët "se nuk do jenë vetëm e nuk do të lihen kurrë vetëm, por të gjithë do të jenë solidarë me ta nëpërmjet lutjes dhe bamirësisë aktive", Papa shpreh besimin se "do të kthehen së shpejti edhe shtegtarët, t’ju shikojnë në sy dhe t’ju përqafojnë”. Falënderon, më pas, pastorët, besimtarët dhe besimtaret që i shoqërojnë me afërsinë e tyre dhe i uron:

 “U rritët dhe shkëlqeftë, në furrën e vuajtjeve, ari i unitetit, edhe me vëllezërit e motrat e konfesioneve të tjera të krishtera, të cilëve dëshiroj t'u përcjell afërsinë time shpirtërore dhe t'u shpreh inkurajimin tim”.

Në përfundim, Papa Françesku përsërit ftesën drejtuar "gjithë të krishterëve në botë" për të mbështetur konkretisht dhe për t'u lutur me këmbëngulje "që e gjithë popullsia e Tokës suaj të dashur të jetë më në fund në paqe".

27 mars 2024, 14:18