Kërko

La Passione di Gesu, la croce La Passione di Gesu, la croce

Papa: të krishterët janë dëshmitarë të mirësisë dhe vëllazërisë

Në një mesazh drejtuar Vëllazërisë së Jezusit Nazarenas nga Sonsonate, (El Salvador), me rastin e 420-vjetorit të themelimit të saj, Françesku u bën thirrje besimtarëve që t'i shërbejnë Zotit me jetën e tyre dhe të mos "shikojnë nga ballkoni" flijimin e tij për njerëzimin.

R.SH. / Vatikan

Të krishterët duhet ta ndjekin Zotin pas, ta mbajnë mbi supe kryqin, duke e “ngushëlluar në plagët e hapura” të vëllezërve të tyre që vuajnë. Me këto fjalë, Papa Françesku u kërkon besimtarëve, në një mesazh me rastin e 420-vjetorit të Vëllazërisë së Jezusit Nazarenas të Sonsonatit, t'i japin lavdi Zotit duke e bërë "shërbimin e tyre një lavdërim, në punën e përditshme, në familje, në angazhimin për të krijuar një shoqëri më vëllazërore, në thelb, në dëshminë e së mirës që mund të japim të gjithë, pavarësisht misionit a punës në të cilën jemi thirrur”.

Rruga e Zotit përkrah të krishterëve

"Është domethënëse se si Zoti përdor gjuhën tonë të varfër për të na dërguar mesazhin hyjnor. Edhe sot ne shpresojmë, siç bënë pleqtë tanë më shumë se 400 vjet më parë, të shohim të shfaqet imazhi i Jezusit. Në tekstin e mesazhit, drejtuar Imzot Costantino Barrera, ipeshkëv i Sonsonate, Papa flet për pritjen e besimtarëve për të parë "shfaqjet e imazhit të Jezusit të Nazaretit", i cili nuk është një "statujë e bukur" dhe as "një vepër e çmuar arti", por që Ai devijon udhën e tij "për të hyrë në lagjen tonë, për të kaluar në rrugët tona dhe për t’u ndalur te dera e shtëpive tona", për t'u mundësuar besimtarët të "kundrojnë fytyrën hyjnore dhe të ndjejnë këmbët e tij duke ecur" në pranë tyre.

Besimtarët nuk duhet të qëndrojnë duke parë nga ballkoni

Ftesa e Papës për të gjithë të krishterët është që t'i tregojnë gjithmonë Zotit dashurinë që ndjejnë për të, pavarësisht "padenjësisë" personale e pavarësisht "mosmirënjohjeve të vazhdueshme". Do të ishte e trishtueshme, sipas Françeskut, "nëse çdo të Premte të Madhe të Pashkëve zemrat tona thjesht do të mbeteshin duke shikuar një skenë kurioze nga ballkoni, pa u përulur ndërsa Jezusi kalon pranë" dhe do të ishte mëkat nëse besimtarët nuk do ta kuptonin se duke qëndruar "të kapur pas Kryqit të Jezusit" që është e mundur të ecim me Të, duke kuptuar se "është Ai që e mban këtë zgjedhë që ne të gjejmë prehjen tonë.Ne pra jemi të thirrur ta sodisim atë fytyrë hyjnore të Jezusit që bartë Kryqin për ne dhe të ndiejmë se këmbët e tij po ecin pranë nesh"

28 mars 2024, 12:11