Papa: Jezusi, duke vdekur, bëri që të mbijë shpresa
R.SH. / Vatikan
“Rrënjët e fesë gjenden në tokën e thatë të Kalvarit, ku Jezusi, duke vdekur, bëri që të mbijë shpresa: na hapi rrugën për në Parajsë, na dha jetën e përjetshme, na solli shpëtimin. #Javëeshenjtë!”. Kështu pohon Papa Françesku, sot më 26 mars 2004, në platformën X.
Vdekja e Jezusit mbi Kryq na shpëton nga vdekja jonë
Kryqi është ngjarja përmes së cilës Dashuria e Zotit hyn në historinë tonë, vjen pranë nesh, bëhet përvojë që shëron e shpëton. Vdekja e Jezusit mbi Kryq na shpëton nga vdekja jonë! Nga ajo vdekje, që njeriut i duket e errët dhe e ankthshme, sepse hyri në botë për shkak të zilisë së djallit, sipas Shkrimit Shenjt. E tmerrshme, prandaj, vdekja. E Jezusi e dinte mirë këtë. Mund edhe t’i ikte. T’i shpëtonte kthetrave të saj. Po Jezusi nuk iku. Përkundrazi, e mori mbi vete me gjithë barrën e kontradiktave të errta e, duke u lartuar mbi kryq, na shpëtoi nga vdekja! Jezusi na përsërit sot e gjithnjë nga kryqi, ku u lartua për dashurinë tonë. Kush beson në Birin, ka jetën e pasosur!
U kryqëzua për ne! Jezusi, duke vdekur, provoi përvojën dramatike të vdekjes, ashtu siç është bërë nga mëkatet tona: por, duke vdekur, Jezusi e mbushi vdekjen me dashuri, dmth me praninë e Zotit: atëherë mund të themi me plot gojën se me vdekjen e Jezusit, vdekja u mund, sepse Krishti e mbushi vdekjen me forcën e kundërt të mëkatit që e lindi vdekjen: Jezusi e mbushi me dashuri.