Kërko

Papa në audiencën me bashkësinë e nigerianëve në Romë Papa në audiencën me bashkësinë e nigerianëve në Romë  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa bashkësisë nigeriane në Romë: jini universalë, jo izolimit

Grupit të pritur në audiencë në Sallën Pali VI, Françesku i shprehu mirënjohjen për dëshminë e gëzueshme të Ungjillit dhe pasurinë e thirrjeve. E e më pas shtoi: “Shumëllojshmëria e traditave dhe e gjuhëve nuk përbën problem, por është dhuratë që pasuron strukturën e Kishës dhe të shoqërisë”. Në vijim Papa u lut "për sigurinë, unitetin e përparimin shpirtëror dhe ekonomik" të kombit afrikan.

R. SH. - Vatikan

 “Mirënjohje, pasuri në larmi dhe dialog”. Këto janë, për Papën, tre elementet "jetike" për jetën e bashkësisë nigeriane, të pranishme në Romë. Françesku e priti sot në audiencë, në Sallën e Palit VI dhe i  nxiti burrat e gratë, që janë pjesë e saj, ta ruajnë gjithmonë karakterin e "universalitetit" dhe të mos "mbyllen kurrë në kulturën e tyre" në një izolim pothuajse "fisnor".

Para së gjithash, Papa shprehu mirënjohjen për dëshminë e gëzueshme të mesazhit të Ungjillit, si dhe "për të rinjtë e shumtë nigerianë që dëgjuan thirrjen e Zotit për të ndjekur rrugën e meshtarisë dhe të jetës rregulltare duke iu përgjigjur Zotit me bujari, përvujtëri dhe këmbëngulje". Disa prej tyre janë të pranishëm në audiencë - vuri në dukje Papa - i cili në vijim i inkurajoi "të jenë gjithmonë dishepuj misionarë, mirënjohës që Zoti i zgjodhi ta ndiqnin atë dhe i dërgoi të shpallin me zell fenë tonë dhe për të kontribuar në ndërtimin e një botë më e drejtë dhe më humane”.

Papa gjatë audiencës me bashkësinë nigeriane

Pasuri në larmi

Më pas Françesku u përqendrua tek tema e pasurisë në diversitet:

“Larmia e grupeve etnike, traditave kulturore dhe gjuhëve në kombin tuaj nuk përbën problem, është dhuratë, që pasuron strukturën e kishës si dhe  të gjithë shoqërisë duke na lejuar të thellojmë  vlerat e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së anasjelltë”.

Mirëpritja e Papës

Rreziku i mbylljes

Papa shpreson që bashkësia nigeriane në Romë "në mirëpritjen dhe shoqërimin e besimtarëve nigerianë dhe besimtarëve të tjerë, do t'i ngjajë gjithmonë një familjeje të madhe, ku të gjithë do të mund të përdorin talentet e tyre të ndryshme, fryte të Shpirtit Shenjt, për të mbështetur dhe për të forcuar njëri-tjetrin në çaste gëzimi dhe pikëllimi, suksesi dhe vështirësie”. Në këtë mënyrë do të mund të “mbillet fara e miqësisë shoqërore dhe e harmonisë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”. Në lidhje me këtë, Françesku i paralajmëroi të pranishmit edhe për  një "rrezik":

“Rrezikun e mbylljes; jo për të qenë universal, por për t'u mbyllur - nëse mund ta përdor fjalën - në izolim fisnor. Jo. Rrënjët tuaja mbyllen, izolohen në këtë qëndrim fisnor dhe jo universal, jo komunitar. Bashkësia po; fisi, jo. E kjo është shumë e rëndësishme! Vlen për ne të gjithë, për secilin sipas pozicionit të tij. Por universalitet e jo mbyllje në kulturën tënde. Është e vërtetë, kultura e dikujt është dhuratë, por jo për ta mbyllur: është për ta dhënë, për ta ofruar. Universale, me universalitet”.

Fëmijë të pranishëm në seancën dëgjimore në sallën Pali VI

Dëgjoni njëri-tjetrin, pa përjashtuar askënd në nivel politik, social dhe fetar

Më në fund, Ipeshkvi i Romës i këshilloi të pranishmit të mos e harrojnë dialogun. “Fatkeqësisht - vërejti - shumë rajone të botës po përjetojnë konflikte dhe vuajtje. Kështu dhe Nigeria.

Ndaj Papa kujtoi "se do të lutet për sigurinë, unitetin dhe përparimin shpirtëror e ekonomik të këtij Kombi "dhe i ftoi të gjithë të nxisin dialogun dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin me zemër të hapur, pa përjashtuar askënd në nivel politik, shoqëror dhe fetar":

“Të integrosh, të dialogosh, të universalizosh, gjithmonë [duke u nisur] nga identiteti i yt”.

"Stili" i Zotit

Në të njëjtën kohë, Papa i inkurajoi të pranishmit të jenë "lajmëtarë të mëshirës së madhe të Zotit", duke punuar për pajtimin dhe duke kontribuar për "zbutjen e barrës së të varfërve dhe të nevojtarëve", për ta bërë kështu tonin "stilin e Zotit":  

“Mos harroni këtë. Stili i Zotit është afërsia, dhembshuria dhe butësia. Në këtë mënyrë të gjithë nigerianët do të jenë në gjendje të vazhdojnë të ecin së bashku në solidaritet dhe harmoni vëllazërore”.

Audienca me komunitetin nigerian në Romë në Sallën e Palit VI

25 mars 2024, 12:06