Kërko

Në Rosario shpërthen dhuna e narkosve, Papa: të hetohet për korrupsion e pastrim parash

Françesku u dërgon një video banorëve dhe institucioneve të qytetit argjentinas, i cili prej javësh ka qenë skenë e vrasjeve dhe e krimeve të trafikantëve të drogës: “Duhet t’i kundërvihemi ofertës dhe kërkesës për drogë, përmes politikave parandaluese dhe ndihmëse. Heshtja e shtetit në këtë fushë lehtëson nxitjen e konsumit të drogës dhe të tregtisë së saj”. Nga Papa, thirrje për Kishën që të shoqërojë familjet e viktimave, të sëmurët, të burgosurit dhe ata, që kanë hyrë në rrugën e drogës

R.SH. – Vatikan

Të bëhen hetime për rrjetet e korrupsionit dhe të pastrimit të parave, që favorizojnë trafikun e drogës, të gjallërohet ndërhyrja e politikës dhe e Kishës, të kontrollohet që drejtësia të jetë institucionale, të forcohet ndjenja e bashkësisë. Sepse "pa bashkëpunimin e një sektori të pushtetit politik, gjyqësor, ekonomik, financiar dhe policor nuk do të mund të arrihej në situatën ku ndodhet qyteti i Rosarios". Kështu pohon Papa në videomesazhin e sotëm, 26 mars, për qytetarët dhe institucionet e Rosarios, qytetit të tretë të Argjentinës, i cili po përballon një krizë serioze politike dhe shoqërore. Javët e fundit janë intensifikuar episodet e dhunës dhe vrasjet nga ana e trafikantëve të drogës, të cilët prej vitesh veprojnë në metropolin buzë lumit të madh Parana.

Masave të autoriteteve, të cilat kanë ashpërsuar kushtet e paraburgimit dhe kontrollin shtëpi më shtëpi për krerët, bandat e narkosve u janë përgjigjur duke qëlluar mbi civilë të rastësishëm në rrugë, siç ndodhi me dy taksistë dhe një shofer autobusi, vrarë në detyrë. Përveç kësaj, të shtëna kundër institucioneve, burgjeve dhe komisariateve. Një egërsi, që ka paralizuar qytetin, ku shkollat ​​dhe universitetet janë mbyllur, në rrugë nuk shihet asnjë automjet, sistemi i grumbullimit të plehrave ka ndërprerë shërbimin e madje, edhe spitalet e kanë ngadalësuar veprimtarinë. Qeveria ka dërguar forcat federale dhe ka krijuar një Komitet për Krizën.

Rosario
Rosario

Rivlerësoni politikën, punoni kundër drogës

Në këtë kuadër, Papa Françesku dërgon një videomesazh prej 7 minutash, duke e filluar me fjalët e Ungjillit: “Lum paqebërësit”, por për të arritur paqen shoqërore, kërkon menjëherë bashkëpunimin e institucioneve.

“Duhet përforcuar bashkësia. Çdo popull ka në vetvete mjetet për të kapërcyer gjithçka ia kërcënon integritetin, jetën e fëmijëve më të brishtë”.

“Asnjë person vullnetmirë nuk mund të përjashtohet nga detyra e madhe për t’u siguruar që Rosario të jetë vend ku të gjithë të ndihen vëllezër”, nënvizon Ati i Shenjtë. Më pas, përcakton rrugët për të ecur përpara: “Rivlerësimi i politikës”, “thirrje tejet e lartë”, një nga “format më të çmuara të bamirësisë”. Sipas Papës, duhet analizuar oferta dhe kërkesa për drogë për të menduar politika parandalimi dhe asistence për viktimat.

“Heshtja e shtetit në këtë fushë bën që nxitja e konsumit të drogës dhe tregtia e saj të konsiderohet e natyrshme”.

Impenjimi për drejtësinë

Në këtë situatë, shton më pas Françesku, "është e nevojshme që sistemi demokratik të mbikqyrë institucionalitetin e drejtësisë, që ajo të jetë e pavarur, të hetojë rrjetet e korrupsionit dhe të pastrimit të parave, që favorizojnë trafikun e drogës... Çdo anëtar i gjyqësorit është përgjegjës për ruajtjen e integritetit të tij, i cili fillon nga zemra e drejtë". Papa falënderon të gjithë ata që, duke u impenjuar për drejtësinë, vënë në rrezik edhe jetën.

Dhunë në Rosario
Dhunë në Rosario

Thirrja për sipërmarrësit

Papa Françesku u drejtohet edhe sipërmarrësve, duke u kërkuar të mos bëhen bashkëfajtorë me organizatat mafioze. U jep si pikë referimi Enrique Shaw, afarist argjentinas, që inkurajoi zhvillimin ekonomik sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës dhe themeloi Shoqatën e Krishterë të Drejtuesve të Ndërmarrjes. Për të ka filluar tashmë çështja e lumnimit, në vitin 2001.

“Askush nuk shpëton i vetëm... Paqja është sipërmarrje, që kërkon krijimtarinë dhe përkushtimin e të gjithë atyre, të cilët e kanë dhuntinë e sipërmarrjes dhe të inovacionit dhe ju dini si ta bëni këtë”.

Kisha në veprim

Sistemi mafioz, denoncon më tej Papa, i shtrydh të varfërit e pastaj i hedh. Për t’i mbrojtur ata, nevojiten edhe sistemet e ndërmjetme e jo vetëm shteti. Ati i Shenjtë kërkon të fuqizohet bashkësia, pa u fshehur nga frika, por duke u impenjuar për të gjetur një përgjigje paqësore për zgjidhjen e problemeve. Këtu mund të luajë një rol të rëndësishëm edhe Kisha, “Nënë e samaritane”, duke shoqëruar familjarët, që kanë humbur dikë për shkak të drogës, ata që jetojnë në varësinë e saj, ndodhen në burg e kanë nevojë për ndihmë.

“Famullia është Kishë që bëhet e afërt, është bashkësi ku të gjithë duhet të ndihen të dashur. Për shumë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të pambrojtur, ndoshta është e vetmja përvojë familjare, që mund të njohin. Në këto kohë, dashuria, bamirësia, do të jenë shpallja më e qartë e Ungjillit për një shoqëri, që ndihet e kërcënuar”, përfundon videomesazhi i Papës për qytetin argjentinas të Rosarios.

26 mars 2024, 13:04