Mesha e Pashkëve në Shën Pjetër, kryesuar nga Papa Françesku.
R. SH. - Vatikan
Flladi i një pranvere që ringjall tokën dhe Aleluja e përsëritur pandërprerë nga Schola Cantorum, ndërsa diakonët hapin kapakët e figurës së Krishtit Shëlbues, mbret, meshtar e profet, ulur në fron. Kjo, atmosfera e meshës së sotme! Papa Françesku kryeson, i rrethuar nga mbi 350 bashkëkremtues (34 kardinaj, 18 ipeshkvij dhe 300 priftërinj), Meshën e Pashkëve në tremen e Bazilikës së Vatikanit, zbukuruar me mijëra lule shumëngjyrëshe, dhuruar nga luleshitësit holandezë, në bashkëpunimin me punëtorët e Shërbimit të Kopshteve vatikanase e të Mjedisit. Liturgjinë, e cila filloi me ritin e Ringjalljes, e ndoqnën mbi 30 mijë besimtarë romakë dhe shtegtarë nga e gjithë bota, të cilët mbushën sheshin që në orët e para të mëngjesit.
Rilindje në dritën e jetës
"Të rilindesh në dritën e jetës, përtërirë nga Shpirti yt": kjo, lutja e Papës në latinisht pas Gloria-s. Jehojnë ende fjalët e predikimit të meshës gjatë natës. Më pas rinisin përmes një tweeti, në faqen e tij të internetit @Pontifex: "T’i ngulim sytë tanë te Jezusi. Nëse e lëmë Jezusin të na marrë përdore, asnjë përvojë dështimi dhe dhimbjeje, sado që të na lëndojë, nuk do të mund ta ketë fjalën e fundit për kuptimin dhe fatin e jetës sonë".
Liturgjia e Fjalës na kthen në përvojën e treguar në Veprat e Apostujve, në Kapitullin 10 (ne hëngrëm dhe pimë me të pas ringjalljes nga të vdekurit); shpërthen me brohoritjen e Psalmit 117 (Kjo është dita që bëri Zoti: le të gëzohemi dhe të galdojmë); dhe përsëri nxit, përmes ftesës së Shën Palit drejtuar Kolosianëve, të kërkohen "gjërat që janë lart, atje ku është Krishti". Ungjilli i Gjonit, i shpallur fillimisht në latinisht dhe më pas në greqisht, është ajo histori e mrekullueshme e Marisë Magdalenë, që shkon te varri nga i cili ishte flakur guri, i vrapit të apostujve dhe atij qefini "të palosur mënjanë" në varrin bosh!
Thirrje për paqen
Turma, që mbush përplot gjithë Sheshin e Shën Pjetrit dhe Udhën e Pajtimit me kantieret për jubileun në fund, hesht, sipas traditës, e zhytur në reflektim personal. Nga rreshti i parë, si zakonisht, e ndjekin besimtarët në karrige me rrota, të rrethuar nga murgeshat. Thuhet Besojma në latinisht dhe më pas zërat e shqiptojnë lutjen universale në arabisht, spanjisht, tamilisht, portugalisht, kinezisht.
Kremtimin e Meshës e vijon kardinali Giovanni Battista Re, në gjuhën latine. “Krishti, Pashka jonë, u flijua, ta kremtojmë, pra, festën, aleluja, aleluja”.
Triditshi i Pashkëve përfundon me vetëdijen se vdekja nuk e ka fjalën e fundit. E të duket sikur ky shesh shndërrohet me të vërtetë në tabernakull i gjallë, te këmbët e Jezusit të ringjallur.
Mesha kryhet, ndërsa Papa bën një lëvizje të ngadalshme me papamobil rreth sheshit e edhe përgjatë Udhës së Pajtimit, për të përshëndetur dhe për bekuar shtegtarët dhe turistët, të cilët e shoqërojnë kalimin e tij me duartrokitje të stuhishme.
Po, sot kremtojmë Pashkët e Ngjalljes, ripohojmë gëzimin e jetës, por pa i harruar plagët e saj, në pritje për ditë më të mira!