Kapelani i Rebibbias: prania e Papës na dha zemër
R. SH. - Vatikan
Ishin 12, nga një grumbull të burgosurash, që në këtë periudhë arrin në rreth 370, gratë e burgut Rebibbia të cilat, sot pasdite morën pjesë në ritin e Larjes së këmbëve, drejtuar nga Papa Françesku i cili kremtoi Meshën in Coena Domini sot, e Enjtja e Madhe në strukturën, në të cilën morën pjesë shumica e të burgosurave.
“Ishte një çast tejet i bukur e prekës, ai që u jetua sot pasdite. Çast i pritur me padurim prej kohe, sepse ishin të pranishmit e kësaj Meshe të jashtëzakonshme që ftuan Atin e Shenjtë - kujtoi në Vatican News kapelani, Don Andrea Carosella - Për të burgosurat - vijoi - vizita e Papës ishte shenjë e vëmendjes së madhe ndaj realitetit të burgut e edhe inkurajim i madh”. E natyrshme: të jesh në burg e të vijë të të viziojë një Papë!
Ta ndjekim ngjarjen në intervistën me Don Andrea Carosella-s:
Larja e këmbëve, gjest simbolik i ndihmës së anasjelltë
Françesku ua ka shpjeguar shpesh të burgosurve, të cilët i ka vizituar në të Enjtet e Mëdha gjatë viteve të Papnisë së tij, se gjesti i Jezusit për larjen e këmbëve të apostujve ka kuptimin e ndihmës reciproke: "Është shenjë e mëshirës dhe e dashurisë së Zotit, që është gjithnjë pranë vuajtjeve dhe dhimbjeve të njerëzimit” - kujton Don Andrea, sipas të cilit solidariteti ekziston edhe ndërmjet të mbyllurve në burg: “Ka shumë ngjarje të tilla, por ka edhe tensione, të pashmangshme në një vend ku duhet ndarë gjithçka, duke nisur nga hapësira. E ka edhe shumë vetmi, ndaj përpjekja për të jetuar së bashku është e madhe”.
Një burg përplot me histori
Kapelani është një nga figurat më të afërta për të burgosurat e Rebibbia Femërore nuk bën përjashtim: "Këtu ka gra me histori shumë të ndryshme varfërie, vështirësish, hallesh - kujton ai - por të gjitha vuajnë sidomos nga ndarja prej të dashurve të tyre; disa madje nuk kanë më asnjë lidhje me familjarët, kështu që jashtë burgut janë pa asnjë pikëmbështetjeje. Të tjera, akoma, janë nëna, madje edhe fëmijësh shumë të vegjël dhe ndarja me ta është dhimbje e madhe. Mendoj se në burg rifitohet vetëdija e marrëdhënieve me fëmijët, e edhe kuptimi i këtyre marrëdhënieve. Takimi dhe dialogu në këtë pikë bëhen themelore”.
Kreshmët për të burgosurat dhe përgatitja e Pashkëve
Banoret e Rebibbia-s bënë një shtegtim të jashtëzakonshëm kreshmësh, në pritje të takimit të vizitës së Papës dhe të Pashkëve të Ngjalljes: "I jetuam Kreshmët, duke vënë në qendër Jezusin, që vjen të japë jetën e tij për çdo njeri dhe të shpallë mëshirën e Zotit, që hyn kudo - vazhdoi kapelani - E bëmë këtë, për të dëshmuar se Zoti është ati i të gjithëve. Edhe i atyre që i luten pas hekurave!”. Një mesazh i përshtatshëm edhe për të burgosurat e huaja, që i përkasin feve të tjera: "Është mesazh i zakonshëm - përfundon Don Andrea - po aq e zakonshme është nevoja për ta ndjerë dashurinë e Zotit, ashtu si jemi, përtej dobësive dhe gabimeve personale". Sepse njeriu nuk është krimi që kreu! E Zoti e di mirë këtë”.