Kërko

Françesku: jo të krishterë sakrestie a salloni, por mbartës të shërimit të Zotit

Jezusi na tregon një Atë plot dashuri, që na bëhet i afërt, vjen në shtëpitë tona, dëshiron të na shëlbojë, të na çlirojë, të na shërojë nga çdo sëmudje e korpit dhe e shpirtit. Këtë shpjegoi Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit. Duhet ta braktisim Zotin, që mendojmë se e njohim e të kthehemi çdo ditë tek Ati i Dashurisë e i mëshirës, që na e paraqet Krishti në Ungjill.

R.SH. /Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot në mesditë lutjen e Engjëllit të Zotit, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, dhe komentoi pjesën e Ungjillit të liturgjisë të së kësaj së diele të V gjatë vitit nga shën Marku, që e paraqet Jezusin të impenjuar në misionin për shërimin e të sëmurëve.

Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur  nga gjithçka që ia merr frymën lirisë: nga varësitë, modat sunduese, frika, idhujtaria e pushtetit, që krijon  konflikte dhe përdor armët vrastare a padrejtësinë ekonomike dhe manipulimin e mendimit".  I ftoi, më pas, të gjithë t'i luten Shpirtit Shenjt që "në vend të dhunës dhe thirrjeve të urrejtjes, të ketë liri e paqe".

Jezusi në lëvizje - kështu e përshkroi Papa Jezsuin gjatë lutjes së sotme mariane të Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonisht nga dritarja e pallatit apostolik, i përshëndetur stuhishëm nga një turmë e besimtarëve të ardhur prej të katër anëve të botës, në një ditë të kaltërt dimri, që të kujtonte trokitjen e pranverës! Për të vijuar me komentin e fragmentit ungjillor, që këtë të diel na e tregon Jezusin në lëvizje. Sapo ka kryer predikimin e, pasi ka dalë nga sinagoga e Kafarnaumit, Jezsu shkon në shtëpinë e Simon Pjetrit, ku e shëron të vjehrrën nga ethet; pastaj, në mbrëmje, del përsëri drejt portës së qytetit, ku takon shumë të sëmurë dhe të pushtuar nga djalli, e i shëron; të nesërmen në mëngjes, zgjohet herët dhe tërhiqet për t'u lutur e, më në fund ai niset përsëri përmes Galilesë (shih Mc 1,29-39).

Të përqendrohemi në lëvizjen e vazhdueshme të Jezusit

Le të përqendrohemi, pra, në këtë lëvizje të vazhdueshme të Jezusit, i cili na tregon diçka të rëndësishme për Zotin dhe, në të njëjtën kohë, na bën disa pyetje për fenë tonë – këtë ftesë i bëri turmës që e ndiqte Papa i cili, në vijim, kujtoi vlerat e papërshkrueshme që ka fjala e Zotit.

Jezusi na tregon gjithnjë fytyrën e Atit

 “Jezusi, që shkon të takojë njerëzimin e plagosur, na tregon fytyrën e Atit. Mund të ndodhë që brenda nesh ekziston ende ideja e një Zoti që është i largët, i ftohtë, indiferent ndaj fatit tonë”.

Po pjesa e Ungjillit na tregon se Jezusi, pasi mëson në sinagogë, del, në mënyrë që Fjala të cilën e predikoi t’i arrijë, t’i prekë dhe t’i shërojë njerëzit. Duke vepruar kështu, ai na zbulon se Hyji nuk është padron i shkëputur, që na flet nga lart.

Këtë nënvizoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Zotit, duke na siguruar se ai është Atë plot dashuri, që afrohet, që viziton shtëpitë tona, që dëshiron të shpëtojë, të çlirojë e të shërojë nga çdo sëmundje e trupit dhe e shpirtit.

Lutja, forcë që na sfidon

Pas kësaj dite në lëvizje - kujtoi Papa Françesku - Jezusi tërhiqet në lutje, për të sjellë gjithçka dhe këdo në zemrën e Atit - për të vijuar si zakonisht, me një breshëri pyetjesh, që të nxitin të meditosh për Zotin e për vlerën e lutjes që i drejtohet:

Lutja i jep forcë të kthehet përsëri te vëllezërit e tij. Kjo ecje e pandërprerë e Jezusit na sfidon. Mund të pyesim veten: a e kemi zbuluar fytyrën e Hyjit si Atin e mëshirës apo besojmë dhe shpallim një Zot të ftohtë dhe të largët?”.

E, më pas, a na shqetëson besimi për udhëtimin apo është ngushëllim intim që na lë të qetë? A lutemi vetëm që të ndihemi në paqe, apo Fjala që dëgjojmë dhe predikojmë na bën edhe ne, si Jezusin, të dalim e t’i takojmë të tjerët, për të përhapur ngushëllimin e Zotit?

Le të shohim, pra, shtegun ku ecën Jezusi dhe të kujtojmë se puna jonë e parë shpirtërore është kjo: braktisja e Zotit, që mendojmë se e njohim dhe kthimi çdo ditë te Zoti, që Jezusi na e paraqet në Ungjill, Ati i dashurisë dhe i mëshirës.

Fytyra e Atit na bën mbartës të shpresës

Dhe kur zbulojmë fytyrën e vërtetë të Atit, feja jonë fiton pjekurinë:  nuk mbetemi më "të krishterë sakristie", apo "të krishterë të dhomës së ndenjes", por ndihemi të thirrur për t'u bërë bartës të shpresës dhe të shërimit të Zotit.

Në përfundim, si zakonisht, thirrja drejtuar Zojës së Bekuar që të na ndihmojë të ecim pa u lëkundur në këtë rrugë, më e vështira, por edhe më e bukura për zemrën njerëzore:

E Shenjtnueshmja Mari, Grua gjithnjë për udhë, na ndihmo të dalim nga vetja, për ta shpallur e për ta dëshmuar Zotin”.

04 shkurt 2024, 12:34

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >