Kërko

Papa: trashëgimia e Don Milanit, të mos përjashtosh askënd

Mirënjohës për angazhimin e kujtimit kapilar të njëqindvjetorit të lindjes së Don Lorenzo Milanit nga ana e Komiteti Kombëtar Italian, në mënyrë që dëshmia e këtij prifti të arrijë tek të gjithë, Papa Françesku kujton besnikërinë e tij ndaj Zotit e ndaj Kishës dhe i fton të gjithë të mos jetë indiferentë - ​siç dinte të bënte Ai – duke kapërcyer çdo formë diskriminimi dhe padrejtësie

R.SH. / Vatikan

Pendesa ishte, e është,  zemra e përvojës njerëzore dhe shpirtërore të don Milanit, meshtarit të mirënjohur italian. Sepse Meshtari shenjt, krijuesi i shkollës Barbiana, përkonte plotësisht me Krishtin, tek i cili gjeti përsosjen e tij të plotë. Këto, fjalët e para, që i përsëriti sot Papa, i cili priti në audiencë njëqind anëtarë të Komitetit, kryesuar nga Rosy Bindi. Duke ua drejtuar fjalën, Papa Françesku kujtoi stilin e këtij prifti italian, që pati ndikim jo të pakët mbi historinë e Kishës dhe mbi shoqërinë e shekullit të kaluar si “prift i dashuruar me Kishën e shërbëtor besnik i Ungjillit në të varfërit”. E, duke cituar don Bensin, kur shkoi ta vizitonte në kohën e sëmundjes, kujtoi fjalët e tij me atë rast, duke e parë pranë djemve të tij: "Ai ishte një prej tyre, as më i ndryshëm, as më i mirë [... ]:

“Don Lorenci i jetoi me fund Lumturitë ungjillore të varfërisë e të  përvujtërisë, duke i lënë pas privilegjet e tij borgjeze, pasurinë e tij, rehatinë e tij, kulturën e tij elitare, për t’u bërë i varfër ndërmjet të varfërve. E kurrë nuk u ndje i poshtëruar nga kjo zgjedhje, sepse e dinte që ky ishte misioni i tij, Barbiana ishte vendi i tij”.

Don Milani dhe Lumturitë Ungjillore

“[...] Çdo shpirt është një univers dinjiteti të pafund” - shkruante don Lorenzo Milani në “Përvoja baritore”, kujton ende Papa Françesku.

“Lum  të uriturit dhe eturit për drejtësi” (Mt 5:6). Këtë lumturi e provoi edhe don Milani me njerëzit dhe nxënësit e tij. Shkolla ishte mjedisi në të cilin punohej për një qëllim të madh, qëllim që shkonte përtej rivendosjes së dinjitetit, respektimit, mbrojtjes së të drejtave dhe qytetarisë por, mbi të gjitha, bindjes se jemi bij të Zotit, të gjithë”.

Mendje e ndritur e zemër e hapur për të fundmit

Epokën e shndërrimeve shoqërore dhe ekonomike në Itali, në të cilën industrializimi synonte ta  nënshtronte  më tej fshatarësinë, don Milani qe interpretues i mprehtë i këtij ndryshimi historik dhe pasojave të tij. Modeli i tij i edukimit ishte konceptuar në mënyrë që të varfërit të mos mbeteshin më prapa. Modeli i tij ishte: “Të vësh dijen në shërbim të atyre, që janë të fundmit për të tjerët - e të parët për Ungjillin dhe për atë vetë”- kujtoi Papa. Kështu jetoi prifti nga Barbiana, Itali, të cilin e udhëhiqnin “Mençuria dhe dashuria”:

“Me mendje të ndritur dhe zemër të hapur, Don Lorenci e kuptoi se edhe shkolla publike, në ato rrethana, ishte poshtëruese për fëmijët e tij, sepse i fyente dhe i përjashtonte të pafavorizuarit. E padrejtësia i largonte të varfërit nga Fjala, nga Ungjilli, i largonte fshatarët dhe punëtorët nga feja e nga Kisha”.

Modeli i Barbianës: afrimi me të përjashtuarit, me gjithë zemër

Trashëgimia e lënë nga don Milani është kërkuese - kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio - i cili vijoi ta kujtojë si "prift të shqetësuar dhe shqetësues, besnik ndaj Zotit dhe Kishës së tij".

E, duke e ftuar Komitetin të vazhdojë punën për ta bërë të njohur këtë trashëgimi, Papa saktësoi kuptimin e asaj, që hyri në histori si një nga sloganet më të njohura të meshtarit italian don Milani:

“Motoja ‘I Care’ nuk është një "më intereson", e papërcaktuar, por një "më interesoni ju" e përzemërt, një deklaratë e qartë dashurie për bashkësinë e tij të vogël; e, njëkohësisht, është mesazhi që u dha nxënësve të tij dhe që u bë mësim universal. Ai vijon të na ftojë të mos jemi indiferentë, ta interpretojmë realitetin, të identifikojmë të varfërit e rinj dhe varfërinë e re, të afrohemi me të gjithë të përjashtuarit dhe t'i kemi në zemër. Çdo i krishterë duhet të bëjë pjesën e vet në këtë drejtim”.

22 janar 2024, 11:59