Kërko

Pallati Apostolik në Vatikan Pallati Apostolik në Vatikan

Papa ndryshon normat për tenderat dhe për shpenzimet e dikastereve

Vendimet e Françeskut përmbahen në dy Motu proprio të publikuara sot. Fiksohet një kufi për shpenzimet, përtej të cilit strukturat e Vatikanit duhet të kërkojnë miratimin e Sektretarisë për Ekonominë

R.SH. – Vatikan

Dy masa për të përcaktuar më mirë administrimin e shpenzimeve të çdo dikasteri të Vatikanit dhe për të përmirësuar transparencën në sektorin e tenderave. Këto, fushat që preku sot Papa, përmes dy Motu proprio, publikimi i të cilave u njoftua nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.  

Në rastin e parë, bëhet fjalë për "kufijtë dhe metodat" e administrimit të zakonshëm të dikastereve vatikanase. Në tre nene, në vazhdën e rinovimit filluar me kushtetutën “Praedicate Evangelium”, thuhet, në thelb, se një organizëm i Vatikanit duhet të kërkojë miratimin e prefektit të Sekretarisë për Ekonominë kur shpenzimet e kapërcejnë masën 2% të kostove të përgjithshme të vetë entit, me shifrën e nxjerrë mbi bazën e mesatares së bilanceve përfundimtare të tre viteve të fundit. “Gjithsesi – shpjegohet më pas – nuk kërkohet miratimi për aktet me vlerë më pak se 150 mijë euro”. Një pikë tjetër e dokumentit përcakton kufirin e marrjes së miratimit në 30 ditë, përtej të cilit, edhe mospërgjigja është e barabartë me pranimin e kërkesës. Nënvizohet se procedura “duhet të përfundojë jo më vonë se në dyzet ditë”.

Legjislacioni i prokurimit

Me letrën e dytë në formën e Motu proprio-s, Papa ndërhyn për të saktësuar më tej legjislacionin, që rregullon kodin e prokurimit të Vatikanit, shpallur në vitin 2020. Qëllimi është “nxitja e transparencës, kontrollit dhe konkurrencës në procedurat e dhënies së kontratave publike", duke pasur parasysh "opinionet e shprehura nga Institucionet e lidhura me Selinë e Shenjtë” e nga Guverantorati i Vatikanit, por edhe përvojën e fituar vitet e fundit.

Neni i parë i paragrafit 2 ripërcakton qëllimet e legjislacionit, në përputhje “me parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës, të ligjeve kanonike të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Vatikanit, si edhe me Letrën Enciklike ‘Laudato si'’”. Janë gjithsej katër pika, që kanë të bëjnë me "përdorimin e qëndrueshëm të fondeve të brendshme", me "transparencën e procedurës së prokurimit", me "trajtimin e barabartë dhe mosdiskriminimin e atyre, që paraqesin ofertat" dhe me "promovimin e konkurrencës efektive ndërmjet tenderuesve, veçanërisht përmes masave që luftojnë marrëveshjet e paligjshme përsa i përket konkurrencës dhe korrupsionit”.

16 janar 2024, 14:09