Kërko

Papa Francesco në  Bazilikën e Shën Pjetrit kremton Meshën e Bagmit, në Javën e Madhe  2018 Papa Francesco në Bazilikën e Shën Pjetrit kremton Meshën e Bagmit, në Javën e Madhe 2018 

Papa seminaristëve francezë: ungjillëzoni si priftërinj "me erën e deleve"

Në një mesazh nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin, me rastin e një takimi kombëtar në Paris, Françesku nënvizon se stili baritor i "afërsisë, dhembshurisë, përulësisë, bujarisë, durimit" është bërë nevojë "për të shmangur prirjen e mosbesimit, në një shoqëri ku për shumëkënd figura e priftit humbet çdo “autoritet natyror”, “madje edhe njolloset”. Ripohohet vlera e çelibatit, "sepse Jezusi ishte beqar".

R. SH. - Vatikan

E vetmja mënyrë për ta çuar përpara ungjillizimin e ri sot, kur edhe në Francë figura meshtarake ka humbur për shumë njerëz "gjithë autoritetin natyror" e "madje është njollosur" është "stili baritor i afërsisë, i dhembshurisë, përvujtërisë, bujarisë, durimit, ëmbëlsisë, dhurimit të plotë të vetevtes për të tjerët, thjeshtësia dhe varfëria”. Me pak fjalë, "era e deles". Priftërinj të shenjtë të panumërt "e adoptuan në të kaluarën këtë stil, që sot është bërë domosdoshmëri, nëse dëshiron të të  besojnë apo të të dëgjojnë". Këtë thekson Papa Françesku në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, dërguar seminaristëve francezë, që po takohen këto ditë në Paris.

Duaje Jezusin dhe do të kapërcesh çdo krizë

Për të jetuar këtë "përsosmëri meshtarake" kërkuese dhe për t'u përballur me sfidat e tundimet që do të hasni në rrugën tuaj - nënvizon Papa – “ka vetëm një zgjidhje: krijimi i marrëdhënies personale të fortë, të gjallë, të vërtetë me Jezusin". Duajeni Jezusin më shumë se çdo gjë tjetër - i këshillon Papa seminaristët, "ju mjafton dashuria e tij që të dilni fitimtarë nga të gjitha krizat, nga të gjitha vështirësitë". Në mesazhin e tij, Papa "falënderon Zotin për thirrjen unike" që u drejtoi seminaristëve të rinj francezë, si dhe "për përgjigjen e guximshme që dëshirojnë t'i japin kësaj thirrjeje". Është një arsye për falënderim, shpresë dhe gëzim - vazhdon - "kur vëmë re se shumë të rinj - dhe jo aq të rinj - guxojnë ende, me bujarinë dhe forcën e fesë, pavarësisht nga kohët e vështira që po kalojnë kishat tona dhe shoqëritë tona perëndimore, të angazhohen për të ndjekur Zotin, për t’i shërbyer Atij dhe, për Të, vëllezërve dhe motrave të tyre.

Çelibati, në qendër të identitetit tuaj, i lidhur me Jezusin

Ju, këmbëngul Papa, "i jepni gëzim dhe shpresë Kishës në Francë, që ju pret dhe ka nevojë për ju". Sepse jeni ashtu si duhet të jetë prifti, pjestarë "në autoritetin me të cilin Krishti vetë rritet, shenjtëron dhe drejton trupin e tij". Jini të ngjashëm me Krishtin i cili, kur kremton meshën, duke u flijuar, "ofrohet në bashkim me Atin në altar dhe vendos aty ofertën e të gjithë popullit të Perëndisë dhe të çdo besimtari". Në qendër të identitetit tuaj, të ngjashëm me atë të Jezusit - shkruan Françesku - është beqaria. Prifti është beqar - dhe dëshiron të jetë kështu - thjesht sepse kështu ishte edhe Jezusi. “Nevoja për beqarí nuk është para së gjithash teologjike, por mistike”.

 Metodat e shërbesës duhet të kenë parasysh shoqërinë

Mesazhi, i nënshkruar nga Kard. Parolin, na kujton se sot “në disa qarqe figura e meshtarit shpesh deformohet, relativizohet, ndonjëherë konsiderohet edhe e nënshtruar”. Por "ju mos u trembni" - shton  -  sepse askush nuk do ta ndryshojë kurrë natyrën e meshtarisë, "edhe nëse metodat e ushtrimit të saj duhet të kenë parasysh domosdoshmërisht evolucionin e shoqërisë aktuale dhe situatën e krizës së rëndë profesionale, që po përjetojmë”. Ndaj Papa nënvizon se për shkak të këtyre zhvillimeve, as në Francë, kisha dhe figura e priftit nuk njihen më. Prifti “ka humbur çdo prestigj në sytë e shumicës së njerëzve” madje është njollosur. Prandaj, "për të gjetur një vesh dëgjues midis njerëzve që takojmë" dhe për të vazhduar "ungjillizimin e ri të kërkuar nga Papa Françesku, në mënyrë që të gjithë të kenë një takim personal me Krishtin", e vetmja mënyrë është të adoptojmë  stilin baritor të afërsisë, të dhembshurisë, përulësisë, bujarisë, thjeshtësisë dhe varfërisë. Një prift, pra, që e njeh "erën e deleve" dhe që ecën me to, me ritmin e tyre, nuk mund “të mos prekë zemrat e besimtarëve të tij, të fitojë besimin e tyre dhe t'i bëjë ta takojnë Krishtin".

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, mësuese e jetës shpirtërore

Për këtë arsye, ta duash "Jezusin më shumë se çdo gjë tjetër - i këshillon ipeshkvi i Romës seminaristët - do t'ju bëjë të dilni "fitues nga të gjitha krizat". Mbasi po të më mjaftojë Jezusi, "nuk kam nevojë për ngushëllime të mëdha në shërbim, as për suksese të mëdha baritore, as për t'u dëgjuar në qendër të rrjeteve të gjera marrëdhëniesh". Madje as “për dashuri të çrregullta, as për famë, as përgjegjësi të mëdha, as karrierë”, as dallim si më i mirë nga të tjerët. Nëse, përkundrazi, “i nënshtrohem njërit prej këtyre tundimeve apo ligështive, kjo ndodh sepse Jezusi nuk më mjafton dhe unë dështoj në dashuri”.

Të dashur seminaristë - përfundon Papa Françesku - "të keni gjithnjë si shqetësim të parë t'i përgjigjeni" thirrjes së Jezusit për bashkim dhe "ta forconi bashkimin tuaj me Atë, që dëshiron t'ju bëjë miq", që është besnik "dhe do t'ju bëjë të lumtur". Këtë theksoi në përfundim Papa, duke i këshilluar të rinjtë të zgjedhin si mësuese të jetës shpirtërore, Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, në këtë 150-vjetor të lindjes së saj. Ajo, që "frymon gjithnjë emrin e Jezusit, dashurisë e saj të vetme", do t'ju prijë "në rrugën e besimit që do t'ju mbështesë çdo ditë dhe do t'ju ndihmojë të rrini gjithnjë në këmbë nën vështrimin e Zotit, edhe kur t’ju thërrasë pranë vetes".

Papa u dërgoi të rinjve bekimin e tij, duke i lëshuar të gjithë anëtarët e bashkësive  të seminareve në krahët e ‘Zojës së Ngjitur në Qiell”, Pajtore e Francës”.

01 dhjetor 2023, 15:45