Kërko

Kodi i së Drejtës Kanonike Kodi i së Drejtës Kanonike

Françesku: e drejta kanonike të zbatohet gjithnjë me mëshirë

Në një mesazh drejtuar shoqatës “Consociatio Internationalis Studio Iuris Canonici Promovendo”, e cila kremton 50-vjetorin e themelimit, Papa nxit të mbahet parasysh se "suprema lex", të cilit duhet t'i referohet çdo ligj kishtar, është gjithmonë shpëtimi i shpirtrave: "E vetmja gjë, që i duhet botës, është Ungjilli i mëshirës së Jezusit. Kështu ungjillizon Kisha, edhe përmes zbatimit të normave kanonike"

R.SH. – Vatikan

"Bëhuni të vetëdijshëm se jeni mjete të drejtësisë së Zotit, e cila është gjithmonë pazgjidhshmërisht e bashkuar me mëshirën". Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin dërguar profesoreshës Chiara Minelli, presidente e 'Consociatio Internationalis Studio Iuris Canonici Promovendo' (Shoqata Ndërkombëtare për Promovimin e Studimit të së Drejtës Kanonike), me rastin e 50-vjetorit të themelimit.

“Fakti që kemi të bëjmë me ligjin e Kishës-Popull i Zotit, i thirrur për shenjtëri, kërkon që ju, studiues të apasionuar, ta keni gjithmonë parasysh që ‘suprema lex’(ligji i epërm), në dritën e të cilit duhet formuluar, interpretuar dhe zbatuar çdo ligj kishtar, është ‘salus animarum’(shpëtimi i shpirtrave), që po vihet në jetë që tani, por që do ta arrijë plotësinë në fundin e kohërave”, shpjegon Papa.

Arti i shqyrtimit: interpretimi i vullnetit të Krishtit për Kishën

"Populli i Zotit - vazhdon ai - jeton në histori, prandaj format e tij të jetës dhe të organizimit nuk mund të mos ndryshojnë. Edhe këtu, arti juaj i shqyrtimit do të jetë ai i interpretimit të vullnetit të Krishtit për Kishën, i cili duhet të mbetet i tillë në kohë, në forma që favorizojnë përmbushjen e misionit të marrë nga Themeluesi i Kishës: kumtimin e Ungjillit të shëlbimit për të gjithë njerëzit”. Sipas Papës, "të gjitha përmasat dhe strukturat kishtare duhet të bëjnë një kthesë baritore dhe misionare, për t'i çuar botës të vetmen gjë që i duhet: Ungjillin e mëshirës së Jezusit".

E Drejta Kanonike, takim me fytyrën e mëshirshme të Atit Qiellor

Për rrjedhojë, “edhe e Drejta Kanonike e ka këtë mandat, që Mësuesi ia dha Kishës së tij, prandaj, është e nevojshme që ajo të jetë më baritore dhe më misionare”. Kështu që, përfundon Françesku, "edhe kur duhet të zbatohet ndonjë sanksion i rreptë kundër kujtdo, që ka kryer ndonjë krim shumë të rëndë, Kisha, e cila është nënë, duhet t’i japë atij ndihmën dhe mbështetjen e domosdoshme shpirtërore, që, në pendesë, të takojë fytyrën e mëshirshme të Atit Qiellor". Në këtë mënyrë ungjillizon "Kisha misionare, edhe përmes zbatimit të normave kanonike”.

01 dhjetor 2023, 09:45