Kërko

Papa kërkon lutje për paqen ndërmjet izraelitëve e palestinezëve: dy popuj vëllezër

Françesku i kërkon Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës që të organizojë një fushatë të veçantë lutjesh për paqen në botë dhe në Tokën Shenjte. “Të lutemi që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut dhe negociatave dhe jo me një mal të vdekurish nga të dyja palët”

R.SH. – Vatikan

         “Të lutemi për paqen në Tokën Shenjte. Të lutemi që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut dhe negociatave dhe jo me një mal të vdekurish nga të dyja palët”. Kjo është thirrja e re e fuqishme e Papës Françesku drejtuar sot gjithë besimtarëve të botës. Ati i Shenjtë shfrytëzon Rrjetin Botëror të Lutjeve, përmes të cilit, zakonisht, paraqet ndjetin e tij mujor, për t’u kërkuar të gjithëve t’i kthejnë sytë nga të gjitha vendet e përfshira në konflikte të përgjakshme, duke iu përgjëruar Hyjit të Gjithëpushtetshëm që të heshtin armët e të mbizotërojë dialogu.

         “Të gjithë ne – pohon Ati i Shenjtë në videomesazhin në spanjisht – e ndiejmë dhimbjen e luftërave. E dini se që nga fundi i Luftës II Botërore, kanë shpërthyer konflikte në anë të ndryshme të botës. Kur janë larg, ndoshta nuk i ndiejmë aq fort. Por i kemi dy, shumë afër, që na bëjnë të reagojmë: Ukraina dhe Toka Shenjte.

Ç’po ndodh në Tokën Shenjte është e rëndë. Është shumë e rëndë. Populli palestinez, populli i Izraelit, kanë të drejtë për paqe, kanë të drejtë të jetojnë në paqe: dy popuj vëllezër”.

Për çështjen izraelito-palestineze, kujtojmë se Vatikani ka mbështetur gjithnjë zgjidhjen e dy shteteve të pavarura në fqinjësi të mirë, edhe në këtë periudhë, kur shumë nga analistët botërorë fillojnë ta shohin si të pamundur. Vetë Papa, përsërit pambarimisht se “çdo luftë është disfatë. Asgjë nuk zgjidhet me luftë, por gjithçka fitohet me paqe, me dialog”. Për këtë arsye, Françesku ia beson videomesazhin e sotëm Rrjetit Botëror të Lutjes, të cilit i kërkon të organizojë një fushatë të veçantë lutjesh për paqen në botë. I bindur se asgjë s’është e pamundur për Zotin, Papa Françesku e përfundon videomesazhin me thirrjen: “Të lutemi për paqen në Tokën Shenjte”.

22 nëntor 2023, 16:06