Kërko

Papa priti presidentin irakian Abdul Latif Jamal Rashid Papa priti presidentin irakian Abdul Latif Jamal Rashid

Presidenti irakian në audiencë tek Papa

Françesku priti sot Abdul Latif Jamal Rashid, i cili, më pas, u takua me kardinalin Parolin dhe me imzot Gallagher. Prania e Kishës në Irak, konflikti në Izrael dhe Palestinë, në qendër të bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

R.SH. – Vatikan

         Sot paradite, Papa priti presidentin irakian Abdul Latif Jamal Rashid, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Ky i fundit takoi më vonë kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, lexohet në deklaratën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, u trajtuan tema me interes të përbashkët, “duke vënë në dukje marrëdhëniet e mira dypalëshe”. Në veçanti "u ritheksua nevoja që Kisha Katolike në Irak të vazhdojë ta kryejë misionin e saj të vyer dhe të gjithë të krishterëve irakianë t’u garantohet pjesëmarrja e gjallë dhe aktive në shoqëri e në territor, veçanërisht në Pllajën e Ninives".

Përveç kësaj, shkruhet më tej, "palët u ndalën në disa çështje ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë për konfliktin në Izrael dhe Palestinë, si edhe për impenjimin urgjent në favor të paqes e të stabilitetit". Takimi zgjati 25 minuta.

Papa i dhuroi presidentit irakian një gips bronzi, që përfaqëson një lule që mbin, me mbishkrimin "Paqja është lule e brishtë", Mesazhin e tij të sivjetëm për Paqen dhe disa vëllime me dokumente papnore. Nga ana e tij, Abdul Latif Jamal Rashid bëri i dhuroi Atit të Shenjtë një riprodhim ari të ziguratit të Urit (monument fetar) dhe një veshje papnore të plotë.

18 nëntor 2023, 15:11