Kërko

Papa: të mos paralizohemi nga frika, por të rrezikojmë me besim

Në Engjëllin e Tënzot, pas meshës në Shën Pjetër dhe para se të ulej në tryezë me të varfërit në Sallën Pali VI, Françesku reflektoi mbi shëmbëlltyrën e talenteve dhe u bëri thirrje besimtarëve ta vënë në diskutim jetën pa frikë. “Besimi çliron, frika paralizon. Zoti gëzohet kur sheh bijtë e tij që nuk e kanë frikë, por e duan". E fuqishme, thirrja për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Mianmarin

R.SH. – Vatikan

         Pasi ndau tryezën eukaristike me të varfërit e mbledhur në Shën Pjetër dhe, idealisht, me gjithë nevojtarët e botës, në Ditën Botërore kushtuar atyre, nga dritarja me diell e Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi shëmbëlltyrën e talenteve, nga e cila - nënvizoi ai - shihen dy mënyra për t'iu afruar Zotit: njëra me frikë, që paralizon veprimet dhe misionin tonë dhe na bën skllevër, tjetra me besim, që na bën të jemi të guximshëm, fitimtarë, aktivë dhe krijues.

Imazhi i shtrembëruar i Zotit

Ai që e gropos talentin e marrë, duke e fshehur atë monedhë nën tokë, nuk i beson as zotërisë e as vetes, mendon se Zoti është i largët, natyrisht, duke gabuar:

“Nuk e sheh vlerësimin dhe besimin që i jep i zoti, por sheh vetëm veprimet e një padroni, që pretendon me tepër nga sa jep, të një gjykatësi. Ky është imazhi i tij për Zotin: nuk arrin ta besojë mirësinë e tij. Për këtë arsye, bllokohet dhe nuk përfshihet në misionin që ka marrë”.

Të veprojmë me liri dhe besim

Nga ana tjetër, shërbëtorët e tjerë, të cilëve zotëria u beson mallin e tij, arrijnë të investojnë e, madje, t’i dyfishojnë talentet e marra, duke rrezikuar.

“Ata nuk e dinë që në fillim nëse gjithçka do të shkojë mirë: studiojnë, shohin mundësitë dhe kërkojnë me maturi më të mirën, e pranojnë rrezikun e impenjimit. Kështu, me guxim, veprojnë lirisht, në mënyrë krijuese, duke fituar pasuri të re”.

Frika dhe besimi, ja udhëkryqi para nesh, pohoi Papa Françesku, por zgjedhja e të krishterit është e thjeshtë: t'i besojë Atit, që i do gjithmonë bijtë e tij.

“Ta kujtojmë: frika paralizon, besimi çliron. E kjo vlen edhe për edukimin e fëmijëve. Ta pyesim veten: “A besoj se Zoti është Atë dhe më beson dhurata, sepse ka besim tek unë? A besoj tek Ai deri në atë pikë sa ta vë në diskutim veten pa u shkurajuar, edhe kur rezultatet nuk janë as të sigurta, as të dukshme? A di të them çdo ditë në lutje: ‘Zot, kam besim në Ty, më jep forcën për të ecur përpara: besoj në Ty, në gjërat që më ke dhënë. Më trego si t'i çoj ato përpara...'”

Kisha na ndihmoftë të kultivojmë besimin

Edhe para rezultateve të pasigurta dhe të paparashikueshme, para situatave të vështira në jetë, Papa na nxit të "investojmë" në Krishtin, pa u paralizuar nga pasiguria. Ndër pyetjet e Atit të Shenjtë në fund të katekezës, njëra ishte veçanërisht për Kishën:

“Si Kishë: a kultivojmë një atmosferë besimi dhe vlerësimi në ambientet tona, që na ndihmon të ecim përpara së bashku, që i zhbllokon njerëzit dhe nxit krijimtarinë e dashurisë tek të gjithë? Le të mendojmë për këtë. Na ndihmoftë Virgjëra Mari ta kapërcejmë frikën, të mos kemi frikë kurrë nga Zoti! Respekt po, frikë jo”.

Thirrje për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Mianmarin

Pas lutjes mariane, Papa ngriti zërin edhe një herë për konfliktet e shumta në botë. Në veçanti, u lut për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Mianmarin, duke nënvizuar se "paqja është e mundur, të mos dorëzohemi para luftës". Kujtoi edhe viktimat e rrugës, për të përmendur më pas, krahas Ditës së shtatë Botërore të të Varfërve, atë të Peshkimit, që do të kremtohet më 21 nëntor. Së fundi, vlerësoi lumnimin e djeshëm në katedralen e Seviljes të don Manuel González-Serna Rodríguez bashkë me shokët martirë, vrarë nga urrejtja për fenë në vitin 1936, gjatë Luftës Civile Spanjolle.

19 nëntor 2023, 12:35

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >