Kërko

Papa: të lutemi për peshkatarët, “kujdesen për detin”

Në një mesazh në X, Papa kujton Ditën Botërore të Peshkimit, ndërsa në FAO, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Fernando Chica Arellano dhe motër Alessandra Smerilli, sekretare e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kujtojnë qëndrimin vatikanas për punonjësit dhe nevojat e sektorit: portet të jenë vende për shkëmbimin e vëllazërimit, nuk ka kundërvënie të ekologjisë me punën

R.SH. – Vatikan

         Porti është metaforë për jetën: vend i kalimeve, i shkëmbimeve, i takimeve, i pritjes. Sidomos vend i mbërritjes, siguri pas ditëve të gjata në det dhe pas punës, edhe në mes të stuhisë. Prandaj, shumë më tepër se vend thjesht për tregti e shkëmbime, ai ka nevojë për "përgjegjësi shoqërore dhe për atë solidaritet të vazhdueshëm, që i kapërcen konsideratat e përqendruara vetëm tek fitimi". Kryeipeshkvi Fernando Chica Arellano, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe në Programin Ushqimor Botëror, foli në selinë e FAO-s për të nënvizuar qëndrimin e Selisë së Shenjtë mbi jetën e marinarëve, në Ditën e sotme Ndërkombëtare kushtuar Peshkimit, së cilës edhe Papa Françesku i kushtoi një mendim, publikuar në faqen e tij në X, “@Pontifex”. “Të lutemi për peshkatarët dhe për familjet e tyre. – shkruan Ati i Shenjtë – T’i falënderojmë, sepse çdo ditë hedhin rrjetat me një akt besimi në Provaninë Hyjnore, duke u kujdesur për detet tona”.

Selia e Shenjtë krah detarëve

         Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, imzot Fernando Chica Arellano dhe motër Alessandra Smerilli, sekretare e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kujtuan sot në FAO qëndrimin vatikanas për punonjësit dhe nevojat e sektorit. Portet të jenë vende për shkëmbimin e vëllazërimit, kërkuan ata, duke nënvizuar se të gjithë kanë të drejtën themelore për punë dinjitoze dhe për një ambient të shëndetshëm e të pastër. Kisha, përmes baritorisë “Stella Maris”, ndihmon, nga pikëpamja njerëzore e shpirtërore, ata që punojnë, ose që kalojnë në det. Duke pasur parasysh se peshkimi është një nga zanatet dhe nga burimet e ushqimit më të lashta në historinë e njerëzimit, përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë denoncuan arrogancën e më të fortëve në shfrytëzimin e deteve, duke bërë thirrje për urti e për të mos e vënë në kontradiktë punën me respektin për ambientin.

21 nëntor 2023, 14:52