Papa: të krishterët, dritë në errësirën e dhunës e të luftës
R.SH. – Vatikan
Bota e sotme plot dhunë e konflikte ka nevojë për vëllazërim, paqe dhe miqësi shoqërore. Françesku e kujtoi këtë gjatë audiencës në sallën Pali VI me rreth 500 anëtarë të Vëllazërisë së Romenës, në provincën e Arezzo-s dhe të Grupit italian Nain. Mikpritja, kujdesi dhe vëllazërimi, u tha Papa, janë tri përvoja që e lejojnë dritën e Ungjillit të filtrojë dhe të zhdukë terrin e jetës. Kjo është përvoja, që jetojnë shtegtarët, të cilët vijnë për të kaluar disa ditë mes bukurisë së natyrës dhe heshtjes, në kishën e famullisë së lashtë romanike, ku e ka selinë Vëllazëria e Romenës.
Dashuri pa interes
"Kushdo mund të ndihet si në shtëpinë e tij" në Romena: "dashuria falas e Zotit", vërejti Françesku, "nuk vendos kushte dhe nuk ngarkon peshë të rënda mbi supe, por thjesht na mirëpret dhe na do pa interes".
“Mos e humbisni kurrë këtë frymë, madje, punoni gjithmonë për të kultivuar këtë stil mikpritës, për të vazhduar të jeni një oazë lirie, që shpreh dashurinë e pafundme, falas, të Zotit për çdo krijesë”.
Ëndrra e një bote vëllazërore
Grupi Nain, pjesë e Vëllazërisë, ndjek udhën e prindërve, që kanë humbur fëmijët, “dhimbje e paimagjinueshme”, vërejti Papa, “që nuk duhet banalizuar kurrë me fjalë boshe e përgjigje të pathelluara”. Në bashkësinë e Romenës, dinë si të kujdesen për plagët e tyre me vëllazërim e afërsi, duke ndezur drita të vogla aty ku gjithçka duket e humbur. Ati i Shenjtë e këshilloi Vëllazërinë e Arezzo-s të kultivojë bukurinë e qëndrimit së bashku e të zbulojë tek secili fytyrën e vëllait për t’u dashur.
“E, dua t'ju them se kjo është profecia e Romenës: të çojë përpara ëndrrën e një bote vëllazërore dhe solidare; të mbjellë paqe dhe miqësi shoqërore. Bota e sotme, ende plot dhunë e konflikte, ka shumë nevojë për to”.
Thashethemet, sëmundje ngjitëse
Por miqësia shoqërore kërcënohet nga një sëmundje ngjitëse, denoncoi edhe një herë Papa Françesku: thashethemet.
“Unë di, njoh një ilaç shumë të mirë kundër thashethemeve, që jep rezultate të mira, po të doni po jua them: kafshoni gjuhën. Sepse kur ndokush ka dëshirë për thashetheme, kafshon gjuhën e ajo i fryhet, prandaj, nuk mund të flasë...”
Të jeni mikpritës
Françesku i kërkoi Vëllazërisë "të vazhdojë të praktikojë mikpritjen, të ofrojë një vend ku njerëzit të mbështesin kokën dhe ta ndiejnë se Zoti i do e se janë pjesë e një vëllazërie universale, asaj, që Ati Qiellor e përuroi në Jezusin e që vetë Krishti na kërkon ta ndërtojmë së bashku me Të e me Shpirtin Shenjt”.
Vëllazëria e Romenës, lexohet në faqen e saj të internetit, "mirëpret individë apo çifte, që kërkojnë të jetojnë disa ditë së bashku, duke ofruar punë, lutje, çaste heshtjeje me thjeshtësi dhe krijimtari".