Kërko

Verona Verona 

Papa: të komunikosh do të thotë të shërbesh me inteligjencë e dashuri për t’i bërë të tjerët të rriten

Në një mesazh me rastin e përurimit të Festivalit të 13-të të Doktrinës Shoqërore, në Verona, Françesku fton të vihen konkretisht në jetë mësimet e Ungjillit. "#soci@Imente liberi (Anëtarë të lirë, mendje të lira) është tema, ndërsa shpresa e Papës sivjet është që në kulturën dixhitale "askush të mos merret me komunikime të kota përmes përhapjes së mesazheve të urrejtjes dhe shtrembërimit të realitetit në internet".

R. SH. - Vatikan

Komunikimi arrin përsosurinë kur ia dhurojmë plotësisht veten tjetrit. E pikërisht në këtë marrëdhënie reciprociteti “zhdrivillohet filli i lirisë”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve në edicionin e 13-të të Festivalit të Doktrinës Shoqërore, që filloi sot, më 24 nëntor, në Veronë. Tri ditë takime të profesionistëve, sipërmarrësve, profesorëve dhe laikëve që punojnë “për t’’i çuar konkretisht mësimet e Ungjillit në shoqëri”, siç urohet edhe në përmbledhjen e seancës së parë të asamblesë XVI të përgjithshme të zakonshme të Sinodit.  

"@", simbol i afërsisë

Tema e këtij viti, #soci@lmente liberi, i kushton vëmendje të posaçme komunikimit në kulturën dixhitale, "që ndikon në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e, rrjedhimisht, të mbarë shoqërisë". Veçanërisht, është një nga shkronjat e veçanta me të cilën është shkruar tema, d.m.th. "et" e përdorur në email, që tërhoqi vëmendjen e Papës. Kjo “et” - apo @,  që në kohët e lashta tregonte një njësi matjeje të peshës dhe të kapacitetit (ishte arroba spanjolle dhe amfora toskane) dhe më pas mori vlerë "komerciale", tani përdoret në e-mail për të treguar "at" – lidhjen në web. “Nga historia na vjen, pra,  treguesi që duhet për ta jetuar lirinë në mediat sociale sot” - shkruan Papa - “kjo tregohet nga ajo “at”, që shpreh afërsinë, kontaktin, shpreh plotësisht lirinë, që duhet “ruajtur” në zemër.

Mos u merrni me kulturën e hedhurinave, përmes mesazheve të urrejtjes

Rrjeti që dëshirojmë "nuk është bërë për të zënë në kurth, por për të çliruar, për të ruajtur bashkësinë e njerëzve të lirë". Vetë Kisha është rrjet i thurur nga kungimi eukaristik, "ku bashkimi nuk bazohet në ‘pëlqimet’, por në të vërtetën, në ‘amen’, me të cilin të gjithë bashkohen me Korpin  e Krishtit, duke mirëpritur të tjerët". “Krahasuar me shpejtësinë e informacionit, që shkakton pangopësi marrëdhëniesh” - vazhdon Papa - ‘amen’ është  ‘një lloj provokimi për të shkuar përtej rrafshimit kulturor, për ta përsosur gjuhën, me respekt për çdo njeri’. “Uroj që askush të mos jetë nxitës i komunikimit të kotë, përmes përhapjes së mesazheve të urrejtjes dhe të shtrembërimit të realitetit në internet!”. Kjo, dëshira e Papës.

Jezusi interesohet për të gjithë njeriun, në tërësi

Shembull i komunikimit të vërtetë të frymëzuar nga dashuria - shkruan Françesku - është një fragment nga Ungjilli i Markut, ai i shumëzimit të bukëve dhe peshqve. Më se pesë mijë njerëz u mblodhën rreth Jezusit në brigjet e liqenit të Tiberiadës, duke ecur me kilometra vetëm e vetëm për ta dëgjuar. Ai "filloi t'u mësonte atyre shumë gjëra" dhe autoriteti i tij - shkruan Papa - "rrjedh nga prania e tij personale,  nga Ai që është fytyra dhe fjala e Atit në udhën plot kthesa të jetës njerëzore. Krishti ka dhembshuri për njerëzit, ka të njëjtat ndjenja të njerëzve aty përballë, nuk i shikon me përçmim problemet e tyre. I bën për vete. Kujdeset për to”. Më pas ua shuan edhe urinë, sepse "mësimi pasohet nga dhurata e bukës dhe e gjellës: Jezusi është i interesuar për gjithë njeriun, domethënë, në tërësinë e tij a të saj".

Edukim me kulturën e dhuratës

 Jezusi nuk e bën gjithë këtë i vetëm. Kërkon bashkëpunimin e dishepujve të tij, të cilëve, nga ana e tyre, u kërkohet pjesëmarrje personale:

"Kjo është liria në të cilën thirret dishepulli: liria e atyre që ia kushtojnë veten të tjerëve me inteligjencë dhe dashuri, për t’i ndihmuar të rriten". Prandaj Papa shpreson që njerëzit të jenë "dëshmitarë të lirisë, në një botë lirie". E në përfundim shpreh edhe dëshirën që pjesëmarrësit, duke nisur nga presidenti i Fondacionit Segni Nuovi Alberto Stizzoli - i cili së  bashku me një grup të madh laikësh,  e edhe me Komitetin Shkencor, mbështetën konkretisht festivalin - që është përkthim i hashtagut “soci@lmente” “në nisma për të mirën e përbashkët” dhe dëshirë   përfshirjeje “në edukimin e kulturës së dhuratës”.

24 nëntor 2023, 12:03