Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Papa do të takohet me familjarët e pengjeve izraelite dhe me palestinezët e Gazës

Konfirmimi erdhi mbrëmë (17 nëntor) nga Salla e Shtypit të Vatikanit: dy takime të veçanta, më 22 nëntor, gjatë audiencës së përgjithshme. Zëdhënësi Bruni: "Françesku dëshiron të shprehë afërsinë shpirtërore me vuajtjet e secilit”. Aktualisht rreth 240 vetë janë në duart e Hamasit pas sulmit të 7 tetorit, ndërsa numri i të vdekurve në Rripin e Gazës ka arritur në rreth 12 mijë

R.SH. – Vatikan

         Një gjest “afërsie shpirtërore me vuajtjet e secilit”. Papa Françesku do të takojë të mërkurën e ardhshme, më 22 nëntor, në audiencën e përgjithshme, në dy çaste të veçanta, të afërmit e pengjeve izraelite në duart e Hamasit në Gazë, që nga sulmi i tmerrshëm i 7 tetorit dhe një grup familjarësh të palestinezëve, që vuajnë nga konflikti.

Takime me karakter humanitar

Konfirmimi erdhi në mbrëmjen e 17 nëntorit nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili shpjegoi se takimet "me karakter ekskluzivisht humanitar" do të zhvillohen mëngjesin e të mërkurës së ardhshme dhe se me to "Papa Françesku dëshiron të shprehë afërsinë shpirtërore me vuajtjet e secilit". Siç tha vetë Ati i Shenjtë, në fund të Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar: "Çdo qenie njerëzore, qoftë i krishterë, hebre, mysliman, i çdo populli apo feje, çdo qenie njerëzore është e shenjtë, e çmuar në sytë e Zotit dhe ka të drejtë të jetojë në paqe".

Shtohen viktimat në Gazë

Ndërkaq, në Rripin e Gazës, pas bastisjeve dhe sulmeve, numri i viktimave vazhdon të shtohen. Sipas lajmeve të publikuara nga Hamasi, nga data 7 tetor deri më sot, janë regjistruar të paktën 12 mijë vdekje në enklavë, përfshirë 5 mijë fëmijë.

Nuk ka asnjë informacion të saktë për pengjet, rreth 240 vetë, ndër të cilët të moshuar, gra, fëmijë, madje, edhe të sapolindur. Deri tani janë liruar vetëm katër vetë, ndërsa një peng i pestë është shpëtuar nga trupat izraelite. Aktualisht, nuk ka marrëveshje për asnjë nga çështjet e shqyrtuara gjatë negociatave. Brigadat al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, njoftojnë se disa pengje janë dërguar në qendra shëndetësore, për t’u shpëtuar jetën, siç raportojnë mediat izraelite.

Falënderimi i zëdhënëses së pengjeve për Papën

Ditët e fundit, zëdhënësja e familjeve të pengjeve, Rachel Goldberg-Polin, nëna e të riut Hersh, 23 vjeçar, plagosur dhe rrëmbyer gjatë një sulmi në shkretëtirën e Supernovës, i dërgoi falënderime Papës përmes një video të mediave vatikanase. “Faleminderit që gjetët kohë për të na ndihmuar në lirimin e 240 njerëzve, varrosur për së gjalli nën Gazë”, pohon gruaja. “Janë nga të gjitha fetë: myslimanë, hebrenj, të krishterë, hinduistë, budistë. E janë qenie njerëzore. Janë bij të Zotit”.

18 nëntor 2023, 10:21