Kërko

Papa: shembulli i martirëve t’i ngushëllojë të krishterët e diskriminuar në botë

Pas lutjes mariane, Papa foli për don Manuel González-Serna Rodríguez, shpallur dje i lum së bashku me 19 martirë të tjerë spanjollë. Më pas, lutja për viktimat e shumta të rrugës dhe falënderimet për ata që promovuan nismat e solidaritetit në Ditën Botërore të të Varfërve

R.SH. – Vatikan

         Ishte vetë Françesku që, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, i kërkoi sheshit duartrokitje për të Lumin e ri, shpallur dje paradite në katedralen e Seviljes, gjatë meshës të kryesuar nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Ai është don Manuel González-Serna Rodríguez, meshtar dioqezan, së bashku me 19 prifterinj dhe shokë të tjerë laikë, ndërmjet të cilëve edhe një seminarist i ri, vrarë në vitin 1936, në kulmin e Luftës Civile Spanjolle, kur persekutimet fetare kishin arritur kulmin.

         “Këta martirë e dëshmuan Krishtin deri në fund. Shembulli i tyre i ngushëlloftë të krishterët e shumtë që në kohën tonë diskriminohen për fenë. Një duartrokitje për të Lumin e ri!”

Falënderimi për ata, që i kushtohen solidaritetit

Papa iu kthye sërish Ditës VII Botërore të të Varfërve, këtë vit me temën "Mos i hiqni sytë nga të varfërit" (Tb 4,7).

“Falenderoj – nënvizoi ai – ata që, në dioqeza dhe famulli, kanë promovuar nisma solidariteti me njerëzit dhe me familjet, të cilat luftojnë për ta çuar përpara jetën”.

Parandalimi i aksidenteve në rrugë

Françesku përmendi edhe Ditën Botërore të Peshkimit, e cila do të kremtohet më 21 nëntor e, më pas, foli për viktimat e shumta të rrugës, duke bërë thirrje për "parandalim" dhe ndërgjegjësim ndaj kësaj tragjedie të kohës sonë, që prek shumë të rinj.

“Të lutemi për ta, për familjet e tyre dhe të impenjohemi të gjithë në parandalimin e aksidenteve”.

Mes pankartave dhe flamujve valëvitës, Papa përshëndeti besimtarët e Madridit, Ibicës dhe Varshavës, si edhe anëtarët e Këshillit të Bashkimit Botëror të Mësuesve Katolikë, pjesëmarrësit në "Ditët e Bashkëndarjes" të Lëvizjes Apostolike të të Verbërve dhe, së fundi, bashkësinë ekuadoriane të Romës, që kremton Virgen del Quinche.

19 nëntor 2023, 16:23