Kërko

Pope Francis' Angelus Prayer in Vatican Pope Francis' Angelus Prayer in Vatican

Papa: shenjtorët nuk janë të paarritshëm a të largët, janë si ne, miqtë tanë

“Shenjtëria është dhuratë e udhë”: këtë theksoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve. Dhuratë që nuk mund të blihet, që duhet pranuar; shtegtimi duhet bërë bashkë, duke ndihmuar njëri-tjetrin. E shenjtorët janë “shokë të mirë udhe”.

R.SH. / Vatikan

Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve ‘është festa jonë’, jo pse jemi të mirë, por pse shenjtëria e Zotit preku jetën tonë”. Këtë theksoi sot Papa Françesku, duke shpjeguar domethënien e Festës së Gjithë Shenjtorëve, para lutjes së Engjëllit të Tënzot me besimtarët dhe shtegtarët e mbledhur në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Ditë e zakonshme, e sotmja. E ditë që na kujton të jashtëzakoshmen, në të cilën kremtojmë solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve: të dashurit, të cilët nuk janë më mes nesh, por që shpresojmë se tani kundrojnë Zotin! Ndaj quhen “Të gjithë Shenjtorët”. Për ta  foli në lutjen e sotme të Engjëllit zë Tënzot Papa Françesku, kremtuar në solmenitetin e Gjithë Shenjtorëve, fragmentin e Ungjillit sipas Mateut (Mt 5,1-12),  që na kujton qëllimin e përbashkët me shenjtorët: Parajsën!

Papa nisi me përshëndetjen e zakonshme “Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!”, edhe këtë takim të jashtëzakonshëm në ditën kur kremtojmë solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve,  duke na ftuar të meditojmë pak minuta për shenjtërinë, veçanërisht për dy karakteristika të saj: shenjtëria është dhuratë, e njëkohësisht, shtegtim!

Shenjtëria: dhuratë

Para së gjithash- shpjegoi Papa - është dhuratë. Shenjtëria është dhuratë e Zotit, që e morëm me Pagëzimin: nëse e lëmë të rritet, mund ta ndryshojë plotësisht jetën tonë (shih Nxitja Apostolike Gaudete et exsultate, 15), duke e ndriçuar atë me gëzimin e Ungjillit. Prandaj shenjtorët nuk janë heronj të paarritshëm apo të largët, por njerëz si ne, miqtë tanë, pikënisja e të cilëve është e njëjta dhuratë që kemi marrë. Në të vërtetë, nëse mendojmë, sigurisht që e kemi takuar ndonjërin prej tyre, ndonjë shenjt a shenjtore “të portës kundruall”: njerëz fisnikë të cilët, me ndihmën e Zotit, iu përgjigjën dhuratës që morën dhe lejuan që dita-ditës të shndërroheshin nën veprimin e Shpirtit Shenjt. Këtë kujtoi Papa, që vijoi të shpjegojë thelbin e shenjtërisë:

“Shenjtëria është dhuratë që u jepet të gjithëve për një jetë të lumtur.  E kur marrim një dhuratë, cili është reagimi i parë? Është lumturia, sepse dikush na do; plot gëzim, "të lum", siç e përsërit Jezusi shumë herë sot në Ungjillin e Lumturive” (shih Mt 5:1-12).

Shtegtim mbas atyne, që ngjiten drejt lartësive

Gjithsesi, çdo dhuratë duhet të mirëpritet - vijoi Papa - sepse mbart me vete përgjegjësinë e një përgjigjeje dhe ftesën për t'u kushtuar, që të mos shkojë kot. Koncili II i Vatikanit na e kujton këtë, kur thotë se të gjithë të pagëzuarit marrin të njëjtën thirrje për ta "ruajtur dhe për ta përsosur shenjtërinë që  morën me jetën e tyre " (Lumen gentium, 40):

“Kjo arsyeja pse ne themi - e kjo, pika e dytë - se shenjtëria është edhe shtegtim, shtegtim që duhet bërë së bashku, duke ndihmuar njëri-tjetrin, të bashkuar me atë vargan shokësh të shkëlqyer, që ngjiten drejt lartësive e që janë shenjtorët”.

Janë vëllezërit dhe motrat tona më të mëdha, tek të cilët mund të mbështetemi gjithmonë: na ndihmojnë nga qielli e, kur ecim në rrugën e gabuar, me praninë e tyre të heshtur nuk mungojnë të na korrigjojnë.

Miq të sinqertë, gjithnjë e gjithkund pranë nesh

“Janë miq të sinqertë - vijoi të na kujtojë Papa - që mund t'u besojmë, sepse duan të mirën tonë, nuk na tregojnë me gisht, as nuk na tradhtojnë kurrë:

“Në jetën e tyre gjejmë shembull, në lutjen e tyre marrim ndihmë e, në bashkësi me ta, krijojmë një lidhje dashurie vëllazërore, siç thotë Liturgjia (shih Mesharin Romak, Parathënia e Shenjtorëve I). Me ta formojmë një familje të madhe për udhë, Kishën, me burra dhe gra të çdo gjuhe, të çdo gjendjeje, të çdo  prejardhjeje (shih Zbulesa 7.9), të bashkuar nga e njëjta zanafillë, dashuria e Zotit, që synon të njëjtin cak, bashkimin e plotë me Të, parajsën:

“Ata tashmë e kanë arritur, ne jemi për rrugë”.

A jemi miq me shenjtorët?

Shenjtëria është dhuratë dhe udhëtim – kujtoi Papa në përfundim të lutjes, duke na drejtuar pyetje të reja, të lidhura ngushtë me të përditeshmën tonë, deri një ditë kur, në dashtë Zotit, të kemi arritur cakun! Pra, mund të pyesim veten - kujtoi Papa - a mbaj mend se e kam marrë dhuratën e Shpirtit Shenjt, i cili më thërret në rrugën e shenjtërisë dhe më ndihmon ta përshkoj me guxim këtë rrugë, deri në fund? A e falënderoj për këtë? A i ndjej shenjtorët pranë meje? A u drejtohem? A e di historinë e disave prej tyre?

Pas këtyre pyetjeve, porosia:

“Është e mira ta njohim jetën e shenjtorëve dhe ta lëmë veten të prekemi nga shembujt e tyre. Na bën shumë mirë edhe t'u drejtohemi në lutje”.

Kjo porosia e fundit e Papës për sot, kur u takuam me Gjithë Shenjtorët, ndërsa përgatitemi për takimin e nesërm me ata, që na lanë mbi tokë. Ata që besojmë – e dëshirojmë – të na presin në qiell” . Pasuar nga lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Maria, Mbretëresha e të gjithë Shenjtorëve, na bëftë të ndjejmë gëzimin e dhuratës që morëm dhe na e shtoftë dëshirën për cakun e përjetshëm”.

01 nëntor 2023, 10:04

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >