Kërko

Papa Françesku, në audiencën me rreth dy mijë anëtarë të Federatës Italiane të Pediatërve dhe Shoqatës së Otolaringologëve Spitalorë Italianë, në Sallën Pali VI në Vatikan Papa Françesku, në audiencën me rreth dy mijë anëtarë të Federatës Italiane të Pediatërve dhe Shoqatës së Otolaringologëve Spitalorë Italianë, në Sallën Pali VI në Vatikan

Papa: mjekësia, që heq dorë nga kujdesi, nuk është më arti i shërimit

Duke takuar pediatër dhe otolaringologë italianë në Sallën Pali VI, Françesku denoncon një rrezik të dyfishtë: nga njëra anë, utopinë e eliminimit të sëmundjeve dhe, nga ana tjetër, braktisjen e më të brishtëve. E, për plakjen e popullsisë, thotë: “Të rinjtë të rigjejnë guximin dhe gëzimin për t’u bërë prindër”. Sipas Papës, e drejta për shëndetin minohet nga kriza ekonomike

R.SH. – Vatikan

         “Po përhapen dy dukuri të kundërta, po aq të rrezikshme”: “Heqja e limiteve”, duke kërkuar “shëndetin me çdo kusht” dhe “braktisja e më të brishtëve, në disa raste propozimi i vdekjes si e vetmja rrugë" për ta. Në audiencën me rreth dy mijë anëtarë të Federatës Italiane të Pediatërve dhe Shoqatës së Otolaringologëve Spitalorë Italianë, në Sallën Pali VI në Vatikan, Papa Françesku paralajmëroi:

“Mjekësia, që heq dorë nga kura dhe fshihet pas procedurave dehumanizuese dhe çnjerëzore nuk është më arti i shërimit”.

Afërsi, dhembshuri, ëmbëlsi

Të sëmjurët, vërejti Ati i Shenjtë, duhet të trajtohen me qëndrimin e Samaritanit të Mirë, i cili përkulet mbi të plagosurin dhe qetëson vuajtjet e tij, pa bërë pyetje, pa paragjykime, pa menduar për vete. Sipas Papës, fjala kyçe është "dhembshuria, e cila", thekson ai, "nuk është keqardhje, por vuajtje bashkë me tjetrin":

“Është mjet diagnostikues i pazëvendësueshëm! Në fund të fundit, Jezusi është mjeku ‘par excellence’, apo jo? E ka tre tipare të Zotit, që na ndihmojnë gjithmonë të ecim përpara: afërsia, dhembshuria dhe ëmbëlsia. Më pëlqen të mendoj se të gjithë ne kujdestarët e shëndetit - ne, kujdestarët e shëndetit shpirtëror, ju, të shëndetit fizik - duhet t’i kemi këto tre qëndrime: afërsi, dhembshuri dhe ëmbëlsi”.

Të mbrohet e drejta për shëndetin

         Papa kujtoi pandeminë dhe sakrificën e personelit shëndetësor gjatë saj, por vuri në dukje edhe gjendjen aktuale të shëndetësisë italiane, e ngjashme edhe me atë të vendeve të tjera.

         “Mungesa e vazhdueshme e personelit, që çon në ngarkesa të tepërta pune e, për pasojë, në largimin nga profesionet, që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Kriza e vazhdueshme ekonomike ndikon në cilësinë e jetës së pacientëve dhe mjekëve: sa diagnoza nuk bëhen në kohë? Sa njerëz heqin dorë nga trajtimi? Sa mjekë dhe infermierë, të dëshpëruar dhe të lodhur, e braktisin punën, ose preferojnë të shkojnë jashtë shtetit?”

Shërbim për popullin

         Shëndeti është pasuri e përbashkët, prandaj, Papa kërkoi të ruhet sistemi shëndetësor publik, sot, në rrezik të madh, pasi për shumë nga shërbimet, njerëzit detyrohet t’i drejtohen mjekësisë private. Françesku u kërkoi mjekëve edhe të mos e lënë pas dore kujdesin për veten.

“Duhen ndërhyrje [shtetërore], që i japin dinjitet punës tuaj dhe favorizojnë kushtet më të mira për realizimin e frytshëm të saj. Shumë herë ju vetë jeni viktima, apo jo?”

Vendi plaket, rifitoni besimin në të ardhmen

Së fundi, duke pasur parasysh pediatrët, pikë referimi për çiftet e reja, Papa vuri në dukje plakjen e popullsisë e mungesën e lindjeve.

 “Shpresojmë që kjo prirje të ndryshojë – përfundoi Ati i Shenjtë – të krijohen kushte të favorshme që të rinjtë të kenë më shumë besim dhe të rizbulojnë guximin dhe gëzimin për t'u bërë prindër. Ndoshta nuk duhet ta them këtë, por po e them: sot, njerëzit preferojnë të kenë më mirë një qen sesa një fëmijë. Kjo nuk është shenjë e mirë”.

18 nëntor 2023, 11:53