Kërko

Papa: mizori dhe dhimbje në Ukrainë, pranë popullit që mbron identitetin e vet

Françesku merr pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar të regjisorit Afineevsky titulluar "Liria në zjarr", që rrëfen tmerrin e luftës që nga agresioni rus më 24 shkurt 2022. Filmi u ndoq dje pasdite, në Vatikan, me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të dinjitetit. Papa përshëndeti dhe bekoi të pranishmit. Ndërmjet tyre, një hebre nga Nju Xhersi, i cili i tregoi një bllok me fotot e pengjeve rrëmbyer nga Hamasi.

R.SH. - Vatikan

“Dua vetëm të shkoj në shtëpi, të shoh të afërmit e mi… Po, edhe miqtë e mi”. Në ekranin gjigant një fëmijë përsëriste këto fjalë, ndërsa pas shpine kishte sfondin klaustrofobik të bodrumit të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, kur rreth orës 18:30 u hap dera anësore e Sallës së Sinodit të Ri  e hyri Papa Françesku. Në karrigen me rrota, në errësirë, në heshtje, Papa u ul në rreshtin e fundit dhe mori pjesë në shfaqjen e dokufilmit me titullin rrënqethës e kuptimplotë "Liria në zjarr: Lufta e Ukrainës për liri", dokumentar i regjisorit me origjinë ruse, por me nënshtetësi amerikane, Evgeny Afineevsky, i cili rreth dy orë rrëfen drejtpërdrejt tmerret e përjetuara nga vendi i Evropës Lindore që nga fillimi i agresionit rus, më 24 shkurt 2022.

Fjalët e Papës: “Të lutemi që të vijë paqja”

“Shumë dhimbje…” tha Papa, duke folur lirisht në fund të shfaqjes, kur të gjithë të pranishmit ishin në këmbë për të duartrokitur, të kthyer nga rreshti i fundit. “Ky film na tregon se luftërat janë gjithmonë disfatë. E ne, që pamë këtë mizori, pamë këtë popull që mbron identitetin e tij, duke vuajtur kaq shumë, duhet të jemi shumë afër tij. Lutuni, lutuni për këta njerëz, lutuni që të vijë paqja. Ashtu qoftë” - tha Françesku.

Papa puth flamurin ukrainas
Papa puth flamurin ukrainas

I zhytur në tmerr

Gjatë gjithë kohës Papa e ndoqi dokumentarin në heshtje të thellë, i ndërprerë vetëm nga ndokush që, duke i kaluar pranë, i jepte dorën ose i kërkonte një selfie. Vështirë ta shkëputësh vështrimin nga fotot dhe videot - disa të mbledhura në mënyrë amatore nga vetë refugjatët dhe të mbijetuarit - të cilat e bëjnë shikuesin të zhytet pothuajse drejtpërdrejt në dramën që banorët e Kherson, Sumy, Mariupol, Melitopol, Hostomel, Kharkiv, Kherson dhe rajonet e Donbass po e përjetojnë prej dy vjetësh.

Vajtime e gulçime

Në rreth dy orë, me një ritëm që dukej se nuk ngadalësohet kurrë, të duket sikur nuhat erën e ndërtesave të djegura, erën e gjakut në plagët e grave shtatzëna të plagosura në spitalin e fëmijëve të Mariupolit, tymin që shkatojnë bombat, tokën e lagur nga lumenjtë e të përshkuar nga baballarët me fëmijët e sëmurë në krahë a të moshuarit me bastune, që kërkojnë strehim nga bombardimet. Më shumë se një herë në sallë dikush gulçoi, për shembull kur u pa një bombë duke shpërthyer pas ushtarit, i cili pak më parë u bërtiste njerëzve "Më shpejt, më shpejt...", për t'i bërë ata të evakuohen "shpejt e shpejt". Kishte nga ata që qanë kur panë të dilnin nga rrënojat duart e një gruaje që të afërmit e saj e kërkonin prej dy ditësh ose panë sërish trupat në rrugët e Buçës dhe Irpinit.

Madje shpërthyen edhe të qeshura në një çast të caktuar të filmit, kur u dëgjuan në një furgon deklaratat e dy fëmijëve, të cilët pohuan se kishin ëndërruar njoftimin në TV "War is over” - “Lufta mbaroi" ose raketat "të mëdha sa ndërtesa" që rrëzuan të gjithë ushtarët rusë. Një e qeshur e hidhur me naivitetin e këtyre të vegjëlve, as 10 vjeç, por jo me fjalët e tyre. Sepse, për ta thënë sipas Natalia Nagornaya, reportere dhe korrespondente ukrainase për Televizionin e Lajmeve (TSN) e pranishme në disa skena të filmit, kur një fëmijë fillon të urrejë, kjo është lufta e vërtetë.

Papa gjatë dokufilmit në Sallën e Re të Sinodit
Papa gjatë dokufilmit në Sallën e Re të Sinodit

Dhjetë vitet e Revolucionit Maidan

I shfaqur tashmë në Vatikan në shkurt, në përvjetorin e barbarisë, sërish në prani të Papës, i cili në fund kishte përshëndetur edhe disa nga protagonistët e filmit, "Liria në zjarr" - e paraqitur edhe në Festivalin e Filmit në Venecia - u shfaq sërish për publikun pasditen e djeshme të 21 nëntorit. Një datë jo e rastësishme: në të njëjtën ditë, dhjetë vjet më parë, filloi "Revolucioni i Dinjitetit", revolta në sheshin Maidan e popullatës ukrainase që luftonte për liri. Dy filma me metrazh të shkurtër, para dokumentarit, shfaqnin figura dhe klipe të kohës: bomba tymi, festole, të shtëna pistolete dhe pushkësh, flamuj, qirinj, njerëz të tërhequr zvarrë, burra me kafkë të thyer, tanke, të vdekur, të plagosur. Burra, gra, të moshuar, fëmijë, katolikë, ortodoksë, myslimanë, budistë, "të gjithë të bashkuar për të kërkuar lirinë", siç pohon në film kreu i Kishës Katolike Greke Sviatoslav Shevchuk, kryepeshkopi ortodoks Filaret dhe përfaqësues të tjerë të besimeve të ndryshme.

Mirënjohje Papës

"Ishte një përvojë e jashtëzakonshme të shihje së bashku njerëz të çdo feje" - tha Afineevsky në fillim të mbrëmjes, duke kujtuar atë ngjarje historike për Ukrainën. “Tani bota është e ndarë ndërmjet myslimanëve dhe hebrenjve”, shtoi, duke kujtuar dramën “që po luhet” në Tokën  Shenjte. Në sheshin Maidan, megjithatë, ata ishin "të gjithë të bashkuar dhe të gjithë fituan", tha regjisori. Pas tij, përshëndetje nga ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andrii Yurash, i cili nënvizoi se "këto video u tregojnë të gjithëve se asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë dëshirën e shoqërisë ukrainase për të qenë e lirë". Diplomati falënderoi regjisorin "për aftësinë e pasqyrimit të intensitetit të luftës së Ukrainës" dhe, mbi të gjitha, i shprehu mirënjohjen Papës "i cili nuk lodhet kurrë së kujtuari vuajtjet e ukrainasve" dhe që, sipas vetë fjalëve të tij, "frymëzon liderët e shumë vendeve për të mbështetur shtetin tonë”.

Papa Françesku duke parë filmin
Papa Françesku duke parë filmin

Fotot e pengjeve të Hamasit

Françeskun e falënderoi personalisht edhe Adam Segal, nga bashkësia hebreje e Bergenfield, New Jersey, bashkëpunëtor dhe mik i Afineevsky. Në fund të dokumentarit, në një dhomë ngjitur me Sallën e Sinodit të Ri, u rreshtua me një grup të vogël njerëzish për të përshëndetur Papën, pas dy murgeshash Pauline amerikane, Rose dhe Wendy ("I thamë Papës se e duam shumë - i kujtuan).

Kur i erdhi radha, Adami i tregoi Papës një dosje të lidhur me fotot e 240 pengjeve izraelitë rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit me shkrimin e kuq "Rrëmbyer". Ai gjithashtu tregoi dy fytyra, duke shpjeguar se ata ishin miq të familjes dhe të bashkësisë së tij. Më pas e falënderoi Papën që lutet dhe bën thirrje për lirimin e pengjeve. “Nesër, nesër”, u përgjigj Françesku - duke kujtuar audiencën që pati sot në mëngjes me të afërmit e të rrëmbyerve dhe, menjëherë më pas, me një grup familjarësh të palestinezëve që jetojnë në orët dramatike të luftës në Gaza. Edhe kjo është një "dhimbje" e madhe para së cilës duhet "të lutesh që të vijë paqja".

Fotot e pengjeve të Hamasit
Fotot e pengjeve të Hamasit
22 nëntor 2023, 13:34