Kërko

Papa: i kuptoj shqetësimet për Kishën në Gjermani

Letër e Françeskut, në përgjigje të letrës së katër grave gjermane, ish-delegate të Sinodit në Gjermani: “Pjesë të kësaj Kishe lokale vazhdojnë të kërcënojnë se do të largohen gjithnjë e më shumë nga rruga e përbashkët e Kishës universale. Të nevojshme, lutja, pendesa, adhurimi i Hyjit dhe hapja e zemrës për vëllezërit"

R.SH. – Vatikan

         “Shqetësimeve” të shprehura nga katër gra, teologe dhe filozofe, për zhvillimet e Synodale Weg, rrugës sinodale të Kishës në Gjermani, në të cilën fillimisht morën pjesë e pastaj, vendosën ta braktisin, Papa u përgjigjet me një letër, ku shkruan se edhe ai është i shqetësuar "për hapat e shumtë konkretë, me të cilët pjesë të mëdha të kësaj Kishe lokale vazhdojnë të kërcënojnë se do të largohen gjithnjë e më shumë nga rruga e përbashkët e Kishës universale".

Përgjigja e Papës për letrën

Françesku pasqyron në një letër, të nënshkruar më 10 nëntor, shqetësimin e tij, shprehur edhe në raste të tjera e drejtuar teologes morale Katharina Westerhorstmann, teologes Marianne Schlosser, filozofes Hanna-Barbara Gerl-Falkovitz dhe publicistes Dorothea Schmidt. Katër studiueset i patën shkruar Papës më 6 nëntor për të shprehur dyshimet lidhur me rezultatet e procesit sinodal gjerman, përfunduar muajt e fundit. Rrugëtim, që përfshiu 230 delegatë, ipeshkvij, meshtarë, burra dhe gra laike, të ndarë në grupe pune, ku u diskutuan çështje si bekimi për çiftet e të njëjtit seks, ndryshimet në moralin seksual, celibati priftëror, pushteti klerikal, lufta kundër abuzimeve, roli i gruas, me vëmendje të veçantë për diakonatin femëror dhe për mundësinë e shugurimit meshtarak të grave. Të gjitha këto tema u paraqitën në katër dokumente, në mars të këtij viti.

Krijimi i një komiteti sinodal

Ajo, që i shqetëson katër ish-delegatet e Sinodal Weg është sidomos ideja e krijimit të një komiteti sinodal, “që synon përgatitjen e themelimit të një këshilli drejtues dhe vendimmarrës”. Papa, duke e përmendur në letrën e tij, nënvizon se ky organ, “në formën e përshkruar në tekstin përkatës, nuk mund të harmonizohet me strukturën sakramentore të Kishës Katolike”. Më pas, ai kujton se themelimi i tij “u ndalua nga Selia e Shenjtë me letrën e datës 16 janar 2023, miratuar nga unë [Papa] në formë specifike”, shkruan Françesku.

Letra drejtuar Popullit të Zotit, në vitin 2019

Në dokument kujtohet edhe Letra e Papës drejtuar Popullit të Zotit, për udhë në Gjermani, botuar më 29 qershor 2019: rreth dhjetë faqe me trembëdhjetë pika, ku Ipeshkvi i Romës u bën thirrje krerëve të Kishës në Gjermani të ecin në rrugën e drejtë, atë ungjillore, pa kaluar në funksionalizëm apo në reduktime ideologjike. Letra përmendej edhe në deklaratën e Selisë së Shenjtë të datës 21 korrik 2021, në të cilën sqarohej se në rrugën sinodale nuk mund të merren vendime doktrinore. Pra, ajo nuk e ka "pushtetin për t’i detyruar ipeshkvijtë dhe besimtarët" të zbatojnë "mënyra të reja administrimi dhe qasje të reja ndaj doktrinës dhe moralit", shkruhej në tekst, i cili përfundonte me shpresën se propozimet e rrugës sinodale në Gjermani do të shkrihen me udhën e Kishës universale.

Lutja, pendesa dhe takimi me vëllezërit

Duke kujtuar dokumentin e tij të rëndësishëm, në letrën drejtuar katër grave, Papa shkruan: "Në vend që të kërkojmë 'shpëtimin' në komitete të reja dhe, duke iu referuar shpesh vetëm vetvetes, të diskutojmë gjithmonë të njëjtat tema, në Letrën time drejtuar Popullit të Zotit, për udhë në Gjermani, dua të kujtoj nevojën për lutje, pendesë dhe adhurim, si edhe të ftoj t’i hapim zemrat e të dalim për të takuar vëllezërit, veçanërisht të braktisurit në pragun e kishave tona, në rrugë, në burgje e spitale, në sheshe e qytete”. “Jam i bindur: Zoti do të na e tregojë udhën”, pohon Papa Françesku.

Ati i Shenjtë përfundon duke falënderuar Westerhorstmann, Schlosser, Gerl-Falkovitz dhe Schmidt për punën e tyre teologjike dhe filozofike dhe për "dëshminë e fesë": "Ju kërkoj një favor, vazhdoni të luteni për mua dhe për shqetësimin tonë të përbashkët për unitetin".

23 nëntor 2023, 10:14