Kërko

Papa Françesku ngushëllon emigrantin, që mbijetoi në shkretëtirën Tunizi-Libi

Të premten pasdite, Françesku takoi Mbengue Nyimbilo Crepin, i njohur nga të gjithë si Pato, 30 vjeç, emigrant kamerunian, i cili në fund të korrikut humbi gruan Matyla dhe vajzën e tij të vogël Marie, 6 vjeçe, vdekur nga uria, vapa dhe etja, në shkretëtirën ndërmjet Tunizisë dhe Libisë. I riu, i cili qau me lot nga fjalët e Papës, shoqërohej nga don Mattia Ferrari, kapelan i Mediterranea Saving Humans dhe nga kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor

R.SH. – Vatikan

         "U luta shumë për ta". Kështu, duke kujtuar sa herë iu drejtua Zotit,  përpara fotos dramatike të gruas së tij 30-vjeçare Matyla dhe vajzës 6-vjeçare Marie, vdekur në korrik nga uria, vapa dhe etja, në shkretëtirën ndërmjet Tunizisë dhe Libisë, Papa Françesku përshëndeti dhe përqafoi Mbengue Nyimbilo Crepin, për të gjithë Pato, 30 vjeç, emigrant nga Kameruni, të cilin e takoi për gati një orë të premten pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës. I riu, i cili qau nga fjalët e Françeskut, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, shoqërohej nga don Mattia Ferrari, prifti 29-vjeçar nga Nonantola (Modena), i cili merr pjesë si kapelan në shumë misione shpëtimi të Mediterranea Saving Humans. Të pranishëm, edhe kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzorë, disa emigrantë dhe bashkëpunëtorë të shoqatave dhe subjekteve të përfshira në pritjen dhe integrimin e refugjatëve, të cilët kontribuan në lehtësimin e mbërritjes së Patos në Itali. “Këta djem vepruan mirë”, u shpreh Françesku, duke i falënderuar. “Ky është Krishti që vuan”, nënvizoi ai, “Krishti ynë na qëndron pranë, nuk duhet të shkojmë larg për ta kërkuar, Ai është në çdo njeri, që e pëson këtë padrejtësi dhe vdes: shumë vdesin... ".

Familja e Patos
Familja e Patos

Takim mallëngjyes

Pato humbi gruan dhe vajzën e tij 6-vjeçare në korrik të këtij viti, pasi u ndalua dhe u kthye në shkretëtirën ndërmjet Libisë dhe Tunizisë nga autoritetet tuniziane. Në mes të emocioneve për historinë e tij, Papa dëgjoi fjalët e mirënjohjes për takimin dhe historitë e dhimbshme të mijëra njerëzve, që vuajnë duke u përpjekur të arrijnë Evropën. Davidi, nga Sudani i Jugut, që punon me të burgosurit në kampet e paraburgimit në Afrikën e Veriut, e falënderoi Papën për inkurajimin dhe për ndërhyrjet e tij në favor të migrantëve: "Ju nuk na jepni vetëm një ëndërr, ju na mirëprisni".

Papa me Paton
Papa me Paton

Lutja e Françeskut për emigrantët dhe për ata që punojnë për ta

Duke i përshëndetur, pasi dëgjoi fjalët e tyre, Françesku falënderoi të pranishmit për angazhimin. "Është më rehat të rrish në shtëpi, të mos bësh asgjë, të jetosh për t'u argëtuar, të jetosh për interesa personale. E, ai që del për të shërbyer, e ndjen se shumë nuk e ndjekin, në të vërtetë ndjen se nuk kuptohet. Por, mos kini frikë: ecni përpara”, u tha Ati i Shenjtë, duke vënë në pah se kush lind në vende ku mund të studiojë dhe të punojë, e ka një borxh ndaj të tjerëve, prandaj e ka për detyrë t’i ndihmojë. Së fundi, para se të largohej, Papa u lut për të pranishmit, duke i kërkuar Zotit të vigjëlojë mbi ata që "punojnë për të tjerët", mbi njerëzit që nuk mundën të vijnë, mbi ata që ndodhen në kampet e paraburgimit dhe "mbi shumë e shumë që vuajnë".

18 nëntor 2023, 13:46