Kërko

Papa: “asnjë luftë nuk vlen sa lotët e fëmijëve”

Postimi i Françeskut në X, në Ditën Botërore të Fëmijëve, themeluar në datën e miratimit të Konventës së OKB-së për të drejtat e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve, më 1989. “Sa fëmijë privohen nga e drejta për jetën dhe nga integriteti fizik e mendor, për shkak të konflikteve?”, pyet Papa, “sa fëmijë detyrohen të marrin pjesë në luftime?”

R.SH. – Vatikan

"Asnjë luftë nuk vlen sa lotët e fëmijëve"

Pamjet e publikuara nga mediat për orët e fundit në Gazë tregojnë se qëndresa ka arritur kufij të padurueshëm. Fëmijë, edhe shumë të vegjël, lotët e të cilëve u rigojnë fytyrat e ndotura nga tymi, ose nga pluhuri i ndërtesave, që shemben nën bomba. Fëmijë në krahët e prindërve dhe të të afërmve, që vajtojnë për humbjen e ndonjë anëtari të familjes, ose ndiejnë dhimbje për gjymtyrët e prera, për shkak të plagëve. Bashkë me to, në media shihen këto ditë edhe të miturit e dëshpëruar para arkivolit të prindërve të tyre në Ukrainë, ose fëmijët afrikanë, as 10 vjeç, me kallashnikov në duar, ulur mbi ndonjë tank, osë në ndonjë stërvitje për luftë. Fëmijë të vdekur (si shtatë foshnjat lindur para kohe, që vdiqën në inkubatorët e spitalit në Gaza), fëmijë të plagosur, fëmijë emigrantë, fëmijë ushtarë, fëmijë të shfrytëzuar: a tolerohet e gjithë kjo? E sa duhet të zgjasë vuajtja e të vegjëlve? Ajo, para së cilës Papa ka thënë më shumë se një herë se nuk ka përgjigje, por vetëm lot.

Thirrja e Papës

E vetë Papa tërheq edhe një herë vëmendjen në favor të të miturve, në përvjetorin që kujton të drejtat e tyre të patjetërsueshme, në Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, themeluar në datën e përvjetorit të miratimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe Adoleshentëve, në vitin 1989. Ndoshta, ky është traktati më i ratifikuar për të drejtat e njeriut në botë.

Ndërkohë që po mbahen nismat për fushatën e Unicefit “​​Fëmijët ndërmjet luftërave dhe emergjencave të harruara”, me fokus të veçantë në gjashtë vendet e prekura nga dhuna, Françesku shkruan në X (ish-Tëitter), në nëntë gjuhë.

“Sa fëmijë privohen nga e drejta për jetën dhe për integritet fizik e mendor, për shkak të konflikteve? Sa fëmijë detyrohen të marrin pjesë, ose të asistojnë në luftime, duke bartur mbi vete plagët e tyre? Asnjë luftë nuk vlen sa lotët e fëmijëve”.

Dhimbja e Papës për nënat

Fjali, kjo e fundit, e cila, në mënyrë ideale, vazhdon thirrjen e Papës, dhjetë ditë më parë, më 10 nëntor, në mesazhin e dërguar pjesëmarrësve në edicionin VI të Forumit të Paqes në Paris. "Asnjë luftë nuk vlen sa lotët e një nëne, së cilës i gjymtohet, ose i vdes fëmija”, denonconte Françesku. E shtonte: “Asnjë luftë nuk ia vlen sa humbja e jetës qoftë edhe e një njeriu, i cili është qenie e shenjtë, krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Krijuesin; asnjë luftë nuk vlen aq sa të helmohet shtëpia jonë e përbashkët; asnjë luftë nuk vlen për të justifikuar dëshpërimin e atyre, që detyrohen të largohen nga atdheu dhe privohen nga shtëpitë e tyre dhe nga të gjitha lidhjet familjare, miqësore, shoqërore e kulturore, që kanë krijuar brez pas brezi”.

20 nëntor 2023, 15:56