Kërko

Migrantët, Françesku ipeshkvijve të Ishujve Kanarie: faleminderit që hapët dyert

Papa, në një letër dërguar Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle, i kërkon Kishës së Ishujve Kanarie të ndërtojë "rrjete dashurie dhe fenerë shprese", që shërojnë plagët e të vuajturve. Bën ftesë për të gjetur në fytyrat e emigrantëve "atë vështrim, që dëshiron një të ardhme në paqe e në vëllazërim"

R.SH. – Vatikan

         “Duke e njohur situatën e vështirë, që po kalojnë Ishujt Kanarie për shkak të krizës migratore, dëshiroj të shpreh disa fjalë inkurajimi dhe afërsie”. Fillon me këto fjalë, Letra e Papës Françesku drejtuar ipeshkvijve të Ishujve Kanarie (Spanjë), me të cilën Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen për përpjekjet e bëra në përgjigje të emergjencës.

Dyer të hapura për njerëzit që vuajnë

“Ndjeshmëria dhe mikpritja, që karakterizojnë banorët e Ishujve Kanarie shihen qartë edhe në mënyrën se si mirëpresin, mbrojnë, promovojnë dhe integrojnë vëllezërit dhe motrat, që mbërrijnë në brigjet e tyre, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë”, shkruan Papa në tekstin e publikuar nga Konferenca Ipeshkvnore Spanjolle, në faqen e saj zyrtare. “Faleminderit – shton Papa – që hapët dyert e zemrave tuaja për ata që vuajnë”.

Të përkulemi për të mjekuar plagët e të dëshpëruarve

Ati i Shenjtë i fton ipeshkvijtë të mos shkurajohen para kësaj detyre baritore dhe të ndërtojnë "rrjete dashurie e fenerë shprese" për të përballuar sfidat e migrimit. Gjithçka, me shpresën "që të ndriçohen shtigjet e një njerëzimi të ri, gati të përkulet, si Samaritani i Mirë, për të shëruar plagët e të dëshpëruarve".

Së fundi, Françesku nxit të kërkohet në fytyrat e emigrantëve "ai vështrim, që dëshiron një të ardhme në paqe e vëllazërim. T’i lutemi Zotit që këto dëshira të realizohen".

21 nëntor 2023, 15:35