Kërko

Françesku: varfëria është shkandull. Zoti do të na kërkojë llogari

Papa, në meshën për Ditën e shtatë Botërore të të Varfërve, u kërkon besimtarëve “të bëhen dhuratë për të tjerët” përballë indiferencës së një shoqërie, që s’ka kurrë kohë. “Të mendojmë për të shtypurit, të lodhurit, të mënjanuarit, për viktimat e luftërave dhe për ata që e lënë vendin e tyre, duke rrezikuar jetën; për njerëzit pa bukë, pa punë dhe pa shpresë"

R.SH. – Vatikan

         Varfëria është shkandull, të cilit duhet t'i përgjigjemi, duke ndjekur mesazhin e Ungjillit, që u thotë të krishterëve "të vënë në qarkullim bamirësinë", të ndajnë bukën, të shumëfishojnë dashurinë. Në homelinë e meshës për Ditën e shtatë Botërore të të Varfërve, të cilën e kremtoi sot në Shën Pjetër, Papa Françesku bëri thirrje për të reaguar kundër formave të shumta të varfërisë, duke luftuar egoizmin. “Të mos i mbajmë nën dhe të mirat e Zotit”, ngriti zërin ai, sepse kur të vijë sërish “do të na kërkojë llogari për to”.

“Të mendojmë atëherë për varfërinë e madhe materiale, varfërinë kulturore, varfërinë shpirtërore të botës sonë; të mendojmë për jetët e plagosura, që na i mbushin qytetet, për të varfrit që janë bërë të padukshëm; britma e tyre e dhimbjes mbytet nga indiferenca e përgjithshme e një shoqërie tepër të zënë dhe të pavëmendshme. Kur mendojmë për varfërinë duhet ta harrojmë turpin, varfëria është e turpshme, ajo fshihet, por ne duhet të shkojmë e ta kërkojmë, me guxim. Të mendojmë për të shtypurit, të lodhurit, të mënjanuarit, për viktimat e luftërave dhe për ata që largohen nga vendi i tyre, duke rrezikuar jetën; për njerëzit pa bukë, pa punë dhe pa shpresë. Kaq shumë varfëri të përditshme e, nuk janë dy, tre, janë turmë, të varfërit janë një turmë e tërë”.

Të bëhemi dhuratë për të tjerët, pa egoizëm

Papa iu drejtua pesë mijë vetëve, që mbushnin bazilikën vatikanase, shumica e të cilëve të varfër, të privuar nga dinjiteti dhe nga mjetet themelore të jetesës. Pikërisht përballë një "turme të tillë të varfrish", Françesku bëri thirrje që çdo besimtar i krishterë të ndjekë shëmbëlltyrën e talenteve, që na paraqet Ungjilli i ditës, duke sugjeruar dy rrugë. E para është "udhëtimi i Jezusit". Ashtu si njeriu, që thërret shërbëtorët e tij dhe u jep pasurinë para se të largohet, Krishti, para se të kthehet tek Ati, u jep njerëzve dhuratat e Shpirtit Shenjt, që ata të vazhdojnë "punën e tij në botë", duke ndjekur "misionin e tyre personal", të cilin ua ka besuar  Zoti “në jetën e përditshme, në shoqëri dhe në Kishë”. Jezusi, nënvizoi Papa, nuk e mbajti për vete pasurinë e marrë nga Ati Qiellor, por jetoi "për" njerëzit e ky qe tipari i rrugëtimit të Tij, para se të kthehej tek Ati. Shëmbëlltyra tregon edhe se, kur u kthye, i zoti i atyre shërbëtorëve deshi t’i lajë hesapet me ta e kjo na çon në rrugën e dytë për ndjekjen e kësaj pjese ungjillore, atë të "udhëtimit të jetës sonë", shpjegoi Papa, ai që bëjnë njerëzit për ta takuar Jezu Krishtin e për të hyrë "në gëzimin e jetës së amshuar".

“Cilën rrugë ndjekim në jetë, atë të Jezusit, që e bëri veten dhuratë apo rrugën e egoizmit? Atë të duarve të hapura për të tjerët, për të dhënë, për ta dhuruar vetveten apo atë të duarve të mbyllura për të pasur më shumë e për t’u mbrojtur? Shëmbëlltyra na thotë që secili prej nesh, sipas aftësive dhe mundësive, ka marrë disa “talente”. Kujdes, të mos gënjehemi nga gjuha e botës: këtu nuk bëhet fjalë për aftësi personale, por, siç thamë, për të mirat e Zotit, për gjithçka na la Krishti, kur u kthye tek Ati Qiellor”.

Të krishterët të dinë të rrezikojnë

"Kapitali" i madh, që u la Jezusi njerëzve është "dashuria e Zotit, themel i jetës sonë dhe forcë e rrugëtimit tonë". U takon njerëzve, siç tregohet në shëmbëlltyrë, të zgjedhin se çfarë të bëjnë me të.

“Mund ta shumëfishojmë ç’kemi marrë, duke e bërë jetën ofertë dashurie për të tjerët, ose mund të jetojmë të bllokuar nga një imazh i rremë i Zotit, duke e fshehur nën tokë, nga frika, thesarin që kemi marrë, duke menduar vetëm për veten tonë, pa u apasionuar pas asgjëje, përveçse pas rehatit dhe interesit tonë, pa u impenjuar”.

Pyetja, që u bëri Ati i Shenjtë besimtarëve ishte më se e qartë:

“Pyetja që bëj është: a po e vë në diskutim jetën time? A e vë në rrezik me forcën e fesë? Si i krishterë, di të rrezikoj apo mbyllem në vetvete nga frika, ose nga indiferenca”.

Feja nuk duhet jetuar nën tokë

Shëmbëlltyra e talenteve, u theksoi Papa besimtarëve, "është paralajmërim për të verifikuar se me çfarë fryme e përballojmë rrugëtimin e jetës". Njerëzit që "kanë marrë dhuratën e dashurisë së Zotit" duhet "të bëhen dhuratë për të tjerët", pasi "nëse nuk e shumëfishojmë dashurinë rreth nesh, jeta shuhet në errësirë; nëse nuk i vëmë në qarkullim talentet e marra, ekzistenca përfundon nën tokë, pra, sikur të ishim të vdekur (shih v. 25.30)”.

“Vëllezër dhe motra, sa të krishterë janë varrosur kështu, sa të krishterë e jetojnë fenë sikur të ishin nën tokë”.

Të krishterët duhet t’i ndajnë me të tjerët të mirat e dhuruara nga Jezusi: dashurinë, mëshirën, dhembshurinë, gëzimin dhe shpresën e tij, në mënyrë që secili, "sipas dhuratës së marrë dhe sipas misionit, që i është besuar, të impenjohet "për ta bërë të frytshme dashurinë" dhe “për t’i qëndruar pranë ndonjë të varfëri”, përfundoi Papa Françesku.

19 nëntor 2023, 10:47