Kërko

Françesku: urgjente, të formohen burra të aftë për marrëdhënie të shëndetshme

Papa, duke pritur në audiencë delegacionet e disa shoqatave italiane të shtypit katolik, flet për lajmet më të fundit dramatike të dhunës kundër grave, duke theksuar nevojën e edukimit të respektit e të kujdesit: "Maturia dhe thjeshtësia, përmasat bazë edukative në kompleksitetin e sotëm, veçanërisht në internet, ku nuk duhet të tundohemi për të mbjellë urrejtje"

R.SH. – Vatikan

         Formimi, mbrojtja dhe dëshmia janë "tri rrugët", që punonjësit e komunikimit duhet të ndjekin për të "përtërirë impenjimin në promovimin e dinjitetit njerëzor, të drejtësisë dhe të së vërtetës, në favor të ligjshmërisë dhe të bashkëpërgjegjësisë edukative", edhe si përgjigje ndaj “lajmeve të tmerrshme të dhunës kundër grave”. Kështu tha Papa, në audiencën me delegacionet e Federatës Italiane të të Përjavshmeve Katolike (Fisc), të Bashkimit të Shtypit Periodik Italian, të Shoqatave "Corallo" dhe "Aiart - Cittadini mediali", të cilët i ftoi t'ia besojnë Shën Françeskut të Sales, Pajtor i gazetarëve dhe të Lumit Carlo Acutis, Pajtor i internautëve, hapat e tyre të ardhshme.

Mos u tundoni për të mbjellë zemërim dhe urrejtje

Ati i Shenjtë i analizoi një për një rrugët, që propozoi. E para është ajo e formimit, "çështje jetike", pohoi Françesku, me të cilën nënkuptojmë "rrugën për t’i lidhur brezat me njëri-tjetrin, për të inkurajuar dialogun e të rinjve me të moshuarit, atë aleancë ndërmjet brezave që, sot më shumë se kurrë, është themelore".

“Maturia dhe thjeshtësia janë dy përmasa bazë edukative për t’u orientuar në botën e ndërlikuar të sotme, veçanërisht në internet, ku nuk duhet të jemi naivë e, njëkohësisht, të mos dorëzohemi para tundimit për të mbjellë zemërim dhe urrejtje. Maturia, e jetuar me thjeshtësi në shpirt, është ai virtyt, që na ndihmon të shohim larg, që na shtyn të veprojmë duke parashikuar, me largpamësi. E, nuk ka kurse për të qenë i matur, nuk ka studime për të qenë i matur. Maturia ushtrohet, jetohet, është qëndrim, që lind njëherësh nga zemra dhe nga mendja e, pastaj, zhvillohet. Maturia, e jetuar me thjeshtësi në shpirt, na ndihmon gjithmonë të jemi largpamës”.

Dhuna kundër grave

Të përjavshmet katolike e dëshmojnë këtë pa u kufizuar vetëm në dhënien e “lajmit të çastit, i cili digjet lehtë”, por duke përcjellë “një këndvështrim njerëzor e të krishterë, që synon të formojë mendje dhe zemra, të cilat nuk deformohen nga fjalët e bërtitura me zë të lartë, ose nga kronika, që, duke kaluar me kuriozitet të sëmurë nga e zeza në rozë, neglizhojnë qashtërsinë e së bardhës”. Papa ftoi të promovohet një lloj "ekologjie e komunikimit", që shikon përtej lajmit sensacional, për të kujtuar se " ka gjithmonë ndjenja, histori, njerëz prej mishi e gjaku, që duhen respektuar, sikur të ishin familjarë".

“E shohim nga lajmet shumë të trishtuara të këtyre ditëve, nga lajmet e tmerrshme të dhunës kundër grave, sa urgjente është të edukojmë respektin dhe kujdesin: të formojmë burra të aftë për marrëdhënie të shëndetshme. Komunikimi është formim për njeriun. Komunikimi është formimi i shoqërisë. Mos e braktisni rrugën e formimit: do t'ju çojë larg!”

Mbrojtja e dinjitetit të njerëzve

         Papa vuri më pas në pah rrugën e mbrojtjes së dinjitetit të njerëzve, sidomos të shtresave më të brishta të shoqërisë, të cilat nuk duhet të bëhen pre e gazetave, mediave në internet, komunikimit provokator e polemik. Françesku u kërkoi mediave katolike të jenë në linjën e parë të këtij fronti, pavarësisht se është detyrë e vështirë. Bëjeni këtë, si Davidi kundër Golisë, u dha ai shembullin nga Shkrimi Shenjt, mbrojeni dinjitetin e të vegjëlve, të preferuarve të Zotit. Së fundi, i nxiti gazetarët katolikë të marrin rrugën e dëshmisë, sipas shembullit të të Lumit Carlo Acutis, i ri, ungjillëzues i bashkëmoshatarëve të tij në internet.

         “Dëshmia është profeci, është krijimtari, e cila na çliron dhe na shtyn të përveshim mëngët, të largohemi nga rehatia për të rrezikuar. Po, besnikëria ndaj Ungjillit na bën të aftë të rrezikojmë për mirë. E, edhe të shkojmë kundër rrymës: të flasim për vëllazërim në një botë individualiste; për paqe në një botë në luftë; për vëmendje ndaj të varfërve në një botë indiferente. Por kjo mund të bëhet besueshëm vetëm nëse së pari, e dëshmojmë atë që themi”.

23 nëntor 2023, 10:48