Kërko

Betlehemi, Giotto Betlehemi, Giotto

Françesku tregon për betlehemin e tij shtëpiak në një libër

Një libër i publikuar nga Piemme dhe nga Shtëpia Botuese e Vatikanit pasqyron një sërë tekstesh, reflektimesh, fjalimesh dhe homelish, që Papa Françesku ia kushton mënyrave të përfaqësimit të Lindjes së Krishtit në betlehemet shtëpiake. Vetë Ati i Shenjtë shkruan hyrjen e vëllimit

R.SH. – Vatikan

         Dy herë kam dashur të shkoj për të vizituar Greccio-n – shkruan Papa në hyrjen e librit me titull “Betlehemi im. Ju tregoj personazhet e Krishtlindjes”. – Herën e parë, për të njohur vendin ku Shën Françesku i Asizit shpiku betlehemin, pra, skenën e lindjes së Krishtit, diçka që karakterizonte edhe fëmijërinë time: në shtëpinë e prindërve, në Buenos Aires, nuk mungonte kurrë kjo shenjë e Krishtlindjes, madje, edhe para se të bëhej pema.

         Herën e dytë – vazhdon tregimin Françesku - u ktheva me dëshirë në atë vend, sot, në provincën e Rietit (Itali), për të nënshkruar Letrën Apostolike “Admirabile signum” mbi kuptimin dhe rëndësinë e betlehemit shtëpiak në ditët e sotme. Në të dyja rastet, ndieva një emocion të veçantë, që buronte nga shpella, ku mund të admirohet një afresk mesjetar, i cili portretizon natën e Betlehemit dhe atë të Greccio-s, që artisti i ka vendosur si të ishin paralele.

         Emocioni i asaj pamjeje më shtyn të thellohem në misterin e krishterë, të cilit i pëlqen të fshihet brenda gjithçkaje, që është pafundësisht e vogël. Vërtet, mishërimi i Jezu Krishtit mbetet qendra e zbulesës së Hyjit, megjithëse harrohet lehtë se përhapja e kësaj zbulese është kaq e pazhurmë, saqë kalon pa u vënë re.

         Vogëlsia, në fakt, është rruga për ta takuar Zotin. Në një epitaf përkujtimor të Shën Injacit të Loyolës shkruhet: «Non coerceri a maximo, sed contineri a minimum, divinum est». Është hyjnore të kesh ideale, që nuk kufizohen nga asgjë ekzistuese, ama ideale, që njëkohësisht, përmbahen dhe përjetohen në gjërat më të vogla të jetës. Pra, nuk duhet të kemi frikë nga gjërat e mëdha, duhet të ecim përpara dhe të marrim parasysh gjërat më të vogla.

         Kjo është arsyeja pse ruajtja e frymës së betlehemit shtëpiak bëhet përfshirje e shëndetshme në praninë e Zotit, e cila dëftohet në gjërat e vogla të përditshme, nganjëherë krejt të zakonshme, që përsëriten. Detyra që na pret është dorëheqja nga gjithçka joshëse, që çon në rrugë të keqe, për të kuptuar dhe për të zgjedhur rrugët e Zotit. Në këtë drejtim, aftësia për shoshitje është dhuratë e madhe e nuk duhet të lodhemi kurrë duke e kërkuar me lutje. Barinjtë në betlehem janë ata, që e mirëpresin surprizën e Zotit dhe e përjetojnë takimin me Të me mahnitje, duke e adhuruar: në vogëlsi e përvuajtje, njohin fytyrën e Zotit. Të gjithë priremi të kërkojmë madhështinë, por gjetja e madhështisë së vërtetë është dhuratë: duhet të dimë ta gjejmë madhështinë në atë vogëlsi, që Zoti e do aq shumë.

         Në janar 2016 – vijon të shkruajë Papa Françesku në hyrjen e librit për betlehemin shtëpiak - takova të rinjtë e Rietit, në oazën e Krishtit Fëmijë, pikërisht mbi shenjtëroren e betlehemit. U kujtova atyre se natën e Krishtlindjes ka dy shenja, që na udhëheqin në njohjen e Jezusit. Njëra është qielli plot yje. Janë shumë, një numër i pafund, ata yje, por mes të gjithëve spikat një yll i veçantë, ai që i shtyn Mbretërit Dijetarë të nisen nga shtëpitë e tyre dhe të fillojnë një udhëtim, që nuk e dinin ku do t'i çonte. Kështu ndodh edhe në jetën tonë: në një çast të caktuar, një “yll” i veçantë na fton të marrim një vendim, të bëjmë një zgjedhje, të nisim një udhëtim. Ne duhet t'i kërkojmë me forcë Zotit të na lejojë ta shohim atë yll, i cili na shtyn drejt diçkaje më të madhe se jeta e përditshme, sepse ai yll do të na çojë të kundrojmë Jezusin, foshnjën e lindur në Betlehem, që dëshiron lumturinë tonë të plotë.

         Në atë natë, që u bë shenjte nga lindja e Shëlbuesit, gjejmë një shenjë tjetër të fuqishme: vogëlsinë e Hyjit. Engjëjt u tregojnë barinjve një fëmijë të lindur në grazhd. Jo ndonjë shenjë pushteti, madhështie apo mendjemadhësie. Jo! Zoti i amshuar bëhet krejt asgjë në një qenie njerëzore të pambrojtur, të butë dhe të përvuajtur. Zoti – vë në dukje Papa - e uli veten në mënyrë që ne të mund të ecnim me Të dhe që Ai të mund të vihej për udhë krah nesh, as mbi dhe as larg nesh.

         Habia dhe mahnitja janë dy ndjenjat, që i emocionojnë të gjithë, të rinj e të moshuar, para skenës së lindjes së Krishtit, e cila është si Ungjill i gjallë, që vërshon nga faqet e Shkrimit Shenjt. Nuk ka rëndësi si realizohet betlehemi shtëpiak, mund të jetë i njëjtë, ose mund të ndryshojë çdo vit; rëndësi ka që ai t’i flasë jetës.

         Biografi i parë i Shën Françeskut, Tomasi i Çelanos, - vijon tregimin Papa Bergoglio - përshkruan natën e Krishtlindjes së vitit 1223, 800-vjetori i së cilës kremtohet këtë vit. Kur mbërriti, Françesku e gjeti grazhdin me sanë, me kaun dhe gomarin. Përballë skenës së Krishtlindjes, njerëzit shfaqën një gëzim të papërshkrueshëm, të pa përjetuar më parë. Pastaj meshtari kremtoi solemnisht Eukaristinë, pikërisht mbi grazhd, duke treguar lidhjen ndërmjet Mishërimit të Birit të Hyjit dhe Eukaristisë. Në atë rast, në Greccio, nuk kishte asnjë shtatore të betlehemit: skena e lindjes së Krishtit u krijua dhe u përjetua nga ata që ishin të pranishëm.

Jam i sigurt  - e përfundon Papa hyrjen e librit me titull “Betlehemi im. Ju tregoj personazhet e Krishtlindjes” - se skena e parë e lindjes së Krishtit, e cila kreu një vepër të madhe ungjillëzimi, mund të ngjallë edhe sot mahnitje dhe mrekulli. Kështu, gjithçka nisi Shën Françesku me thjeshtësinë e asaj shenje, mbetet deri në ditët tona si formë e mirëfilltë e bukurisë së fesë sonë.

21 nëntor 2023, 11:32