Françesku lutet për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme: luftërat prodhojnë vetëm vuajtje
R. SH. - Vatikan
Të mos e harrojmë lutjen ngulmuese për të gjithë ata që vuajnë nga luftërat, në të katër anët e botës! Papa, edhe një herë, në përshëndetjet pas audiencës së përgjithshme sot, 22 nëntor, rifillon thirrjet për paqe. Kërkon paqe për "popullin e dashur të Ukrainës, për Ukrainën e martirizuar, për Izraelin e për Palestinën". E më pas flet për takimet që pati para audiencës me një delegacion të të afërmve izraelitë, pengje të Gazës dhe një tjetër të palestinezëve, me anëtarë të familjes nën bombardime, në Gaza.
“Ata vuajnë shumë: kam dëgjuar si vuajnë të dyja palët: këtë bëjnë luftërat, por këtu kemi shkuar përtej luftërave, kjo nuk është luftë, ky është terrorizëm”.
Lutuni shumë për paqen
“Lutuni për paqen, lutuni shumë për paqen!" - ngulmon përsëri Françesku - duke kërkuar ‘që Zoti të vërë dorë atje, që Zoti të na ndihmojë të zgjidhim problemet dhe të mos ecim përpara me pasione’, të cilët në fund të fundit i vrasin të gjithë. Lutja është për të dy popujt, palestinezët dhe izraelitët "që të vijë paqja".
Takime me izraelitë dhe palestinezë
Françesku, siç pohoi ditët e fundit drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, priti sot në dy takime të veçanta "të karakterit humanitar", siç e pati shpjeguar vetë Bruni, dy delegacionet: të izraelitëve dhe të palestinezëve për një gjest “afërsie shpirtërore me vuajtjet e të dyja palëve”.