Kërko

Françesku drekon me të varfërit, në një takim të paharrueshëm miqësie

Mbi 1200 vetë e pritën Papën në Sallën Pali VI që të hante drekën me ta, me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve

R.SH. – Vatikan

         Pritën që të mbaronte lutja e Engjëllit të Tënzot dhe më pas, e takuan, e përshëndetën dhe u ulën në tryezë me të. Të varfrit dhe shoqëruesit e tyre, gjithsej mbi 1200 vetë, mbushën Sallën Pali VI, shndërruar për këtë rast në një restorant të madh dhe të pazakontë, për drekën me Papën Françesku, traditë e Dotës Botërore të të Varfërve, sot, në edicionin e saj të shtatë. Ati i Shenjtë u dha të gjithëve bekimin e tij, duke e falënderuar Zotin për “takimin e përbashkët të miqësisë”, për drekën e për ata, që e përgatitën.

         Tryezat e shtruara, të zbukuruara me lule të bardha dhe të verdha, u bënë sfondi i fotografive, të cilat e përjetësuan atë çast të paharrueshëm mikpritjeje, vëmendjeje, kujdesi dhe dashurie për të gjithë ata, që, gjatë pjesës tjetër të vitit, jetojnë në rrugë, mes indiferencës së njerëzve, por që sot, u ulën të drekonin me Papën.

         Dreka u organizua nga Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Bamirësisë e, këtë vit, u ofrua nga Hilton Hotels, që pati kujdes të zgjedhë një menu për të gjithë, edhe për ata, që nuk janë të krishterë. Nuk munguan as ëmbëlsirat. Para se të largohej, Françesku bekoi dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuan në organizimin e drekës, sidomos për krijimin e atmosferës festive, ata që ndihmuan materialisht për realizimin e saj dhe natyrisht, gjithë të pranishmit që morën pjesë.

19 nëntor 2023, 14:38