Drama e Gazës i tregohet Papës nga palestinezët e izraelitët
R.SH. – Vatikan
“Nuk jemi vetëm numra”. Deri katër ditë më parë, Suhair Anastas jetonte në qytetin e Gazës, e strehuar në famullinë e Familjes Shenjte. Dje paradite ndodhej në Vatikan, në mesin e grupit të palestinezëve, që takuan Papën Françesku, para audiencës së përgjithshme të së mërkurës. “Arrita të largohem nga Gaza, së bashku me vajzën time 16-vjeçare, falë pasaportës kanadeze – shpjegon Suhair. – Në takimin që patëm me Papën, secili prej nesh tregoi ç’kemi pësuar. Të gjithë kishin histori të ndryshme, por të gjitha përfundonin njëlloj: njerëzit në Gazë po vdesin”.
Gruaja palestineze shpjegoi se ishte një nga ato “fatlumet”, që mundi të strehohej në një kishë, e cila “gjithsesi, nuk ishte vend i sigurt”, pasi nuk dihej nëse zgjoheshe “të nesërmen në mëngjes. Është përvojë e tmerrshme. Kur i lë të gjithë atje, pas vetes, ndihesh vërtet fajtor”. Ajo i tregoi Papës vështirësitë e udhëtimit për të ardhur në Evropë, duke mbajtur gjatë gjithë rrugës një flamur të bardhë, së bashku me një grup prej shtatë vetësh, ndërmjet të cilëve një fëmijë 1-vjeçar dhe një 7-vjeçar .
Suhair dhe grupi i palestinezëve, pritur nga Papa, kanë humbur miq e familjarë, për shkak të bombardimeve izraelite. “Pjesa më e vështirë – pohoi Suhair – është kur nuk di ç’po ndodh përreth. Nganjëherë mendon se po ndodhi ndonjë gjë, familja as nuk do ta marrë vesh". Ndërkaq, familja e saj e pret në Jordani, ku jetojnë edhe dy fëmijët e tjerë, studentë të universitetit. “Ëndërroj një jetë të sigurt. Tani nuk na ka mbetur asgjë. Nuk kemi plane për të ardhmen. Shpresoj se do të jetë e mundur të kthehemi në Gaza”, përfundoi gruaja palestineze.
Po dje, para audiencës së përgjithshme, Papa priti edhe 12 familje të pengjeve izraelite, rëmbyer nga Hamasi në Rripin e Gazës. Në konferencën për shtyp, që pasoi, mediat e Vatikanit intervistuan Rachel Goldberg, nënën e djaloshit 23-vjeçar, sekuestruar më 7 tetor nga Hamasi. “Ishte – thotë ajo për audiencën me Papën - një takim shumë intensiv, megjithëse i shkurtër, në të cilin Ati i Shenjtë shprehu afërsinë dhe dhembshurinë e tij për ne. Papa na e përsëriti shpresën që të heshtin armët. Kjo situatë absurde dhe e tmerrshme, që filloi më 7 tetor, ka sjellë shumë viktima të pafajshme, si djali im Hersh, por edhe shumë civilë të pafajshëm palestinezë. Do të dëshironim të rrinim më tepër me Papën, por e ndjemë mbështetjen dhe dashurinë e tij”.
“Papa Françesku – vazhdon Rachel – nuk është vetëm udhëheqës shpirtëror i dy miliardë të krishterëve, por edhe autoritet moral i padiskutueshëm në mbarë botën. Ai dëgjohet gjerësisht edhe në botën myslimane dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne. Zëri i tij ndikon tek të fuqishmit e Tokës, që edhe ata të jenë të vetëdijshëm se sot ka përparësi lirimi i pengjeve. Nëse 50 të parët u liruan, nuk duhet harruar se 190 prej tyre mbeten ende në duart e rrëmbyesve. Shpresoj sidomos që të autorizohet Kryqi i Kuq për të vizituar pengjet; mendoj për djalin tim të plagosur në krah, por edhe për të gjithë të tjerët”.