Dhimbja e Papës për aksidentin në stadiumin e Brazavilit
R.SH. – Vatikan
Në një telegram dërguar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Kongos, imzot Bienvenu Manamika Bafouakouahouh, kryeipeshkëv metropolit i Brazavilit, Papa shpreh dhimbjen për aksidentin tragjik, që ndodhi të hënën mbrëma në stadiumin Michel d'Ornano të kryeqytetit të Republikës së Kongos, për shkak të trazirave gjatë rekrutimit të forcave të armatosura.
Në tekstin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Françesku i siguron familjarët e viktimave për afërsinë e tij shpirtërore dhe "i kërkon të Plotfuqishmit t'u japë lumturi të përjetshme të ndjerëve dhe të mbështesë familjet në dhimbjen e tyre". Ati i Shenjtë fton të tregohet solidaritet vëllazëror dhe shpirtëror me njerëzit e përfshirë në ngjarje dhe shpreh mirënjohjen për të gjithë ata, që u dhanë ndihmën e parë të rinjve në vështirësi, pas incidentit.
Sipas bilancit të fundit, dhënë nga autoritetet, kanë humbur jetën 31 vetë.