Kërko

Papa: Maria i frymëzoftë liderët e kombeve që të kërkojnë shtigje paqeje

O Mari, shikona ne! Jemi këtu, përballë Teje. Ti je Nënë, ti i njeh betejat dhe plagët tona. Ti, Mbretëreshë e Paqes, vuan me ne dhe për ne, duke parë fëmijët e tu të shumtë të tronditur nga konfliktet e të tmerruar nga luftërat që copëtojnë botën. Në këtë orë të errët, i ngulim sytë tanë në sytë e tu të ndritshëm dhe ia besojmë veten zemrës sate, që i ndjen problemet tona.

R.SH. / Vatikan

Urata e Papës, në përfundim të orës së lutjes Pacem in Terris, mbajtur sot në orën 18.00 në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, kremtim që mbylli ditën e sotme të agjërimit, lutjes dhe pendesës për paqen në Lindje të Mesme dhe në të gjitha vendet të goditura nga lufta.

O Mari, shikona ne! Jemi këtu, përballë Teje. Ti je Nënë, ti i njeh betejat dhe plagët tona. Ti, Mbretëreshë e Paqes, vuan me ne dhe për ne, duke parë fëmijët e tu të shumtë të tronditur nga konfliktet e të tmerruar nga luftërat që copëtojnë botën. Në këtë orë të errët, i ngulim sytë tanë në sytë e tu të ndritshëm dhe ia besojmë veten zemrës sate, që i ndjen problemet tona.

As Ty nuk të munguan ankthet e frika: sa shqetësim, kur nuk kishte strehë për Jezusin, sa frikë kur ike në Egjipt me nxitim, sepse Herodi donte ta vriste, sa ankth kur e humbe atë në tempull! Por në sprova Ti ishe guximtare: i besove Hyjit dhe frikës iu gjegje me kujdes, urrejtjes me dashuri, ankthit me ofertë. Nuk u ktheve pas, por në çastet vendimtare more nismën: shkove shpejt tek Elizabeta; në dasmën e Kanës nxore nga Krishti mrekullinë e parë; në Çenakull i mbajte të bashkuar dishepujt. E kur në Kalvar një shpatë ta përshkoi tejendanë shpirtin, ti, grua e përvuajtur dhe e fortë, e ende natën e dhimbjes me shpresën e Pashkëve.

Tani, o Nënë, merre edhe një herë nismën për ne, në këto kohë të trazuara nga konfliktet dhe të shkatërruara nga armët. Ktheji sytë e ty plot mëshirë nga familja njerëzore, e cila e humbi rrugën e paqes, zgjodhi Kainin, jo Abelin e, duke humbur ndjenjën e vëllazërisë, nuk mund ta gjejë më atmosferën e shtëpisë. Ndërmjetëso për botën tonë ndër rreziqe e trazira. Na mëso ta mirëpresim jetën dhe të kujdesemi për të - për çdo jetë njerëzore - e ta flakim çmendurinë e luftës, e cila mbjell vdekjen e rrafshon të ardhmen.

Mari, shumë e shumë herë erdhe të na takosh, duke na kërkuar lutje dhe pendesë. E ne, të zënë me punët tona dhe të habitur nga interesat e kësaj bote, e bëmë veshin shurdh për ftesat tua. Por Ti, që na do, mos u lodh kurrë me ne. Na merr për dore, na prij drejt kthimit, na ndihmo ta vëmë Zotin në krye të vendit. Ndihmona ta ruajmë unitetin në Kishë dhe të jemi artizanë të bashkimit në botë. Na e kujto rëndësinë e rolit tonë, na bëj të ndihemi përgjegjës për paqen, të thirrur për t'u lutur dhe për të adhuruar, për të ndërmjetësuar dhe për ta korrigjuar gjithë racën njerëzore.

Nuk mund ta bëjmë vetëm! Pa Birin tënd nuk mund të bëjmë asgjë. Por Ti na prij përsëri te Jezusi, paqja jonë. Prandaj, o Nënë e Zotit dhe e jona, ne vijmë te ti, kërkojmë strehim në Zemrën tënde të papërlyer. Kërkojmë mëshirë, o Nënë e mëshirës; paqe, o Mbretëreshë e paqes! Shkunde shpirtin e atyre që ranë në kurthin e urrejtjes, ktheji në rrugën e paqes, ata që ushqejnë e ndezin konflikte. Teri lotët e fëmijëve, ndihmoji të vetmuarit e të moshuarit, përkrahi të plagosurit dhe të sëmurët, mbroji ata që u detyruan të largohen nga atdheu dhe njerëzit e tyre më të dashur, ngushëlloji të dëshpëruarit, rizgjoje shpresën!

Ne ta besojmë dhe ta kushtojmë jetën tonë, çdo fibër të qenies sonë, çka kemi dhe çka jemi, përgjithmonë e jetës. Po ta kushtojmë Kishën që, duke i dëshmuar botës dashurinë e Jezusit, të jetë shenjë harmonie dhe mjet paqeje. Po ta kushtojmë botën tonë e, sidomos, vendet dhe zonat në luftë.

Ti, agim i shpëtimit, hapi vezullimet e dritës në natën e konflikteve. Ti, banesa e Shpirtit Shenjt, frymëzo rrugë paqeje për prijësit e kombeve. Ti, Zonjë e të gjithë popujve, pajtoji bijtë e tu, të joshur nga e keqja e të verbuar nga pushteti dhe urrejtja. Ti, që je pranë secilit prej nesh, na i shkurto distancat. Ti, që ke dhembshuri për të gjithë, na mëso të kujdesemi për të tjerët. Ti, që zbulon butësinë e Zotit, na bëj dëshmitarë të ngushëllimit të Tij. Ti, Mbretëresha e Paqes, dikoje harmoninë e Zotit në zemrat tona. Amen.

27 tetor 2023, 16:02