Kërko

2023.10.19 Papa in preghiera 2023.10.19 Papa in preghiera

Thirrjet e Papës, një zë paqeje ndërmjet fronteve të luftës shkatërrimtare botërore

Në prag të 27 tetorit 2023, ditë që Papa na fton t'ia kushtojmë lutjes për pajtim në Lindjen e Mesme, kujtojmë rrethanat në të cilat Pasardhësi i Pjetrit mobilizoi shpirtërisht katolikët dhe të tjerët për të kërkuar dhuratën e vëllazërimit. Nga Siria, në Sudanin e Jugut e në Kongo, nga Libani në Afganistan, thirrja e Papës është t'i themi jo dhunës, e cila është gjithmonë humbje për njerëzimin.

R.SH. / Vatikan

Kërkimi i paqes, parë si 'shqetësim' që nuk e lë zemrën në paqe. Këtë ka vendosur të bëjë Papa Françesku në dhjetë vitet e papnisë, duke mos e humbur rastin, duke ftuar disa herë besimtarët dhe jobesimtarët të jetojnë ditë agjërimi dhe lutjeje pikërisht që të ‘kërkonin” këtë dhuratë të çmuar.

Agjërim dhe lutje: binom, në të cilin njëri ushqen tjetrën, në mënyrë reciproke, duke krijuar një hapësirë ​​ndërprerjeje në krahasim me ritmet e përditshme dhe një qëndrim të hapur për mikpritje. Përjetimi i një gjendjeje ligështie është formë çarmatimi, ndërgjegjësim për vuajtjet e të tjerëve, që nxit ndjeshmërinë dhe vëllazërinë, një ndjenjë privimi, që distancon egocentrizmin dhe na fton të ndihemi të lidhur, jo në konflikt, me të tjerët.

7 shtator 2013: paqe në Siri, të marrë fund ushtima e armëve

Ishte viti 2012, lufta civile në Siri po lëshonte rrënjë: tre të katërtat e rebelëve kundër regjimit qeveritar u përshkuan nga një komponent ekstremist salafist. Konflikti u bë rajonal. Më 7 shtator, Papa Françesku shpalli atë që e kujtojmë sot si Ditën e parë të Lutjes dhe Agjërimit për Paqe “në kombin e dashur sirian, në Lindjen e Mesme, në mbarë botën!”. Në mbrëmësoren e lutjes, në tremen e Kishës, në Sheshin e Shën Pjetrit, mijëra vetë u mblodhën për të drejtuar vështrimin e tyre në të njëjtin rajon që ende sot vuan pasojat e shkatërrimit, të dhimbjes dhe të vdekjest. "Bota e Zotit është një botë në të cilën secili ndihet përgjegjës për tjetrin, për të mirën e tjetrit" - kujtoi Papa. "Kur prishet harmonia, ndodh një metamorfozë: vëllai që duhet të ruhet e të duhet, bëhet "kundërshtar për t’u luftuar, për t’u shtypur'. Më pas denoncimi i faktit se “i përsosëm armët, ndërgjegjen na e zuri gjumi, i stërholluam arsyet tona të shfajsimit”. Dhe thirrja: “Dhuna, lufta, sjellin vetëm vdekje, flasin vetëm për vdekje! […] lufta është gjithmonë disfatë për njerëzimin”.

23 shkurt 2018: Sudani i Jugut dhe RD e Kongos i thonë jo dhunës

Ishte e premtja e parë e Kreshmëve. Papa dhe Kuria Romake përfunduan Ushtrimet Shpirtërore në atë, që ishte konceptuar si ditë e veçantë agjërimi dhe lutjeje për popujt sudanezë të jugut dhe kongolezë. Shqetësimi i Papës për këto dy vende, ku vetëm pesë vjet më vonë do të kryhej shtegtimi i shumëdëshiruar apostolik, shprehej ende në ftesën për të mbjellë farët e paqes, atje ku lufta civile dhe paqëndrueshmëria politike në vend të saj, mbjellin vdekje, pasiguri, terror.

Më 23 nëntor 2017, Pasardhësi i Pjetrit mori pjesë në nismën e lutjes për këto kombe, në Bazilikën e Vatikanit, duke u kërkuar edhe jo-katolikëve dhe jo-të krishterëve të gjenin rrugët e duhura për t'i thënë konkretisht 'jo' dhunës. “Sepse – pati shpjeguar Papa – fitoret e arritura me dhunë, janë fitore të rreme; ndërsa puna për paqen u bën mirë të gjithëve!”. Me atë rast, mendimi shkonte në veçanti tek gratë viktima të dhunës në zonat e luftës, për "fëmijët që vuajnë për shkak të konflikteve të huaja për miturinë e tyre, ndonëse ua rrëmbejnë fëmijërinë, e ndonjëherë, edhe jetën". Thirrja kërkonte t’i jepej fund çdo forme  hipokrite të heshtjes apo të mohimit të masakrave kundër grave dhe fëmijëve. Këtu, ku lufta tregon fytyrën e saj më të tmerrshme”. E, më pas, thirrja për pushtetarët që të përshkohen nga një shpirt fisnik, i drejtë, i vendosur dhe guximtar në kërkimin e paqes, “nëpërmjet dialogut dhe negociatave”.

4 shtator 2020: rindërtimi i Libanit, për të mirën e përbashkët

Një muaj pas tragjedisë që goditi Libanin, me shpërthimin në portin e qytetit të Bejrutit, në audiencën e përgjithshme të 2 shtatorit 2020 Papa Françesku ftonte për një ditë universale agjërimi dhe lutjeje që t'i kushtohej, në shenjë solidariteti, më 4 shtator, Tokës së Kedrave. Sepse, siç pati përsëritur Shën Gjon Pali II në vitin 1989, "Libani nuk mund të braktiset në vetminë e tij". Në këtë rast, edhe pse nuk kishte konflikt të vazhdueshëm, stabiliteti politik, ekonomik dhe social i vendit ishte në rrezik. Duke pasur parasysh se toleranca, respekti, bashkëjetesa dhe pluralizmi plazmuan shoqërinë libaneze, duke e bërë unike në rajon, "për të mirën e vetë vendit – pati theksuar Françesku - por edhe të botës, ne nuk mund të lejojmë që kjo trashëgimi të humbasë".

Inkurajimi ishte të vazhdonim të shpresonim dhe të gjenim forcën e nevojshme për të filluar përsëri. Kërkesa drejtuar politikanëve dhe krerëve fetarë ishte “të angazhohen me sinqeritet dhe transparencë në punën e rindërtimit, duke braktisur interesat partiake dhe duke i shërbyer së mirës së përbashkët dhe të ardhmes së kombit”. Kjo nxitje e Papës drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur vendin e për ta ndihmuar të dalë nga kriza e rëndë. Më 4 shtator, kardinali Parolin do të përfaqësonte Papën në vendin e Lindjes së Mesme dhe do të çonte mesazhin e tij këtu, në mënyrë që Libani "të realizonte thirrjen e tij për vëllazërim".

29 gusht 2021: thirrje për popullin e vuajtur afgan

“Shpeshoni lutjet dhe praktikoni agjërimin, lutje e agjërim, lutje e pendesë, ky është çasti për ta bërë këtë”: kështu shprehej Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të dielën e fundit të gushtit dy vjet më parë, në kulmin e krizës në Afganistan. Vendin aziatik, që përjetonte javë të tmerrshme me kthimin e dhunshëm në pushtet të talebanëve, Papa e këshillonte t'i kërkonte Zotit mëshirë dhe falje. “E kam seriozisht” - saktësonte në ato çaste tragjike, i bindur se lutja dhe agjërimi janë shpëtimtare, nëse respektohen me sinqeritet, gjë që duhej marrë seriozisht. Nuk u shpall, prandaj, një datë e caktuar në të cilën për t’u mbledhur në këtë mënyrë, por populli i Zotit u mobilizua që të mos tregohej indiferent ndaj një popullsie “të vënë në prova aq të rënda". Edhe në këtë rast, Papa shqetësohej kryesisht për gratë dhe fëmijët, për të cilët kërkoi ndihmë dhe mikpritje. Bashkësia e Shën Egidit, e mbledhur në Romë më 15 shtator, në zemër të Trasteveres, sipas synimeve të Papës, iu përgjigj me shqetësim të veçantë ftesës së Bergoglios, me vetëdijen se agjërimi dhe lutja nuk janë përvoja anakronike ose spiritualiste.

2 mars 2022: paqe në Ukrainë, Zoti do që të jemi vëllezër, jo armiq

“Mbretëresha e Paqes e ruajtë botën nga çmenduria e luftës”: këto, fjalët e Françeskut në audiencën e përgjithshme të 23 shkurtit, vitin e kaluar, kur skenari në Ukrainë dukej se ishte i komprometuar. Papa kërkonte që e mërkura e përhime, më 2 mars, të jetohej me lutje dhe agjërim për paqen në vend. Fjalë tragjikisht profetike: një ditë pas thirrjes, ushtria ruse sulmoi kombin ukrainas. Ata që kanë përgjegjësi politike duhet të shqyrtojnë seriozisht ndërgjegjen e tyre përpara Zotit - pohonte Pasardhësi i Pjetrit – Para Atij, që "është Perëndia i paqes dhe jo i luftës, Ati i të gjithëve, jo vetëm i disave, ai, që dëshiron të jemi vëllezër dhe jo armiq. I lutem të gjitha palëve të përfshira - vazhdonte Papa - të përmbahen nga çdo veprim që shkakton edhe më shumë vuajtje për popullsinë, destabilizimin e bashkëjetesën ndërmjet kombeve dhe diskreditimin e ligjit ndërkombëtar”. Do të pasonin shumë të tjera, dhjetra e dhjetra thirrje, me zemër të plasur nga vuajtjet. E populli i Zotit do të lutej pa u lodhur kurrë, me vigjilencë e besim, duke kërkuar mëshirë, pendesë e pajtim.

26 tetor 2023, 10:01