Kërko

Thirrja e Papës për të zhvendosurit dhe dialogun në Nagorno-Karabak

Mbi njëqind mijë njerëz që ikën nga rajoni i Kaukazit drejt Armenisë janë në qendër të mendimeve të Papës pas lutjes së Engjëllit të Tënzot. Një lutje edhe për viktimat e aksidentit të Stepanakertit, për paqen në Ukrainë, për misionet dhe për Sinodin e ardhshëm. Më 15 tetor shpallja e publikimit të një nxitjeje apostolike kushtuar Shën Terezës së Jezusit Fëmijë.

R.SH. – Vatikan

Tragjedia humanitare që vazhdon në Nagorno-Karabak, ku mbi 100 mijë banorë janë detyruar të ikin drejt Armenisë për shkak të luftës, është në qendër të mendimeve të Papës Françeskut, pas lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. "Po ndjek në këto ditë situatën dramatike të të zhvendosurve në Nagorno-Karabak", tha Papa, duke rinovuar thirrjen e tij për dialog midis Azerbajxhanit e Armenisë "dhe duke shpresuar se bisedimet midis palëve me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar do të favorizojnë një marrëveshje të qëndrueshme që do t'i japë fund krizës humanitare".

Sot mbërriti misioni i OKB-së

Sipas Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, nevojiten rreth 22 milionë dollarë për të ndihmuar njerëzit që ikin dhe pikërisht në këto orë një mision i Kombeve të Bashkuara ka mbërritur në rajon për të vlerësuar nevojat humanitare të popullsisë, siç njoftoi një zëdhënës i presidencës së Azerbajxhanit. Kjo është hera e parë në 30 vjet që institucioni më i lartë ndërkombëtar ka arritur të ketë akses në rajon.

Një lutje për paqen në Ukrainën e torturuar

Papa Françesku më pas siguroi lutjet e tij për viktimat e shpërthimit të depos së karburantit që shkaktoi vdekjen e 170 njerëzve të hënën e kaluar pranë qytetit të Stepanakert, qytetit kryesor në rajon. Një lutje tjetër Papa bëri edhe për paqen "në Ukrainën e munduar dhe në të gjitha vendet e plagosur nga lufta".

Tetori, muaji i Rruzares dhe i misioneve

Sot, në fillim të muajit, Papa kujtoi se tetori është muaji i Rruzares shenjte dhe i misioneve. "I nxis të gjithë të përjetojnë bukurinë e lutjes së Rruzares," tha Ati i Shenjtë Françesku, "duke soditur me Marinë misteret e Jezu Krishtit dhe duke thirrur ndërmjetësimin e saj për nevojat e Kishës dhe të botës". Objekt i lutjeve të Françeskut është edhe ungjillëzimi i popujve dhe Sinodi i Ipeshkvijve, "i cili këtë muaj do të mbajë Asamblenë e parë mbi temën e sinodalitetit të Kishës".

Më 15 tetor, nxitja apostolike për Shën Terezinën

Pasi kujtoi lumturimin, dje në Piacenza, Itali, të don Giuseppe Beottit, i cili u vra nga urrejtja për fenë në vitin 1944, një "bari sipas zemrës së Krishtit" dhe që "nuk hezitoi të ofrojë jetën e tij për të mbrojtur grigjën e popullit të Zotit që i ishte besuar atij”, Papa kujtoi Shën Terezën e Jezusit Fëmijë, “Shën Terezinën”, e cila përkujtohet sot nga kalendari i Kishës, - 150 vjetorin e lindjes të së cilës shënojmë sivjet -. "Shenjtores së besimit" dhe mesazhit të saj Papa do t'i kushtojë një nxitje apostolike e cila do të publikohet më 15 tetor të ardhshëm.

01 tetor 2023, 14:48