Kërko

Të lutemi për Papën, për misionin e tij ndaj grigjës, besuar nga Jezusi

Në videomesazhin e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, me ndjetin për muajin nëntor, Françesku i kërkon popullit të Zotit të lutet për të. “Të jesh Papë nuk do të thotë të humbësh humanizmin”, pranon Ati i Shenjtë, duke saktësuar se është një udhëtim në të cilin mëson të jesh “më i përzemërt, më i mëshirshëm dhe, mbi të gjitha, më i durueshëm”. Ai kërkon dashamirësi dhe bindje ndaj Shpirtit Shenjt në ushtrimin e misionit të tij

R.SH. - Vatikan

Është bërë zakon që Papa Françesku, në fund të audiencave dhe fjalimeve, t’i përshëndesë të pranishmit me shprehjen: “mos harroni të luteni për mua”. Në videomesazhin e përgatitur nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, me ndjetin e Atit të Shenjtë për muajin nëntor, kjo formulë propozohet me një ton edhe më intim e konfidencial.

Lutja e popullit të Zotit që t’i japë forcë Papës

Papa ua hap zemrën besimtarëve, duke pranuar, edhe një herë, se ai ka nevojë për lutje që të vazhdojë shërbesën e tij Pjetrine. Pamjet, që shoqërojnë fjalët e Pasardhësit të Pjetrit janë një histori e shkurtër, emocionuese, e papnisë të tij. Krahas momenteve më të njohura, siç janë çastet e para pas zgjedhjes si Papë, ka edhe të tjera, pothuajse të panjohura, me përqafime dhe lutje në vende të ndryshme të botës. Populli i Zotit e Françesku të bashkuar nga humanizmi.

Kërkojini Zotit të më bekojë. Lutjet tuaja më japin forcë dhe më ndihmojnë në shqyrtimin e çështjeve dhe në shoqërimin e Kishës, duke dëgjuar Shpirtin Shenjt. Të jesh Papë nuk do të thotë të humbasësh humanizmin. Përkundrazi, humanizmi im shtohet çdo ditë e më shumë me popullin e shenjtë dhe besnik të Zotit.

Të mësosh si të jesh Papë

Kushdo i kujton fjalët e para të Françeskut të sapozgjedhur Papë, dhjetë vjet më parë, të shqiptuara përpara se t'u jepte bekimin, si Ipeshkëv i Romës, besimtarëve e njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan: "Ju kërkoj t'i luteni Zotit të më bekojë", tha me atë rast. Atëherë, ai i vuri vulën rëndësisë së "lutjes së popullit", e cila do të vihej në qendër të fjalimeve të tij jo vetëm një herë. Në atë rast, tejet të veçantë, Bergoglio kërkoi me përvuajtëri bekimin para një turme në ​​heshtje. Sot, në fund të një muaji intensiv, atij të tetorit, në të cilin Kisha universale u angazhua, nëpërmjet delegatëve të saj, në punimet e Sinodit për sinodalitetin, Papa bashkëndan një koncept kyç: njerëzit nuk janë monolitë, ata ndryshojnë, sepse janë pjesë përbërëse të procesit, në të cilin përfshihet shoqëria e, edhe e gjithë Kisha:

Sepse edhe të jesh Papë është proces. Bëhesh i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të jesh bari. Dhe në këtë proces mëson të jesh më i përzemërt, më i dashur, më bamirës,​​ më i mëshirshëm dhe, mbi të gjitha, më i durueshëm, si Zoti, Ati ynë, i cili është kaq i durueshëm. Imagjinoj se të gjithë Papët, në fillim të papnisë së tyre, kanë pasur atë ndjenjë frike, marramendjeje, të njeriut që e di se do të gjykohet ashpër. Sepse Zoti do të kërkojë nga ne ipeshkvijtë të japim llogari serioze për veprimet tona.

Të lutemi për dhuratën e Shpirtit Shenjt dhe të jemi të bindur për ndihmën e tij

Shpirti Shenjt është protagonist: shprehje, që Papa Françesku e përsëriti pambarimisht kur ishte fjala për shoshitjen sinodale. Të njëjtën gjë thotë edhe në videomesazh. At Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, nënvizon se nëntori bëhet kështu "një muaj për ta ndier Kishën", siç thonë Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës. Dhe se “kjo ndjesi çon në përzemërsi e dashamirësi” edhe për Papën. Për këtë duhet t’i lutemi Shpirtit Shenjt, siç pohon edhe vetë Bergoglio:

Ju lutem, ju kërkoj të gjykoni me mirësi. Dhe të lutemi që Papa – kushdo qoftë ai, sot është radha ime – të ndihmohet nga Shpirti Shenjt dhe t’i bindet Atij. Të lutemi për Papën, që në ushtrimin e misionit të tij të vazhdojë ta shoqërojë me besim grigjën, që i është besuar nga Jezusi, gjithmonë me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Ta bëjmë në heshtje këtë lutjen tuaj për mua. E lutuni për mua! Ju lutem!

31 tetor 2023, 16:08