Kërko

Papa: Ungjilli nuk mund të predikohet në mënyrë abstrakte, duhet të jetë gjithmonë i inkulturuar

Uniteti, inkulturimi dhe liria ishin tre aspektet e rëndësishme që nënvizoi Papa Françesku kur u paraqiti besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, dëshminë e shenjtorëve Kirili dhe Metodi, të njohur në Lindjen e Krishterë edhe si bashkëpajtorë të Evropës. Dy "apostujt e sllavëve" e patën shpallë Ungjillin në gjuhën që flisnin popujt tek të cilët qenë dërguar. "Feja duhet të jetë e inkulturuar e kultura duhet ungjillëzuar, gjithmonë"

R.SH. - Vatikan

Të lindur në Greqi në shekullin e 9-të, në një familje aristokrate, hoqën dorë nga karriera e tyre politike, për t'u bërë murgjër. Ishin vëllezër shenjtorët Çirili dhe Metodi, të quajtur edhe "apostujt e sllavëve". Pikërisht atyre Papa Françesku ua kushtoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke vazhduar ciklin e reflektimeve mbi zellin apostolik.

Pavarësisht nga qielli i ngarkuar me re, që paralajmëronin shi, Françesku, nuk hoqi dorë nga përshëndetja me besimtarët dhe shtegtarët e pranishëm dhe mori disa fëmijë me vete në Papamobil, i shoqëruar nga tingujt festivë të një bande muzikore.

Feja e folur në gjuhën amtare

Dëshira për jetë vetmitare, e jetuar nga Çirili dhe Metodi, nuk zgjati shumë - kujtoi Papa -  sepse "ata u dërguan si misionarë në Moravinë e Madhe", e cila qe ungjillëzuar pjesërisht, por ku "kishin mbetur shumë zakone dhe tradita pagane".

Ndjehej nevoja të shpjegohej besimi në gjuhën e atyre popujve ende pa alfabet. Dy vëllezërit studiuan kulturën vendase, të vetëdijshëm se vetëm në këtë mënyrë këta popuj do të kishin mundësi ta kuptonin Shkrimin e Shenjtë. Çirili ngulte këmbë: "E kush mund të shkruajë një fjalim mbi ujë?":

Për të kumtuar Ungjillin dhe për t'u lutur, nevojitej mjeti i nevojshëm, i përshtatshëm, i veçantë. Kështu ai shpiku alfabetin glagolitik e i përktheu me të Biblën dhe tekstet liturgjike. Njerëzit e ndjenë se ajo fe e krishterë nuk ishte më “e huaj”, ishte inkulturuar, bëhej feja e tyre, e folur në gjuhën e tyre amtare”.

Papa miraton tekstet liturgjike në sllavisht

Megjithatë, nisma e dy murgjërve hasi kundërshtime nga latinët, të cilët besonin se Zoti mund të lavdërohet "vetëm në tri gjuhët e shkruara mbi kryq: hebraisht, greqisht dhe latinisht". Shqetësimi i tyre - komentoi Françesku - diktohet nga frika e humbjes së "monopolit të predikimit ndërmjet sllavëve" dhe autonomisë së tyre:

Por Çirili përgjigjet me forcë: Zoti do që çdo popull ta lavdërojë në gjuhën e vet. Së bashku me vëllain e tij, Metodin, i bëri thirrje Papës dhe ai miratoi tekstet e tyre liturgjike në gjuhën sllave, i vendosi në altarin e kishës së Shën Marisë së Madhe dhe i këndoi me ta lavdet e Zotit sipas atyre librave”.

 Unitet, inkulturim, liri

Kështu Fjala e Perëndisë përhapet ndërmjet atyre popujve. E, si pa dëshminë e dy vëllezërve - kujton Françesku - "Shën Gjon Pali II i shpalli bashkëpajtorë qiellor të Evropës duke shkruar për ta edhe enciklikën “Slavorum Apostoli", në të cilën nënvizon tre aspekte: para së gjithash unitetin. "Në atë kohë në Evropë kishte një krishterim të pandarë, i cili bashkëpunonte për të ungjillëzuar”. Së dyti, inkulturimin. Papa shprehet:

Ungjillëzimi i kulturës dhe inkulturimi dëshmojnë se ungjillëzimi dhe kultura lidhen ngushtë. Nuk mund të predikosh një Ungjill abstrakt, të distiluar, jo: Ungjilli duhet inkulturuar parë si shprehje e kulturës”.

Liria ka nevojë për guxim

Aspekti i tretë është liria. “Duhet liri - nënvizoi Françesku - por liria ka gjithmonë nevojë për guxim, sa më i guximshëm të jetë njeriu, aq më i lirë bëhet dhe nuk lejon askënd ta lidhë me zinxhirët e një mori gjërash, që ia rrëmbejnë lirinë”. Duke iu afruar kështu përfundimit të katekizmit, Papa Françesku u drejtoi besimtarëve ftesën:

Vëllezër e motra, të kërkojmë nga Shenjtorët Çirili dhe Metodi, apostuj të sllavëve, të jenë mjete ‘lirie në bamirësi’ për të tjerët. Jini krijues, jini të pandryshueshëm dhe të përvuajtur, me lutje dhe shërbim”.

25 tetor 2023, 10:37

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >