Kërko

2023.10.07 Membri della Confraternita della Madre di Dio di Montserrat 2023.10.07 Membri della Confraternita della Madre di Dio di Montserrat

Papa: Vëllazërisë së Zojës së Montserratit, "Maria është nëna e të refuzuarve"

Papa priti sot në audiencë anëtarët e Vëllazërisë së Zojës së Montserratit me rastin e 800-vjetorit të themelimit. Virgjëra Mari, tha Françesku, "di të dëgjojë shumë gjëra, shumë kërkesa", edhe kur ato lindin nga një zemër e dyfishtë, nga një zemër që nuk është sikur do të donim në përkim me vetveten.

R.SH – Vatikan

Paraditen e sotme, Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, anëtarët e Vëllazërisë së Nënës së Zotit të Montserratit (Spanjë), me rastin e 800-vjetorit të themelimit të saj. “Ju keni ardhur si shtegtarë në Romë për të kremtuar dhe falënderuar Zotin, për praninë kaq të afërt të Marisë Virgjër, sa ajo ju ka shoqëruar për 800 vjet në udhëtimin tuaj”, tha Papa në fjalën e tij.

“Të kremtosh Marinë do të thotë të kremtosh afërsinë dhe përdëllimin e Zotit që është me popullin e tij, që nuk na lë të vetëm, që na ka dhënë një Nënë që kujdeset për ne dhe na shoqëron”, u tha Papa, në spanjisht, anëtarëve të Vëllazërisë së Zojës së Montserratit, themeluar 800 vjet më parë me synimin për t'iu kushtuar përhapjes së devocionit ndaj Zojës së Bekuar.

Sot në ditën kur kremtohet Nëna Qiellore me titullin Zoja e Rruzares, Papa kujton se stili i Zotit është ai i afërsisë, përdëllimit dhe zemërdhembshurisë. Dhe evokon, në veçanti, një imazh: atë të Virgjërës së Montserratit, e ulur me Krishtin Fëmijën në krahë. Në dorën e djathtë ka një sferë që simbolizon universin: Maria është “Mbretëresha dhe Zonja e gjithë krijimit”. Papa nxiti ta mbajmë parasysh këtë thirrje të dyfishtë që ka Zoja "të jetë nëna e Zotit dhe nëna jonë". Dhe kujton se devocioni Marian është shumë domethënës në manifestimet e devotshmërisë së Popullit të Zotit:

Le të mendojmë, në këto 800 vjet pranie në Montserrat, sa besimtarë kanë vizituar shenjtëroren e saj, kanë lutur rruzaren dhe kanë i kërkuar me përulësi e thjeshtësi Morenetën ndërmjetësimin e saj për ta dhe për të dashurit e tyre!

Lindja e një bote të re

Virgjëra Mari e Montserratit, që bart simbolin e botës në duar, na fton gjithashtu të hapim shtigjet e vëllazërisë së vërtetë:

Ta jetojmë këtë vëllazëri universale, pa kufij, pa përjashtime, që largon hijet e një mjedisi të mbyllur. Maria është e vëmendshme jo vetëm ndaj Jezusit, por edhe ndaj "pjesës tjetër të pasardhësve të tij" (Zbulesa 12, 17). Ajo, me fuqinë e Jezusit të Ngjallur, dëshiron të lindë një botë të re, ku të gjithë jemi vëllezër, ku ka vend për çdo person të refuzuar në shoqëritë tona, ku shkëlqejnë drejtësia dhe paqja.

Shtegtimi i Vëllazërisë Nëna e Zotit e Montserratit

Janë mbi 800 shtegtarë katalanas nga Spanja që kanë ardhur në Romë për të festuar 800 vjetorin e themelimit të Vëllazërisë së Zojës së Montserratit. Pas takimit me Papa Françeskun, në oborrin e Shën Damaskut, në program janë disa momente të tjera domethënëse, mes të cilave, pasdite, kërcimi i sardanës, një valle tipike katalanase, në Hapësirën Schuster ngjitur me bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, në Romë. Nesër, pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Kryeipesvi i Barcelonës, Kardinali Juan José Omella, do të kryesojë Meshën e shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit.

07 tetor 2023, 12:53