Kërko

Shkatërrimi lënë pas nga uragani Otis, Meksikë Shkatërrimi lënë pas nga uragani Otis, Meksikë

Papa shpreh ngushëllime për viktimat e uraganit Otis në Meksikë

Papa Françesku shpreh ngushëllimet e tij për më se 25 viktimat e uraganit Otis, që goditi shtetin Guerrero të Meksikës

R.SH. – Vatikan

Uragani Otis, një stuhi rekord e kategorisë V, përfshiu të mërkurën shtetin Guerrero në Meksikën jugperëndimore, duke shkaktuar së paku 27 viktima dhe katër të zhdukur, përveç dëmeve të mëdha materiale.

Papa Françesku dërgon një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinaliPietro Parolin, për t'i shprehur ngushëllimet e tij kryeipeshkvit metropolit të Akapulkos, imzot Leopoldo Gonzalez.

Lutje dhe dashuri vëllazërore

Ati i Shenjtë nënvizon se u pikëllua jashtëzakonisht kur dëgjoi për dëmet e mëdha dhe për humbjen e jetëve njerëzore, shkaktuar nga uragani. Ai lutet me gjithë shpirt për “prehjen e të vdekurve” dhe i kërkon Zotit t'u japë “ngushëllimin e Tij të vuajturve nga uragani”. Gjithashtu, i kërkon bashkësisë së krishterë të shtetit Guerrero që, me bamirësi, “të kontribuojë në rindërtimin e zonave të prekura”.

Papa u dërgon “ngushëllimet familjeve të viktimave”, shpreh “shqetësimin e tij atëror dhe afërsinë shpirtërore me të lënduarit dhe të prekurit në bashkësinë e dashur të Akapulkos”. Ati i Shenjtë e përfundon telegramin me bekimin e tij apostolik, në shenjë "besimi dhe shprese në Krishtin e Ringjallur".

27 tetor 2023, 16:05