Kërko

Papa, rregulltarëve: trishtimi e shkatërron jetën e shuguruar, qofshi dhembshuria e Zotit

Françesku pret pjesëmarrësit në kapitullin e 26-të të përgjithshëm të Misionarëve të Zemrës së Krishtit dhe i fton ata, ashtu si themeluesi Át Chevalier, që përballë mjerimeve dhe padrejtësive të shumta në botë, të ndihmojnë të varfrit dhe emigrantët: “bëjeni të dukshme mëshirën e Jezusit përmes mirësisë suaj"

R.SH. – Vatikan

Përballë mjerimeve dhe padrejtësive të shumta në botë, "mos kini frikë të tregoni dhembshurinë e Zemrës së Krishtit", jepini mundësinë Jezusit "të dojë përmes jush" dhe lejojeni butësinë e Zotit, siç bëri themeluesi juaj, të "ndryshojë e, madje, edhe t’i përmbysë, nëse është e nevojshme, planet dhe projektet tuaja". E, ashtu si Zoti bëhuni të afërt e të dhembshur me të tjerët. Kështu i këshilloi sot Papa Françesku misionarët e Zemrës së Krishtit, të cilët i priti në audiencë, ndërsa marrin pjesë në kapitullin e 26-të të përgjithshëm të kongregatës së themeluar në vitin 1854, në Francë, nga Át Zhyl Shevalier.

Të njihet zemra e Krishtit përmes Ungjillit

Ati i Shenjtë u paraqiti atyre tre qëndrime të rëndësishme për jetën e rregulltarëve. Së pari, “ta njohin Krishtin përmes Ungjillit”, duke medituar jetën e tij. Vërtet, nënvizoi Papa, Jezusi bëhet shok udhe, si në Emaus.

“Át Shevalierit i pëlqente ta përkufizonte Ungjillin si libër "të Zemrës së Krishtit", ndërsa i ftonte të gjithë të mendonin për dashurinë bamirëse me të cilën Shëlbuesi shihte çdo varfëri, i lumtur të dikonte butësinë dhe dhembshurinë e Zemrës së tij mbi të vegjlit dhe të varfërit, mbi të vuajturit, mbi mëkatarët dhe mbi të gjitha mjerimet e njerëzimit”.

Thellohuni në Fjalën e Zotit bashkë me sivëllezërit

Kështu njihet zemra e Jezusit, pohoi Françesku: duke kundruar në Ungjill mëshirën e tij të pafundme. Por që kjo përvojë e fortë të bëhet dritë në udhën e kongregatës, vijoi Ati i Shenjtë, "duhet të kalojë edhe nga pasurimi përmes bashkëndarjes". E, ky është qëndrimi i dytë për rregulltarët: “thellohuni dhe kuptojeni Fjalën e Zotit në bashkëndarje vëllazërore” me të tjerët.

“Në Emaus, dishepujt, menjëherë pasi e njohën Jezusin, pyesin njëri-tjetrin me habi për ç’kanë përjetuar. Është ftesë edhe për ne që t’i japim njëri-tjetrit dhuratën e mrekullisë, e cila lind në zemër kur takojmë Zotin".

Papa u kujtoi rregulltarëve se kjo është trashëgimia, që u ka lënë themeluesi i tyre dhe i ftoi të ndjekin shembullin e tij, duke ndarë me sivëllezërit në fe takimin me Krishtin, në Fjalën e Tij, në Sakramente e në jetë.

Kumtimi i gëzueshëm i misionit

Prandaj, qëndrimi i tretë i rregulltarëve duhet të jetë “kumtimi i gëzueshëm i misionit”. Motoja e kapitullit të tyre të përgjithshëm, “Nga egoizmi në jehonë”, për Françeskun, është ftesë për të dalë nga vetvetja dhe për t’u kujdesur për “shtëpinë e përbashkët, familjen, bashkësinë, krijimin”. Papa u paraqet misionarëve sfidën e të varfërve e të migrantëve, por edhe mjerimet e padrejtësitë, që nuk mund t’i lënë indiferentë të krishterët, të cilët duhet ta bëjnë të dukshme dhembshurinë e Krishtit për të mënjanuarit e kësaj bote.

“I tillë është Zoti: i afërt, i dhembshur, i butë. Bëhuni të tillë edhe ju me të tjerët, silluni kështu me të tjerët. Por këtë afërsi, këtë dhembshuri, këtë butësi do ta keni veç në dialog me Jezusin. Lutja është tejet e rëndësishme për ta çuar këtë përpara, pa lutje gjërat nuk funksionojnë, nuk shkojnë".

Largojuni trishtimit, mos e shkatërroni jetën dhe thirrjen

Me falënderime për gjithçka bëjnë Misionarët, Papa u dha një këshillë të fundit…

“Largojuni trishtimit, që është krimb, i cili e shkatërron jetën personale dhe jetën e shuguruar, larg atij trishtimi që të hedh poshtë, jo larg trishtimit të mirë të pendimit, sepse ai është tjetër gjë, por larg trishtimit të përditshëm, që është krimb shkatërrimtar”.

02 tetor 2023, 11:33