Kërko

Pamje nga konflikti izraelito-palestinez Pamje nga konflikti izraelito-palestinez  (AFP or licensors)

Papa: pushojeni zjarrin! Hapësira për ndihmë dhe lirimi pengjeve

Pas kremtimit të Engjëllit në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku i nxiti të gjithë ta vazhdojmë kërkimin e paqes në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, si në Ditën e lutjes dhe të agjërimit, më 27 Tetor. Më pas kujtoi Palestinën dhe Izraelin, duke kërkuar që: “Askush të mos e braktisë mundësinë e ndalimit të armëve”. Bashkoi, më pas, zërin me thirrjen e famullitarit të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, Atë Ibrahim Faltas, për “armëpushim”: “Ndaluni, lufta është gjithmonë disfatë!”.

R. SH. - Vatikan

“Askush të mos e braktisë mundësinë e ndalimit të armëve! Të pushojë zjarri. Ndalojeni luftën! Është gjithmonë humbje, gjithmonë, gjithmonë".

Thirrje e përgjëruar, e cila përsëritet që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë dhe tani, nga drama që po luhet në Tokën e Shenjtë. E shqiptoi Papa nga dritarja e Pallatit Apostolik. Pas përfundimit të katekizmit dhe lutjes së Engjëllit, Françesku iu drejtua 20 mijë shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe të gjithë atyre që lidhen në të katër anët e botës me të, për t’i falënderuar ata që "në vende dhe mënyra të ndryshme" u bashkuan me Ditën e lutjes, të pendesës dhe agjërimit, që Papa e shpalli për të premten e 27 tetorit "ditë lutjeje për paqen në botë":

“Nuk dorëzohemi. Vazhdojmë të lutemi për Ukrainën, gjithashtu për situatën e rëndë në Palestinë e Izrael dhe rajonet e tjera në luftë”.

 Lutja e Papës: hidheni poshtë çmendurinë e luftës, mbjell vdekjen dhe  shlyen të ardhmen

Papa e zhvendos vështrimin në Rripin e Gazës, ku situata po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, me rreth 8000 të vdekur pas sulmit të Hamasit në Izrael, më 7 tetor. Françesku përsërit kërkesën e shprehur ditët e fundit gjatë Engjëllit dhe audiencës së përgjithshme:

“Të lihet hapësira ​​për të garantuar ndihmën humanitare e të lirohen menjëherë pengjet”.

Thirrja e Atë Ibrahim Faltas

“Askush të mos e braktisë mundësinë e ndalimit të armëve”, ngulmoi Papa, si të donte të ringjallte shpresën se është e mundur një zgjidhje tjetër e konfliktit. Më pas kujtoi fjalët e Atë Ibrahim Faltas, famullitarit françeskan egjiptian të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë në Jerusalem, i cili kohët e fundit foli në programin televiziv A Sua Immagine. E dëgjova   kur thoshte “pushojeni zjarrin, pushojeni zjarrin”, shpjegon Papa.

“Edhe ne, si Atë Ibrahimi, të themi ulini armët! Ndalojeni luftën, është gjithmonë humbje, gjithmonë, gjithmonë”.

29 tetor 2023, 14:21