Kërko

Migrantë në Lampeduzë Migrantë në Lampeduzë  (ANSA)

Papa: promovoni migrimin e sigurt dhe garantoni të drejtën për të mos e braktisur tokën tuaj

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në edicionin VIII të Festivalit të Migracionit, që hapet më 25 tetor në disa qytete emiliane, Françesku inkurajon zhvillimin e propozimeve konkrete për rrugë të rregullta dhe angazhimin e të gjithëve për t’i zhdukur shkaqet e arratisjeve të detyruara: ndërgjegjësimi i bazës kërkon që përgjigjet ndaj sfidave të sotme të migracionit të jenë "të shumëanshme, globale dhe afatgjata".

R. SH. - Vatikan

“Përgjigjet ndaj sfidave të sotme migratore duhet të jenë komplekse, globale dhe afatgjata”

Papa Françesku u dërgon një mesazh pjesëmarrësve në Festivalin VIII të Migracionit, i cili filloi sot, 25 tetor, në Modena dhe qytete të tjera Emiliane, organizuar nga Fondacioni Migrantes i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Titulli "I lirë për t'u larguar, i lirë për të qëndruar"  frymëzohet nga ai i Mesazhit të këtij viti për Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve.

Fjalët e Papës përfshihen në kontekstin e paraqitjes të Festivalit, në të cilën ritheksohet se ekzaltimi i natyrës emergjente të fenomenit migrator na bën të harrojmë se është fenomen strukturor, i pandërprerë, i cili duhet të shoqërohet me një rrëfim i sinqertë.

Motoja e krishterë është 'të parët, të fundmit'

Duke cituar Mesazhin për Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve  2018 dhe 2019, Jorge Mario Bergoglio vë në dukje përpjekjet e promovuesve të ditëve Emiliane për thellimin në aspektet e ndryshme që lidhen me migrimin dhe e inkurajon atë:

“Ju propozoni që njeriu të jetë në qendër në hartimin e politikave dhe programeve të migracionit, me vëmendje të veçantë ndaj kategorive më të ligshta, si gratë dhe të miturit. Në të vërtetë, parimi i epërsisë së personit njerëzor dhe dinjiteti i tij i pacenueshëm ‘na detyron që gjithmonë të vëmë sigurinë personale mbi sigurinë kombëtare”. Dhe përsëri, ‘Jezu Krishti na kërkon të mos dorëzohemi para logjikës së botës, e cila justifikon shpërdorimin e të tjerëve për përfitimin personal ose të grupit: së pari unë, pastaj të tjerët! Përkundrazi, motoja e vërtetë e të krishterëve është: “më parë, të fundmit!'".

Propozime për të inkurajuar migrimin e rregullt dhe të sigurt

Luftoni krimin që shfrytëzon ligështinë e njerëzve në ikje dhe garantoni të drejtën për të jetuar në vendet e tyre, pa u detyruar t'i braktisin ato. Mendimet e Papës radhitem në këto dy linja dhe vijojnë të bazohen në ndërhyrjet e tij në këtë temë, si në Reflektimin e Lutjes për Emigrantët të 19 nëntorit 2023:

“Ju inkurajoj të zhvilloni propozime konkrete për të ndihmuar migrimin e rregullt dhe të sigurt. Në këtë linjë, ‘duhet të shumëfishohen përpjekjet për të luftuar rrjetet kriminale, të cilat spekulojnë mbi ëndrrat e emigrantëve. Por është po aq e nevojshme të tregohen shtigje më të sigurta. Për këtë arsye, ne duhet të angazhohemi për zgjerimin e kanaleve të rregullta migratore".

Garantojuani të gjithëve të drejtën të mos kenë nevojë të migrojnë

Françesku nënvizon nevojën për angazhim të përbashkët të secilit person sipas përgjegjësive të veta, për të krijuar kushte të favorshme që i frenojnë migrimet e detyruara për shkak të frikës, dëshpërimit dhe varfërisë. Duke i bekuar punimet e Festivalit, që u hap sot, Papa uron të ruhet vazhdimisht "angazhimi për t’i mirëpritur, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar dhe për t’i integruar të gjithë emigrantët dhe refugjatët, që trokasin në derën tonë". E, së fundi, kujton një sërë problemesh kryesore:

"Duhet të bëjmë çmos për të ndaluar garën e armatimeve, kolonializmin ekonomik, plaçkitjen e burimeve të njerëzve të tjerë, shkatërrimin e shtëpisë sonë të përbashkët".

25 tetor 2023, 13:36